Begaj: 7 Marsi moment reflektimi kombëtar, respekt e nderim figurës së mësuesit

Sot, në Ditën e shënuar të Mësuesit, Presidenti Bajram Begaj bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.


Sot, në Ditën e shënuar të Mësuesit, Presidenti Bajram Begaj bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.

Zyra e shtypit e Presidentit bëri me dije, në njoftim për mediet, se të ftuar në këtë aktivitet ishin mësues në pension nga e gjithë Shqipëria, mësues nga shkollat shqipe në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, si dhe mësues të shkollave shqipe të diasporës, të ardhur nga shtete të ndryshme të botës.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj, duke nderuar aktin e guximshëm të atdhetarëve të Mësonjëtores së Parë Shqipe, shprehu mirënjohje ndaj të gjithë mësuesve shqiptarë për misionin e tyre kombëtar.

“7 Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë”, deklaroi Presidenti Begaj në çelje të ceremonisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu shërbimin që i bëjnë gjuhës amtare mësuesit e shkollave shqipe në diasporë.

“Ju keni diçka më të fortë, diçka që lidhet me bindjen se gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por është identiteti ynë. Ajo mbart në vete rrëfenjat e të parëve, këngët e djepit dhe ëndrrat e Rilindësve tanë. Sa herë humb një fjalë shqipe, humb edhe një pjesë e shpirtit tonë. Prandaj, puna juaj në diasporë nuk është thjesht mësimdhënie, por edhe ruajtje e lidhjes shpirtërore me kombin. Në klasat tuaja gjuha shqipe nuk mësohet vetëm si gramatikë. Ajo mësohet si histori, si kujtesë, si lidhje me gjyshërit dhe gjyshet, me vendlindjen dhe me rrënjët tona”.

“Ju jeni ambasadorët tanë më të çmuar. Ju po parandaloni humbjen e shpirtit shqiptar në dallgët e globalizimit. Ju jeni ura që lidh brezat. Ju jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim. Ju jeni dëshmia se një komb nuk matet vetëm me territorin që ka, por me gjuhën që ruan dhe trashëgon”, nënvizoi Presidenti Begaj, duke theksuar se për këtë mirënjohja është e thellë dhe e përhershme.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu mësuesit veteranë të ardhur nga Kosova për guximin dhe sakrificën e tyre përballë dhunës dhe represionit të regjimit të Millosheviçit, kur shumë prej tyre i kthyen shtëpitë në shkolla shqipe.

“Ju dëshmuat se një populli mund t’i mbyllen shkollat, mund t’i ndalohen librat, mund t’i kufizohet liria, por kurrë nuk mund t’i ndalohet mendja, nuk i shuhet etja për dije dhe nuk i shteron vullneti për të edukuar brezin tjetër”, deklaroi Presidenti i Republikës, duke theksuar se falë kësaj sakrifice Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në arsim.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës inkurajoi arsimtarët të përballen me sfidat e kohës, duke theksuar se arsimi cilësor mbetet një sfidë kombëtare.

“Gjuha jonë është pasuria jonë e përbashkët dhe mbrojtja e saj është një projekt kombëtar që na përfshin të gjithëve. Shteti duhet të jetë partneri juaj kryesor në këtë mision, duke siguruar që energjia juaj profesionale të ketë mbështetjen e duhur institucionale. Në emër të Republikës së Shqipërisë, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për dijen që përcillni, për përkushtimin që tregoni dhe për shembullin që jepni e frymëzoni”.

Në përfundim të përshëndetjes së tij, Kreu i Shtetit theksoi se 7 Marsi është një moment reflektimi kombëtar, pasi investimi në arsim është investim për të ardhmen dhe respekti për mësuesit është respekt për veten dhe shoqërinë.

Burimi ATSH

Ndahet nga jeta Eliot Engel, mbështetësi i madh i shqiptarëve në Kongresin amerikan

Ish-kongresisti amerikan dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, Eliot Engel është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Global 360

Kosova ende pa një marrëveshje për president, kush do ta drejtojë vendin?

Më 4 prill, Vjosa Osmani mbaron mandatin e saj si presidente

Diplovista

Rama për ”Le Point”: Ne duhet të flasim me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve

Ne duhet të flasim me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve, i deklaroi kryeministri Edi Rama prestigjiozes franceze…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare

Në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Ndahet nga jeta Eliot Engel, mbështetësi i madh i shqiptarëve në Kongresin amerikan

Ish-kongresisti amerikan dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, Eliot Engel është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.