
Miratohet strategjia e arsimit për 2027-2032, Kumbaro: Hapim liceun francez në Korçë, rishikojmë ligjin e arsimit të lartë
Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua strategjia për arsimin për vitet 2027-2032.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua strategjia për arsimin për vitet 2027-2032.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “modernizimi i kurrikulës për gjithë sistemin e arsimit parauniversitar, që ka filluar që këtë vit shkollor me klasën e parë, të gjashtë, dhe të dhjetë, do të vijojë deri në vitin 2032, deri sa të mbarojnë të gjitha vitet që ndjekin nga klasa e parë deri në dymbëdhjetën”.
Kumbaro theksoi se “do të vijojë me të njëjtin intensitet, plani për teknologjinë e informacionit, brenda sistemit parauniversitar, si në menaxhimin e sistemit përmes SMIP, por dhe vazhdimi i pajisjes së shkollave, deri në 1000 laboratorë inteligjentë, por edhe pajisja e të gjithë mësuesve, sidomos në gjimnaze, me laptopë në shërbim të mësuesve të gjimnazeve”.
Kumbaro bëri të ditur se pjesë e kësaj strategjie do të jetë edhe hapja e liceut francez në Korçë.
“Kemi projekte konkrete që do të jenë pjesë e kësaj strategjie, siç do të jetë ndërtimi dhe hapja e liceut francez, me orientim shkencën edhe teknologjinë, si një produkt i përbashkët i marrëveshjeve mes dy qeverive, asaj franceze dhe shqiptare, sigurisht në qytetin e Korçës.
“Ndërkohë që flasim sapo kemi hedhur për konsultim publik ligjin e posaçëm për hapjen e këtij liceu, që do të jetë njëkohësisht me dy diploma, maturën shqiptare dhe maturën franceze, të homologuara nga Ministria e Arsimit të Francës, me idenë e krijimit të një modeli ekselence, pikërisht në ato fusha që janë prioritet i arsimit të lartë teknologjia dhe informacioni, si dhe përgatitja edhe e studentëve të ardhshëm për degë, siç është politekniku”, tha Kumbaro.
Gjithashtu Kumbaro tha se do të ketë dy reforma të rëndësishme të parashikuara në këtë strategjil
“Jemi në hapat e fundit të miratimit të një ligji që transformon Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Agjenci Autonome të Shërbimeve Arsimore, për të përfshirë aty gjithë paketën e provimeve të maturës, por edhe të provimeve të shtetit, si dhe një tjetër reformë të Qendrës së Botimeve të Diasporës në kthimin e saj në Agjenci të Gjuhës Shqipe si gjuhë e dytë, për ta përfshirë Shqipen, në kornizën evropiane të gjuhëve. Kjo bëhet dhe në kontekstin e integrimit evropian, ku me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, shqipja do të jetë po aq gjuhë zyrtare saç janë sot dhe 28 gjuhët e tjera”, tha ajo.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se do të rishikohet ligji për arsimin e lartë.
“Në arsimin e lartë, kemi prioritet cilësinë dhe ka filluar puna për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë, i cili mbasi bëri një jetë 10 vjeçare, ka krijuar mjaftueshëm përvoja të mira, por edhe përvoja që kanë nevojë thelbësore për t’u përmirësuar me dy prioritete kryesore; krijimin e mekanizmave për të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë, rishikimin, edhe të gjitha kritereve dhe forcimin e tyre, për të gjithë operatorët që veprojnë në arsimin e lartë të orientuara drejt një tregu pune të studiuar më mirë; si dhe hapjen e tregut të arsimit të lartë drejt ndërkombëtarizimit, jo thjesht duke u hapur universitete ekzistuese për bashkëpunime për diploma të përbashkëta me universitete të tjera ndërkombëtare, por edhe mundësinë bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, mes universiteteve apo grupeve të universiteteve ndërkombëtare, të cilat mund të hapin këtu universitet e tyre, për të tërhequr një kategori studentësh që vijnë nga vende të tjera dhe jo domosdoshmërisht vetëm për studentët shqiptarë. E domosdoshme kjo për t’u përballur me një treg pune shumë më të madh evropian”, tha Kumabro.
Burimi ATSH



















