Xiameni dhe qeverisja e Kinës

Fujian është një nga provincat më mahnitëse të Kinës, atje natyra e mrekullueshme dhe zhvillimi ekonomik bashkëjetojnë në harmoni të rrallë.


Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Fujian është një nga provincat më mahnitëse të Kinës, atje natyra e mrekullueshme dhe zhvillimi ekonomik bashkëjetojnë në harmoni të rrallë. E vendosur përgjatë bregdetit juglindor të Kinës, ajo përfaqëson një urë lidhëse midis traditës dhe modernitetit, duke ofruar jo vetëm peizazhe mbresëlënëse me male dhe det, por edhe një ambient social jashtëzakonisht mikpritës. Fujian është një nga rajonet më dinamike të Kinës, ku inovacioni dhe përparimi kanë gjetur terrenin e përshtatshëm për të lulëzuar, duke krijuar një model të suksesshëm zhvillimi.

Në këtë kontekst, qyteti i Xiamenit merr një rol qendror si një nga pikat më të ndritura të kësaj historie. I njohur si një nga katër zonat e para të veçanta ekonomike të Kinës, Xiameni është një port i rëndësishëm tregtar dhe një pikë kyçe për hapjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Përmes një strategjie të qartë dhe reformash të guximshme, ky qytet është kthyer në një qendër modernizimi, duke mbështetur industrinë, teknologjinë, turizmin, inovacionin, e shumë fusha të tjera.Thelbi i këtij suksesi qëndron tek plani afatgjatë për zhvillimin e qytetit, i cili ka siguruar një balancë midis rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve. Ky model zhvillimi është bërë shembull për shumë qytete të tjera kineze.


Qyteti Xiamen, provincë Fujian, Kinë Jugore/Foto nga VCG

Nga ana tjetër, në Xiamen e reja me të vjetrën krijojnë një marrëdhënie gati simbiotike në një ishull plot histori, kulturë dhe traditë. Atje shpaloset një vend me mikpritje të thellë, me bujari të çiltër, me kuriozitet për risitë, me iniciativë të fortë dhe me gatishmëri për sfida të mëdha. Dera e Xiamenit ka qenë e hapur gjithmonë për botën dhe ka qenë pika e nisjes së Rrugës së Mëndafshit Detare. Një qytet me mendje shumë të hapur, me histori të gjatë të bashkëpunimit me të huajt. Xiamen ka qenë epiqendra e tregtisë së çajit të Kinës dhe Marko Polo e ka quajtur një nga parajsat më të mëdha në botë për tregti.

Modeli i Xiamenit si udhërrëfyes i mendimit të ri ekonomik


Ndryshim i jashtëzakonshëm i pamjes së qytetit Xiamen/Foto nga CMG

Katër dekada më parë, katër zona të veçanta ekonomike u krijuan në Kinën jugore. Sot, Shenzhen, Zhuhai, Shantou dhe Xiamen janë bërë një pjesë e rëndësishme e reformës dhe hapjes së Kinës. Vendosur si një Zonë Ekonomike e Veçantë në 1980, Xiameni gëzoi qasje të hershme në tregjet ndërkombëtare dhe si i tillë ka krijuar një klimë biznesi tejet dinamike.

Presidenti i Kinës Xi Jinping e ka quajtur provincën Fujian shtëpinë e tij të dytë. Ai ka punuar si nënkryetar i Bashkisë Xiamen nga viti 1985 në 1988, kur i ashtuquajturi qyteti-port sapo ishte caktuar një zonë e veçantë ekonomike. Xi udhëhoqi një seri reformash në Xiamen, të cilat hodhën një themel të fortë për zhvillimin e qytetit. Ai mbikëqyri formulimin e strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Xiamenit (1985-2000), duke hartuar reformën dhe hapjen e qytetit. Ky plan u kthye në udhërrëfyes për zhvillimin e Xiamenit si një qendër tregtare dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Pas dekadash zhvillimi, zona ekonomike speciale e Xiamenit evoluoi në një nga pikat më të rëndësishme të hapjes së Kinës ndaj botës. Xi gjithashtu promovoi zhvillimin e kompanive lokale të linjës ajrore XiamenAir dhe Portit Xiamen, të cilat sot janë bërë emblema të qytetit.

Xiamen u bë një shembull se si një qytet me histori të pasur tregtare, mund të shndërrohej në një qendër testimi të politikave të hapjes dhe tregut. Nën drejtimin e Xi-së, qyteti filloi të ndërtonte marrëdhënie të strukturuara me investitorët e huaj, të forconte partneritetet me komunitetet kineze jashtë shtetit dhe të pilotonte forma të reja të ndërmarrjeve të përbashkëta. Për shembull, koncepti i një mjedisi të favorshëm për sektorin privat, me mbështetje por jo ndërhyrje direkte nga qeveria, është i dukshëm në politikat e sotme të qeverisjes së tregut në Kinë. Gjithashtu, përvoja me planifikimin afatgjatë dhe pjesëmarrjen e publikut në hartimin e planeve zhvillimore, do të bëhej më vonë pjesë e filozofisë më të gjerë të Xi-së për qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe orientuar nga rezultatet.


