
Linjë direkte Helsinki-Tiranë, shtysë e re për rritjen e turizmit dhe lidhjeve ndërkombëtare
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti sot kompaninë ajrore “Finnair” me nisjen e fluturimeve direkte mes Helsinkit dhe Tiranës, një zhvillim që pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e mëtejshme të turizmit dhe lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti sot kompaninë ajrore “Finnair” me nisjen e fluturimeve direkte mes Helsinkit dhe Tiranës, një zhvillim që pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e mëtejshme të turizmit dhe lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Linja e re do të operojë me frekuencë dy herë në javë, duke krijuar një urë të drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe Europës Veriore, si edhe duke ofruar lidhje të shpejta me rrjetin global të destinacioneve të “Finnair” përmes Helsinkit.
Kjo linjë vjen në një moment kur Shqipëria po përjeton rritje të qëndrueshme të fluksit të turistëve dhe të lëvizjeve ajrore.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 udhëtuan mbi 2,16 milionë pasagjerë me linja ajrore, me një rritje prej 3,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve dhe shtimi i kompanive ajrore që operojnë në Shqipëri, konkretisht 21 të tilla vetëm në tre muajt e parë të vitit, dëshmojnë për rritjen e atraktivitetit të vendit si destinacion turistik dhe nyjë tranziti në rajon.
Në këtë kontekst, hyrja e “Finnair në tregun shqiptar shihet si një hap i rëndësishëm që jo vetëm zgjeron ofertën e udhëtimeve për qytetarët, por edhe kontribuon në tërheqjen e turistëve nga tregje të reja, veçanërisht nga vendet nordike dhe më gjerë.
Zgjerimi i rrjetit ajror dhe shtimi i linjave direkte po e pozicionojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si një destinacion të aksesueshëm dhe konkurrues në hartën turistike ndërkombëtare.
Marrë nga ATSH



















