
Karakaçi: 11.7 milionë euro hua nga BERZH për elektrifikimin e hekurudhës Tiranë-Durrës
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi sot se Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që lidhet me projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe segmentin që lidh linjën hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi sot se Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që lidhet me projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe segmentin që lidh linjën hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi bëri të ditur se bëhet fjalë për një hua në vlerën 11.7 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor projekti ka përfituar edhe rreth 12.5 milionë euro grant.
Sipas ministrit, projekti ka një rëndësi të veçantë pasi parashikon elektrifikimin e plotë të linjës hekurudhore, çka do të mundësojë përdorimin e trenave elektrikë.
Ai theksoi se elektrifikimi i hekurudhës sjell reduktim të plotë të emetimeve të karbonit dhe e afron Shqipërinë me standardet e vendeve të zhvilluara që kanë kaluar në sisteme hekurudhore të elektrifikuara.
“Elektrifikimi sjell zero emetime karboni dhe krijon mundësinë që në të ardhmen të përdoret edhe energjia e rinovueshme për furnizimin e kësaj linje hekurudhore. Ky investim i jep zgjidhje përfundimtare projektit të hekurudhës Tiranë-Durrës, duke përmbyllur ciklin e elektrifikimit të saj”, u shpreh Karakaçi.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar edhe fonde shtesë për shpronësime në disa segmente të projektit për zgjerimin e hyrjes së qytetit të Shkodër, si dhe për nyjen rrugore të Milot.
Burimi ATSH



