Presidenti Xi Jinping në një vizitë inspektim në provincë Fujian, tetor 2024/Foto nga Xinhua


Liqeni Yundang në vitet 80′ të shekullit të kaluar dhe tani, qytet Xiamen, provincë Fujian, Kinë Jugore/Foto nga Xinhua

Kur Xi mori detyrën si nënkryetar i bashkisë së Xiamenit, qyteti ishte ende në hapat e parë të zhvillimit modern. Xi solli me vete jo vetëm një dëshirë për ndryshim, por edhe një bindje të thellë se zhvillimi i vërtetë niste nga terreni, nga kontaktet me njerëzit, me bizneset dhe me nevojat konkrete të qytetit. Në Xiamen, ai hartoi një plan zhvillimi afatgjatë që nuk ishte një plan abstrakt, por një dokument që synonte të krijonte themele të forta për të ardhmen: infrastrukturë moderne, institucione të afta për të menaxhuar tregun, reforma të guximshme administrative dhe një mjedis të hapur për investime të huaja. Pikërisht aty nisi të artikulohej ideja që qeveria duhet të shërbejë si platformë për zhvillim dhe jo si pengesë ndaj iniciativës.

Sot, kur shëtit nëpër bulevardet moderne të Xiamenit, me portet e tij të pajisura me teknologji të avancuar, zonat e teknologjisë së lartë, universitetet ndërkombëtare dhe një ekonomi që rritet me ritme të qëndrueshme, është e pamundur të mos kthehesh pas dhe të shohësh se shumë nga këto arritje janë të lidhura ngushtë me vizionin e hershëm të Xi Jinping. Ai ndërtoi një rrugë të vetën, duke u përpjekur të harmonizonte zhvillimin ekonomik me nevojat e komunitetit lokal dhe identitetin kinez.

Porti i Xiamenit është sot një nga më të mëdhenjtë në botë, ndërsa sektori i teknologjisë së lartë dhe inovacionit po tërheq kompani të mëdha ndërkombëtare. Për më tepër, Xiamen ka fituar reputacion si një qytet model për gjelbërimin urban, menaxhimin ekologjik dhe cilësinë e jetesës. Nëse Xiamen është sot një emblemë e suksesit ekonomik kinez, kjo ndodh edhe sepse aty u hodhën farat e një mënyre të re të të menduarit. Xi Jinping përqafoi hapjen, por gjithmonë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Ai vlerësoi rolin e investimeve të huaja, por kërkoi që ato të integroheshin me kapacitetet vendase. Ai eksperimentoi me modele të reja institucionale, duke besuar se forca e vërtetë e zhvillimit qëndron në një qeverisje të aftë, dhe të pastër. Xi iu qas kësaj detyre me një përkushtim të pazakontë, duke e vizituar çdo cep të qytetit, duke u ulur me biznesmenë vendas dhe të huaj, me zyrtarë lokalë dhe banorë të thjeshtë. Sot, pas afro katër dekadash, Xiameni është një prej qyteteve më të zhvilluara të Kinës. Ndërkohë, ruan një ekuilibër të admirueshëm midis rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetës — me hapësira publike, mjedis të pastër dhe shërbime të avancuara sociale.


Presidenti Xi Jinping në një vizitë inspektim në provincë Fujian, tetor 2024/Foto nga Xinhua

Mendimet e liderit kinez aplikuar në Fujian

Një raport i fundit i publikuar nga New China Research, një institut studimor i agjencisë së lajmeve Xinhua, sjell në qendër të vëmendjes origjinat dhe zhvillimin e mendimit ekonomik të Presidentit të Kinës, Xi Jinping. I titulluar “Drejt Modernitetit: Vlera e Mendimit Ekonomik të Xi Jinping”, ky raport ndriçon mënyrën se si përvoja e tij shumëvjeçare në nivelet lokale të qeverisjes ndihmoi në formësimin e qasjes së tij teorike për zhvillimin ekonomik.

Nga Xiamen tek Ningde e deri në Fuzhou, rrugëtimi i Xi Jinping në provincën bregdetare të Fujianit, midis viteve 1985 dhe 2002, shpaloset si një periudhë intensive eksperimentimi dhe përqasje strategjike në politikëbërjen ekonomike. Ajo që në pamje të parë mund të konsiderohej si një seri detyrash administrative, në fakt, u kthye në laboratorin ku u zhvillua një filozofi e re ekonomike — e cila më vonë do të udhëhiqte transformimin ekonomik të Kinës në shkallë kombëtare. Në këtë periudhë, ai hodhi themelet e një serie reformash institucionale, përfshirë promovimin e konceptit “qeveri e vogël, shoqëri e madhe” – një ide inovative për Kinën e asaj kohe. Ai gjithashtu mbështeti krijimin e institucioneve financiare dhe kompanive investuese me pjesëmarrje të diasporës kineze dhe promovoi kontrollin efektiv të valutave të huaja.

