
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, Këshilli i Mandateve shtyn mbledhjen
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka shtyrë mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe njëherësh deputetes Belinda Balluku.

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka shtyrë mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe njëherësh deputetes Belinda Balluku.
Në mbledhje ishin të pranishëm drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho, si edhe prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Mbledhja e Këshillit u shoqërua me debate mes palëve lidhur me transparencën e procesit.
Partia Demokratike kërkoi që mbledhja të jetë e hapur për median dhe publikun, deri në momentin kur prokurorët e SPAK të paraqesin informacionin e klasifikuar si sekret hetimor.
Ky qëndrim nuk është pranuar as nga përfaqësuesit e shumicës dhe as nga prokurorët e SPAK, të cilët kanë kërkuar që i gjithë procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Kryetari i Kuvendit u kërkoi prokurorëve të SPAK të propozojnë një mekanizëm që t’u mundësojë deputetëve akses në informacionin konfidencial, pa cenuar sekretin hetimor.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi hapjen e mbledhjes dhe pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, si dhe vënien në dispozicion të provave.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla theksoi se mbledhja duhet të jetë e mbyllur, në respekt të sekretit hetimor, dhe se në të duhet të marrin pjesë vetëm anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit.
Ardian Kalija, avokati i Belinda Ballukut, kërkoi të shtyhet me 3 javë mbledhja e Këshillit të Mandateve për t’u njohur me të gjitha aktet e SPAK.
Përfaqësuesit e SPAK u shprehën se maksimumi mund të marrë 5 ditë kohë për t’u njohur me aktet, por avokati thotë se janë 10 mijë faqe dosje.
PS ka propozuar që mbledhja të shtyhet më datë 19 janar.
Marrë nga ATSH



















