
Rama: Po ndërtojmë një pasqyrë digjitale me IA për të identifikuar manipulimin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po ndërton një pasqyrë digjitale mbështetur mbi inteligjencën artificiale (IA) për të identifikuar manipulimin në kohë reale.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po ndërton një pasqyrë digjitale mbështetur mbi inteligjencën artificiale (IA) për të identifikuar manipulimin në kohë reale.
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Rama tha se Pasqyra Digjitale nuk synon të shndërrohet në arbitër opinioni, por ka për synim të shndërrohet në një infrastrukturë transparence.
“Do të testojë pretendimet përkundrejt informacionit të autorizuar, do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato çfarë shihen, por edhe si e pse ka arritur tek ta. Nuk do t’u thotë qytetarëve se çfarë duhet të mendojnë. E drejta nuk mund të dekretohet nga asnjë qeveri. Duhet të jetë e mbështetur në të dhëna, të nxirret nga burimet e duhura, të testohet, të sfidohet dhe të mbrohet haptazi”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria nuk kërkon të krijojë një ministri të së vërtetës, por kërkon të mbrojë shoqërinë kundër një industrie gënjeshtrash.
“Nuk duhet të trembemi që makinat do të bëhen më njerëzore. Duhet të kemi frikë që qeniet njerëzore të mos bëhen të padukshëm pas makinave”, tha Rama, duke bërë thirrje që të mbrohet liria në një territor ku liria është nën kërcënim.
“Le të sigurohemi që asnjë qytetar të mos lihet i vetëm përballë një ushtrie gjithmonë e më tmerruese algoritmike dhe që asnjë komb i vogël të mos detyrohet të huazojë kuptimin e realitetit nga jashtë kufijve të vet. Le të sigurohemi që asnjë demokraci të mos zgjohet pa asnjë palë zgjedhje për të zbuluar se qytetarët e vet kanë ushtruar lirinë e tyre të zgjedhjes brenda një bote të projektuar në mënyrë të fshehtë për ta nga dikush që as nuk mund ta shohin e as nuk e dinë që është fuqia pas zgjedhjes së tyre”, shtoi Rama.
Sipas tij, “inteligjenca artificiale nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit, por ne do ta vendosim dhe makina do të bindet”.
“Pyetja është: kujt do t’i bindet? Sipas cilit ligj dhe në shërbim të cilit qëllim njerëzor? Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e vet modeste. Ne kemi zgjedhur përshpejtimin, jo dorëzimin. Kemi zgjedhur inovacionin, jo abdikimin. Kemi zgjedhur rritjen e jo atrofizimin e aftësisë njerëzore. Kemi zgjedhur lirinë e shprehjes. E dimë ç’do të thotë të jetosh pa të”, tha Rama.
Ndaj, vijoi ai, “refuzojmë ta ngatërrojmë me lirinë e pakontrolluar të makinave, parave dhe fuqive të huaja për të mbërritur te gjithkush, gjithkund, pa asnjë llogari”.
“Ne zgjedhim të vërtetën jo sepse e vërteta është gjithmonë e lehtë apo e rehatshme, por sepse pa një angazhim të përbashkët ndaj realitetit nuk mund të kemi një jetë të përbashkët publike. E pa këtë angazhim prej të gjithëve ne ndaj realitetit të botës ku jetojmë do të jemi të angazhuar. Do të përfshihemi në tradhtinë më të tmerrshme që prindërit e kësaj bote në historinë e njerëzimit do të kenë bërë kundrejt fëmijëve të tyre. E pa një botë të përbashkët nuk mund të ketë Kombet e Bashkuara”, shtoi ai.
Marrë nga ATSH
