Qasja që Xi zbatoi në Xiamen nuk ishte një episod i izoluar. E njëjta mendësi u aplikua në të gjithë provincën e Fujianit, ku ai shërbeu në funksione të ndryshme për më shumë se 17 vjet. Në Fuzhou, si kryetar bashkie, ai çeli rrugën për ndërtimin e zonave të reja të zhvillimit ekonomik dhe dixhital, duke balancuar industrializimin me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në Ningde, një rajon i varfër dhe i vështirë në atë kohë, ai vendosi të udhëhiqte luftën kundër varfërisë me një përqasje që do të bëhej më vonë pjesë e fushatave kombëtare: ndihmë e synuar, zhvillim i bazuar në karakteristikat lokale dhe angazhim institucional. Në korrik të vitit 1989, ai udhëtoi për të vizituar këtë zonë malore, duke kaluar një ditë të tërë në shërbim të banorëve. “Nuk do ta harroj kurrë atë udhëtim,” u shpreh ai me emocion. “Do të ndihemi fajtorë përpara bashkëfshatarëve tanë nëse në Xiadang nuk çrrënjoset varfëria.” Këto fjalë mbeten një testament i ndjenjës së përgjegjësisë dhe lidhjes njerëzore që karakterizojnë qasjen e tij ndaj qeverisjes.


Porti Xiamen/Foto nga VCG

Sot, provinca e Fujianit është një histori suksesi në vetvete. Me një Prodhim të Brendshëm Bruto që tejkalon 5 trilionë juanë, me qytete të industrializuara dhe me infrastrukturë të përparuar logjistike, ajo ka ruajtur një ritëm të lartë zhvillimi pa humbur kohezionin social. Dhe këtu, një pjesë e suksesit i atribuohet faktit që politika zhvillimore ka ndjekur një linjë konsistente, të mbështetur në themelet që u hodhën në ato vite transformuese kur Xi ishte në detyrë.

Qytetet bregdetare si Quanzhou, Zhangzhou dhe vetë Fuzhou janë bërë qendra të eksportit, inovacionit dhe teknologjisë së lartë. Kjo arritje nuk është e rastësishme. Ajo ka mbështetje të drejtpërdrejtë në planet, qasjet dhe strategjitë e vendosura që në fund të viteve ‘80 dhe gjatë viteve ‘90 – periudhë në të cilën Xi Jinping i vuri thekse të forta mbi zhvillimin afatgjatë, menaxhimin efikas dhe përfshirjen e komunitetit.

Si dikush që ka jetuar në Xiamen dhe ka përjetuar nga afër ritmin e jetës, përparimin e pandalshëm dhe frymën pozitive të këtij qyteti, shpreh me bindje se Xiameni nuk është thjesht një model zhvillimi – është një histori suksesi që jetohet çdo ditë. Ky qytet nuk është thjesht një hapësirë urbane e bukur dhe e zhvilluar — është një vend ku vizioni i drejtimit të mençur dhe puna e përkushtuar lënë gjurmë të thella. Banorët e këtij qyteti janë thellësisht krenarë që kanë pasur dikë si Xi në drejtimin e tyre në një kohë kaq vendimtare.

Në një kohë kur Kina po promovon përditë zhvillimin me cilësi të lartë, hapjen ndaj botës dhe ndërtimin e një ekonomie moderne me karakteristika kineze, Xiameni mbetet një shembull frymëzues. Ai tregon se zhvillimi vjen nga një vizion i qartë, një udhëheqje largpamëse dhe një përkushtim i thellë për popullin. Kjo është pikërisht trashëgimia më e thellë që Xi Jinping la në këtë qytet bregdetar — një model që nuk i përket vetëm Xiamenit, por që frymëzon të gjithë Kinën. Për ata që kanë pasur privilegjin ta quajnë këtë qytet shtëpi, trashëgimia e tij ndihet çdo ditë — në çdo hapësirë publike, në çdo nismë qytetare, në çdo buzëqeshje që reflekton krenarinë dhe shpirtin e banorëve të tij.

Burimi CGTN

Draftraporti i KE për Shqipërinë: SPAK, rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit

Komisioni Evropian ka hartuar një draftraport për Sundimin e Ligjit në Shqipëri në të cilin analizohet ecuria e reformës në…

Global 360

Osmani pas samitit në Tiranë: BE-ja t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat

Komentet e Osmanit në një postim në rrjetet sociale vijnë në mbyllje të punimeve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Draftraporti i KE për Shqipërinë: SPAK, rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit

Komisioni Evropian ka hartuar një draftraport për Sundimin e Ligjit në Shqipëri në të cilin analizohet ecuria e reformës në…