
Indeksi i AmCham: Rritje e vlerësimeve pozitive për infrastrukturën digjitale dhe shërbimet publike
“Si po ecën ekonomia – Analiza e treguesve dhe perspektiva e biznesit”, titullohet konferenca e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) dhe Revista “Monitor”.

“Si po ecën ekonomia – Analiza e treguesve dhe perspektiva e biznesit”, titullohet konferenca e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) dhe Revista “Monitor”.
Në konferencë marrin pjesë Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, kryeredaktorja e “Monitor” Ornela Liperi, ekspertë, etj.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj tha se “Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane (AmCham) për vitin 2025, i sapopublikuar, ka shënuar një rënie të fortë në raport me vitin e mëparshëm, ku ndikimin kryesor e ka dhënë klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia e qeverisë, dhe korrupsioni. Sipas të dhënave të publikimit, Indeksi i Biznesit të AmCham për vitin 2025 arriti në 40,34 pikë nga 100 të mundshme, duke shënuar një rënie prej 6,13 pikësh krahasuar me vlerën 46,47 që ishte në vitin 2024″.
“Treguesit sinjalizojnë një përkeqësim sistemik të integritetit të tregut në Shqipëri, me disa prej komponentëve kyç që kanë shënuar rënien më të fortë krahasuar me vitin 2024. Ndër treguesit më problematikë rezultojnë klima e brendshme politike, infrastruktura dhe perceptimi i korrupsionit, të cilët kanë regjistruar nivelet më të ulëta në 14 vitet e publikimit të këtij vlerësimi. Përqendrimi i një numri kaq të madh treguesish në trajektore negative sugjeron se dobësimi nuk është i izoluar, por prek disa dimensione themelore të mjedisit të biznesit”, tha Mullaj.
Sipas të dhënave, shtoi Mullaj, kjo prirje përbën një sinjal alarmi për institucionet, komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara për konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve në vend.
“Treguesi i informalitetit mbetet një nga shqetësimet kryesore për bizneset në Shqipëri. Sipas rezultateve të anketimit, 73% e të anketuarve e perceptojnë nivelin e informalitetit si të lartë ose shumë të lartë. Vlerësimi i këtij treguesi ka rënë në nivelin 3 këtë vit, duke regjistruar një përkeqësim krahasuar me edicionin e mëparshëm. Kjo prirje tregon se masat e ndërmarra kundër informalitetit nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate të qëndrueshme në kohë dhe se perceptimi i biznesit vijon të reflektojë sfida të konsiderueshme në zbatimin e rregullave të konkurrencës dhe formalizimin e ekonomisë”, nënvizoi Mullaj.
Sipas tij, vlerësimet me pozitive të indeksit të besimit janë furnizimi me energji, kërkesa për mallra e shërbime në eksport dhe marrëdhëniet me administratën doganore.
“Për herë të parë, anketa e viteve 2025-2026 përfshiu një seksion të dedikuar për mjedisin digjital në Shqipëri. Sa i përket infrastrukturës digjitale, 39,2% e të anketuarve e vlerësuan atë pozitivisht, krahasuar me 23,9% që e vlerësuan negativisht, ndërsa 36,9% mbetën neutralë. Lidhur me e-government (shërbimet qeveritare elektronike) dhe shërbimet digjitale publike, 30,1% e pjesëmarrësve shprehën një vlerësim pozitiv, ndërsa 35,8% i vlerësuan këto shërbime negativisht dhe 34,1% mbetën neutralë”, tha Mullaj.
Në fjalën e saj kryeredaktorja e “Monitor”, Liperi tha se “edhe pas 30 viteve tranzicion, Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbështetet kaq shumë te ndërtimi”.
“Ky sektor nuk krijon vlerë të shtuar në ekonomi në afatin e gjatë, ndërsa po rezulton se ai ka shërbyer në një pjesë të madhe si një instrument për pastrimin e parave, siç po rezulton qartazi dhe nga aksionet e fundit të SPAK”, tha Liperi.
Sipas saj, në kontrast, industria në Shqipëri ka një kontribut më të ulët në ekonomi, në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe mesataren e Bashkimit Europian, me 12% të vlerës së shtuar bruto, nga 19% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
“Në vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Malit të Zi, që është e orientuar më shumë nga shërbimet, ky kontribut është mbi 20%, ose gati dyfishin e Shqipërisë. Ndonëse pesha po vjen në rënie, Shqipëria vijon të mbetet vendi më bujqësor në Europë, me 18% të vlerës së shtuar bruto, nga 2% që është mesatarja e Bashkimit Europian dhe i dyti më i lartë pas nesh është Kosova (9,3%)”.
Liperi tha se një zhvillim pozitiv ka qenë rritja e kontributit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor, që ka arritur në 4,1% të prodhimit të brendshëm bruto (vlera e shtuar + taksat neto), duke u dyfishuar në pak vjet, një tregues direkt i ecurisë së mirë të turizmit.
Ajo shtoi se ky model ekonomik ka krijuar iluzionin se ekonomia po ecën mirë në aspektin makro, por përket këtyre shifrave fshihet një model i paqëndrueshëm zhvillimi.
“Vendi është mbështetur shumë te ndërtimi, ka shfrytëzuar burimet natyrore, përfshi dhe turizmin (dielli, uji, klima), është bazuar në sektorë pa përpunim dhe krijim zinxhiri vlerash të shtuara, nuk ka krijuar cilësitë e njohurive të nevojshme për investime dhe zhvillim ekonomie, duke ofruar pagat më të ulëta në rajon, për shkak të produktivitetit të ulët”, tha Liperi.
Marrë nga ATSH



















