
Mblidhet komisioni për reformën territoriale, debate PD-PS për afatet e dëgjesave
Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale zhvilloi sot një mbledhje ku u diskutua mbi ecurinë e procesit dhe organizimin e fazës dëgjimore me aktorët e interesuar.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale zhvilloi sot një mbledhje ku u diskutua mbi ecurinë e procesit dhe organizimin e fazës dëgjimore me aktorët e interesuar.
Bashkëkryetari i komisionit nga Partia Socialiste, Arbjan Mazniku, bëri të ditur se komisioni ka një axhendë që parashikon nisjen e fazës së seancave dëgjimore, duke shpresuar që këto takime do të përmbyllen brenda muajit prill.
Ndërkohë, bashkëkryetari i komisionit nga Partia Demokratike, Luciano Boçi, theksoi se axhenda e paraqitur kapërcen disa etapa të rëndësishme të procesit.
“Koha nuk e bën reformën, por reforma përcakton kohën. Qëllimi është të realizojmë një reformë të duhur dhe serioze”, u shpreh Boçi, duke shtuar se opozita është e angazhuar që procesi të zhvillohet pa u nxituar dhe pa u anashkaluar fazat dhe modalitetet që e bëjnë komisionin të funksionojë në mënyrë efektive.
Sipas tij, synimi është hartimi i një reforme serioze që reflekton kërkesat e qytetarëve, bashkive dhe rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar.
Boçi theksoi gjithashtu se opozita nuk është kundër përcaktimit të një axhende pune, por nënvizoi se seancat dëgjimore duhet të respektojnë disa shkallë të përcaktuara të procesit.
Ai bëri të ditur se ende nuk është konstituuar grupi i ekspertëve që do të vijojë punën për përgatitjen e një raporti vlerësues, ndërsa aktualisht ekziston vetëm një raport paraprak mbi të cilin pritet të zhvillohen dëgjesat.
Sipas tij, janë planifikuar rreth 25 grupe dëgjimore, por kjo nuk ishte bërë e ditur për anëtarët e opozitës në komision.
Boçi ngriti gjithashtu shqetësimin se seancat dëgjimore nuk mund të nisin pa u ndërtuar faqja zyrtare në internet e komisionit, pasi në të kundërt publiku nuk do të ketë akses në informacion mbi procesin.
Ai shtoi se nuk duhet që dëgjesat të kufizohen vetëm me teknicienë brenda zyrave të bashkive, duke theksuar se këshilltarët bashkiakë janë staf politik dhe jo teknik, ndërsa administrata e bashkive nuk mund të konsiderohet plotësisht si trupë teknike për këtë proces.
Boçi tha se opozita ka kërkuar këtë mbledhje me qëllim që komisioni të hyjë në një rrjedhë normale pune, pa kufizime procedurale dhe me transparencë më të madhe ndaj publikut.
Debati vijoi edhe me reagimin e bashkëkryetarit nga Partia Socialiste, Arbjan Mazniku, i cili akuzoi opozitën për vonesa në ecurinë e punës së komisionit.
Mazniku u shpreh se që në mbledhjen e parë, kur u krijua komisioni, është paraqitur një axhendë e qartë për hapat që duhet të ndiqte puna e tij dhe për të cilën, sipas tij, ishte rënë dakord nga palët.
Sipas Maznikut, në mënyrë sistematike opozita e ka vonuar procesin, duke e shtyrë atë drejt zvarritjes. “Në mënyrë sistematike opozita e ka vonuar këtë proces për ta çuar në kalendat greke. Humbëm dy muaj vetëm për miratimin e kalendarit”, u shpreh ai.
Ai theksoi se nëse komisioni do të zhvillojë mbledhje për çdo qytet, procesi mund të zgjasë shumë gjatë. “Nëse do të mblidhet komisioni për çdo qytet, kjo gjë nuk mbaron as për 10 vjet. Këtu duket që ka një axhendë të caktuar për të mos bërë punë”, deklaroi Mazniku.
Sipas tij, nëse do të diskutohet për ristrukturimin e pushtetit vendor, kjo nuk mund të bëhet pa zhvilluar biseda me kryetarët e bashkive dhe këshilltarët e pushtetit vendor.
Mazniku shtoi se, në proces do të përfshihen edhe qytetarët, por fillimisht diskutimet duhet të zhvillohen me personat që kanë mandat publik dhe janë të zgjedhur nga votuesit.
Ai theksoi gjithashtu se në komision është pranuar kërkesa për përfshirjen edhe të ish-zyrtarëve të zgjedhur vendorë në procesin e konsultimeve.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për mungesën e një faqeje zyrtare në internet për komisionin, Mazniku tha se kjo nuk është pengesë për të zhvilluar diskutime me të zgjedhurit vendorë dhe ekspertët e administratës në fusha si shërbimet sociale, urbanistika apo financat vendore.
Sipas tij, insistimi për çështje procedurale si ndërtimi i faqes së internetit është pjesë e një përpjekjeje për të shtyrë më tej punën e komisionit.
Marrë nga ATSH



















