
Pezullimi i Ballukut, Rama: Po bllokon marrëveshjen për fluturimet transoqeanike me Kanadanë dhe 36 akte të MIE
Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot lidhur me çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), duke e cilësuar atë një precedent unik dhe absurd që dëmton funksionimin normal të institucioneve dhe interesin publik.

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot lidhur me çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), duke e cilësuar atë një precedent unik dhe absurd që dëmton funksionimin normal të institucioneve dhe interesin publik.
Rama bëri të ditur në një postim në platformën X se, për shkak të këtij pezullimi, ka mbetur i bllokuar procesi për finalizimin e marrëveshjes dypalëshe me Kanadanë që do t’i hapte rrugën nisjes së fluturimeve ajrore transoqeanike Shqipëri-Kanada.
Rama thekson se, pala kanadeze ka dhënë tashmë përgjigje pozitive pas diskutimeve teknike, por procedura nuk mund të ecë përpara pa firmën e ministrit, një kompetencë që nuk delegohet nga Kushtetuta.
Sipas tij, pezullimi rrezikon që fluturimet e planifikuara të nisin në qershor 2026 të shtyhen për shkak të pamundësisë për miratimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes.
“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cenojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik: Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigjja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve”, shkruan Rama.
“Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nënshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi në fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri shtoi se, situata nuk kufizohet vetëm tek ky proces, pasi aktualisht janë të bllokuara edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prej të cilave 18 lidhen me projekte të rindërtimit.
“Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















