
Demo: Autonomia e pushtetit vendor merr kuptim me kapacitetet për të gjeneruar të ardhura
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo e cilësoi si një ditë të rëndësishme për bashkitë takimin e zhvilluar sot në Tiranë, gjatë prezantimit të reformës së taksës mbi pasurinë e paluajtshme në Shqipëri.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo e cilësoi si një ditë të rëndësishme për bashkitë takimin e zhvilluar sot në Tiranë, gjatë prezantimit të reformës së taksës mbi pasurinë e paluajtshme në Shqipëri.
Reforma synon të krijojë një sistem modern dhe të unifikuar të taksimit të pronës, të bazuar në vlerën e tregut, duke forcuar njëkohësisht rolin e bashkive në mbledhjen e të ardhurave.
Demo u shpreh se ky proces ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe falënderoi partneritetin suedez dhe Ministrinë e Financave për drejtimin e reformës, e cila pritet të zbatohet në vitin 2026. Sipas tij, kjo reformë e afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian.
Ai vuri në dukje se bashkitë luajnë një rol kryesor në gjenerimin e të ardhurave, duke garantuar financa të qëndrueshme dhe më shumë shërbime për qytetarët.
Ministri theksoi se autonomia e pushtetit vendor nuk mund të kuptohet pa fuqizimin e kapaciteteve për të gjeneruar të ardhura, dhe në këtë drejtim taksës së pasurisë i jepet përparësi.
Sipas tij, kryetarët e bashkive e kanë mirëpritur këtë nismë si një mundësi për të rritur potencialin financiar të njësive vendore.
“Buxheti 2026 reflekton rritje të të ardhurave nga zbatimi i taksës së pronësisë dhe këto të ardhura do të shkojnë për më shumë shërbime ndaj qytetarëve, duke ndërtuar një sistem transparent dhe korrekt”, tha Demo.
Ai theksoi se sistemi i ri do të sigurojë trajtim të barabartë të qytetarëve, pavarësisht madhësisë së bashkisë ku jetojnë.
Demo nënvizoi se një nga shtyllat e pushtetit vendor mbetet qëndrueshmëria financiare, e cila do të mbështetet nga disa iniciativa të rëndësishme të vitit 2026: Taksimi i ri i pasurisë,
Reforma territoriale, Digjitalizimi i shërbimeve vendore.
Ministri shprehu bindjen se harta e re territoriale dhe sistemi i ri i taksimit do të ofrojnë më shumë shërbime dhe efikasitet për qytetarët, ndërsa bashkitë do të kenë më shumë kapacitete për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm financiar në territoret e tyre.
/Marrë nga ATSH



















