Vetëm bashkëpunim i sinqertë midis SHBA dhe Kinës sjell paqe e prosperitet!

Viti 2025 po mbyllet me ngjarje të dhunshme, me disa vatra konfliktesh dhe luftërash. Megjithatë mund të thuhet se pa një marrëveshje midis dy më të mëdhenjve të botës dhe kohës së sotme, SHBA-ve dhe Kinës, nuk do të funksionojë asnjë projekt marrëveshje për paqe në vatrat e sotme të luftës e të krizave në botë. Nëse këto dy vende bisedojnë dhe merren vesh midis tyre, atëherë ka shumë shanse që njerëzimi të përjetojë një periudhë ringritjeje dhe gjallërimi jo vetëm në ekonomi, por edhe në përpjekjet për të konsoliduar paqen dhe prosperitetin njerëzor!


Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore

Po mbyllet edhe një vit. Viti 2025 ishte sërishmi viti i konflikteve dhe viktimave të shumta. Ndonëse bota përkujtoi 80 vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila na kujton se lufta dhe konfliktet bëhen tragjedi e jetës njerëzore, bota po rrit si kurrë më parë buxhetet ushtarake. Ka nisur tashmë një garë e tmerrshme armatimi bazuar në teknologjinë më të përsosur në historinë e njerëzimit. Kurse në Ukrainë vazhdoi lufta midis saj dhe Rusisë. Gaza gjithashtu, pavarësisht marrëveshjes së paqes, ende nuk është në normalitet. Konflikte të reja shihen në horizont kësaj radhe edhe në vendet e Amerikës Latine dhe në Afrikë.


Luftime në betejën mes Rusisë dhe Ukrainës/Foto nga VCG

Ndërkaq askush nuk merret me sqarimin e pyetjes se përse gjithë ky armatim, gjithë këto shpenzime ushtarake dhe se për çfarë vlejnë ato, për mbrojtje apo për sulme ushtarake? Kuptimisht do të ishte jo logjike që të gjitha vendet në garë armatimi të mendojnë për mbrojtjen dhe e kundërta, të gjitha të mendojnë e punojnë për të sulmuar një vend tjetër. Që do të thotë se ka vende që përgatiten për sulme ushtarake dhe ekspansion territorial kundër vendeve të tjera dhe ka shtete, të cilat detyrohen të përgatiten ushtarakisht për mbrojtjen e tyre.

SHBA-të po kapin shumën e një trilion dollarëve për armatimin dhe ushtrinë. Vende të tjera po ashtu kanë shtuar shpenzimet në këtë qëllim. Rritja ka përfshirë dy kategoritë e shteteve, si ato që ndjehen të kërcënuara nga luftërat dhe agresionet, edhe ato që kërcënojnë të tjerët. Ndër vendet e kërcënuara mund të përmendim Poloninë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë p.sh. për Spanjën, e cila refuzon të ngrejë shpenzimet ushtarake, pasi që nuk ndjehet e kërcënuar. Ndërsa shtetet e tjera europiane, përfshirë Gjermaninë, po rritin dita-ditës buxhetet ushtarake. Megjithatë vatrat e luftës aktuale nuk e justifikojnë gjithë këtë garë armatimi. Atëherë cila është arsyeja që bota e sotme ka hyrë në këtë spirale të rritjes së fuqisë ushtarake?


Në retorikën e saj kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, po provokon vazhdimisht Republikën Popullore të Kinës./Foto nga VCG

Një pjesë të përgjigjes së kësaj pyetjeje na e jep ringjallja e ekstremizmit në Japoni. Në Lindjen e Largët bie në sy strategjia japoneze për ringritjen ushtarake të saj. Edhe shteti i Japonisë ka rrit e dyfishuar buxhetin për ushtrinë. Madje kërkon që t’i jepet e drejta për të prodhuar armë bërthamore. Në retorikën e saj kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, po provokon vazhdimisht Republikën Popullore të Kinës dhe ky është një tregues i tensionimit të situatës në Lindjen e Largët. Kërcënimet e saj motivohen me “mbrojtjen” e interesave në Tajvan, duke akuzuar Pekinin se “po kërkon ta aneksojë ishullin në fjalë”! Në fakt në Tokio e dinë se Republika Popullore e Kinës, po të ishte për ta pushtuar Tajvanin ushtarakisht, do ta kishte realizuar këtë para disa dekadave, në kushte më të favorshme të situatave ndërkombëtare. Ndërkohë që Kina nuk ka ndërmend të përdorë forcën në Tajvan, Japonia nuk resht duke e akuzuar atë. Edhe pse e di se kinezët kanë parime dhe i respektojnë ato.

Por jo vetëm kaq. Është me rëndësi që paqja të kthehet në Ukrainë dhe Lindjen e mesme dhe të ruhet në Azinë Lindore e madje edhe në Venezuelë. Kjo do të thotë se Fuqitë e Mëdha jo vetëm duhet të punojnë në këtë drejtim, por edhe se ato duhet të jenë të sinqerta në bisedimet dhe dialogun midis tyre për çështjet e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në planet. Sa herë që Fuqitë e Mëdha nuk janë të sinqerta në marrëdhëniet midis tyre, aq herë bota është tronditur nga konfliktet dhe luftërat. Sepse është i njohur fakti që konfliktet njerëzore i shkakton jo thjesht pasiguria, por veçmas mosbesimi. Të bëhesh i besueshëm do të thotë të jesh i drejtpërdrejtë dhe Fuqitë e Mëdha nuk kanë asnjë arsye pse të mos flasin direkt e me sinqeritet njëra me tjetrën.

Po çfarë e cënon besueshmërinë midis shteteve dhe sidomos Fuqive të Mëdha? Së pari, akuzat e pavend dhe sulmet me hamendje e fantazi kundër njëra-tjetrës. Ditët e fundit pashë një titull të një artikulli si ky: “A do të reagojë Kina nëse SHBA-të ndërhyjnë në Venezuelë”?! Një pyetje retorike pa sens e pa logjikë, thjesht provokative është kjo, sepse Venezuela lidhjet më të ngushta sesa me Kinën i ka me Rusinë. Atëherë pse jo Rusia, po u dashka që Kina të shqetësohet më së shumti për këtë ndërhyrje? Ndërkaq pyetja në fjalë nuk ishte në kontekstin parimor. Por në kontekstin e interesave. Dhe nuk jepte një përgjigje bindëse! Atëherë pse duhej hedhur në tregun mediatik? Thjesht për të nxit hamendjet e armiqësitë!


Më 30 tetor të vitit 2025, Presidenti kinez Xi Jinping u takua me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Busan./Foto nga Xinhua/Foto nga Xinhua

Së dyti, paragjykimet janë burimi kryesor i mosbesimit dhe krijimit të armiqësive midis shteteve dhe Fuqive të Mëdha. Sërishmi një shembull: – Prej vitesh e dekadash përsëritet slogani sipas të cilit Republika Popullore e Kinës do të sulmojë ushtarakisht Tajvanin. Në fakt asnjë nga këto paragjykime nuk ka rezultuar të jetë i vërtetë. Megjithatë sot e kësaj dite mediet e shumta shumta t’i mëshojnë kësaj teze paragjykuese. Ndërkohë që këto paragjykime shoqërohen me akte politike provokative të hapura. Kësisoj paragjykimet përdoren me shumë “sukses” më pas për intervenime diplomatike dhe politike, si dhe e mbajnë gjallë diskursin armiqësor midis vendeve e shteteve të ndryshme.

Së treti mosbesimi rritet kur mungon dialogu. Në këtë rast kjo mungesë dialogu çon sinjale jo vetëm keqkuptimi, por edhe intervenimi. Mungesa e dialogut shton dozën e egos kolektive dhe individuale, e cila shprehet në deklarata kërcënuese kundër vendeve rivale. Shpesh herë këto diktohen nga interesat elektorale, sidomos në SHBA dhe shtetet e Europës. Në përpjekje për të rritur elektoratin, veçmas në vitet zgjedhore, lidershipi shton tonet kërcënuese e akuzuese, shpesh herë të pabazuara kundër “një armiku të jashtëm”! Nëse ky “armik” nuk ekziston, atëherë ka raste që ai shpiket e sajohet, gjithnjë përmes intimidimeve dhe provokimeve të pandërprera. Kësisoj dialogun, marrëveshjen dhe mirëbesimin e zëvendëson konflikti politik, diplomatik dhe në raste të caktuara edhe ushtarak.

Së katërti, është shqetësuese kur vende me histori dhune e pushtimesh të vendeve të tjera kërcënojnë vendet që para 80 vitesh i kishin nën pushtim. Ringjallja e teorive të luftës kundër vendeve të tjera sovrane e kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë e globit. Ky është gjithashtu rasti i Japonisë së sotme, e cila fillimisht ka nisur të ringjallë terminologjinë fashiste të Luftës së Dytë Botërore me qëllim rikthimin në pozitat e atëhershme prej pushtuesi në vendet e Azisë Lindore. Statistikat e Luftës së fundit të përbotshme të para 80 viteve kanë shënuar dhjetëra e qindra masakra, sidomos në Kinë. Vetëm në Nankin asokohe ishin shkaktuar mbi 300 mijë viktima të pafajshme nga ana e ushtrisë japoneze, gjë që përbën genocid kundër popullsisë kineze. Në këto kushte çdo rikthim në ideologjinë dhe terminologjinë e së kaluarës së errët nuk i ndihmon bashkëpunimit dhe solidaritetit të Fuqive të Mëdha e të Mesme për paqe, por i shërben konfrontimit të pakuptimtë.


Në Ditën Kombëtare Përkujtimore për Viktimat e Masakrës së Nankinit, populli i Nankinit mban zi për viktimat e Masakrës së Nankinit./Foto nga VCG

Viti 2025 po mbyllet me ngjarje të dhunshme, me disa vatra konfliktesh dhe luftërash. Megjithatë mund të thuhet se pa një marrëveshje midis dy më të mëdhenjve të botës dhe kohës së sotme, SHBA-ve dhe Kinës, nuk do të funksionojë asnjë projekt marrëveshje për paqe në vatrat e sotme të luftës e të krizave në botë. Nëse këto dy vende bisedojnë dhe merren vesh midis tyre, atëherë ka shumë shanse që njerëzimi të përjetojë një periudhë ringritjeje dhe gjallërimi jo vetëm në ekonomi, por edhe në përpjekjet për të konsoliduar paqen dhe prosperitetin njerëzor!

Burimi CGTN

Vengu: Ushtria ndërtohet mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh sot se Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen…

Global 360

Spiropali: Zgjedhjet në Kosovë, shprehje e pjekurisë demokratike

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali uroi sot popullin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit…

Diplovista

Linda Rama në Katar, reflektime mbi tranzicionin, kompleksitetin global dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama zhvilloi një bisedë me Laila Humairah në Qendrën për Lidership të Katarit.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

100-vjetori i themelimit të Urdhrit të Skënderbeut

Një tubim shpirtëror ishte eventi përkujtimor i 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut dhe i shugurimit të Urdhrave të…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Vengu: Ushtria ndërtohet mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh sot se Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen…