
Hoxha: Rehabilitim i llixhave të Bënjës, vijojnë të hapen agroturizme të reja
Përmeti ose “qyteti i trëndafilave” ofron një sërë alternativash të turizmit rural, ujor, gastronomik, duke ftuar turistët vendas dhe të huajt gjithnjë e më shumë për ta vizituar.

Përmeti ose “qyteti i trëndafilave” ofron një sërë alternativash të turizmit rural, ujor, gastronomik, duke ftuar turistët vendas dhe të huajt gjithnjë e më shumë për ta vizituar.
Turistët, sidomos ata që e vizitojnë për herë të parë këtë qytet mbeten të mahnitur nga bukuritë natyrore dhe monumentet e shumta kulturore dhe historike, që ky qytet i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë ofron për ta.
Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha tha sot për ATSH-në se “krahasuar me 2024 gjatë këtij viti vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve, që dëshmon për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonë. Nga janari deri në fund të tetorit Përmeti u vizitua nga 150 mijë turistë, ku 60% e tyre janë të huaj”.
Sipas kryebashkiakes Hoxha, Përmeti po kthehet në një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit.
“Edhe gjatë muajve të vjeshtës, shtator dhe tetor, por edhe në ditët e para të nëntorit në qytet vijon fluksi i turistëve, kryesisht të huaj, të cilët zgjedhin Përmetin për natyrën, kulinarinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore”, tha Hoxha.
Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.
Destinacionet më të preferuara të turistëve në Përmet janë: Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës dhe lumi Vjosë, monumenti i natyrës dhe kulturës “Guri i Qytetit”, Ujërat Termale të Bënjës, Lagjja historike e qytetit, ujëvara e Sopotit, itinerari malor i Nemërçkës, etj.
Turistët e huaj kanë treguar interes të veçantë edhe për monumentet e kulturës dhe trashëgiminë shpirtërore të zonës.
“Më të vizituarat kanë qenë Kisha e Shën Mërisë në Leusë dhe Kosinë, lagjja historike e qytetit dhe teqetë e zonës, ajo e Alipostovanit dhe e Frashërit që përfaqësojnë vlera të rralla arkitekturore dhe kulturore”, tha Hoxha.
I shndërruar në një pikë të veçantë turistike tashmë në Përmet vijojnë hapen agroturizme të reja, ku tradita e gatimeve të njohura përmetare po preferohet gjithnjë e më shumë nga turistët.
“Gjithashtu në qytet janë shtuar edhe strukturat akomoduese, pasi Përmeti nuk është më një qytet që mund të qëndrosh vetëm një ditë, por mund të kalosh edhe disa ditë për të pushuar dhe për të vizituar atraksionet e shumta të tij. Vitet e fundit turizmi familjar po merr përparësi me hapjen e agroturizmeve, hoteleve, apo edhe guesthouse që janë shtuar për të pritur turistët”, tha Hoxha.
Një nga pikat turistike më të vizituara në Përmet janë edhe ujërat termale të Bënjës, të cilat i janë nënshtruar një procesi rikualifikimi, që pritet të përfundojë në mars 2026. Ky projekt përfshin përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik si dhe për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se “punimet për rehabilitimin e ujërave termale të Bënjës po ecin me ritme të mira. Projekti përfshin ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, ndriçimin dhe hapësirat përreth, duke synuar krijimin e një zone të integruar turistike me standarde bashkëkohore”.
Në Përmet po ndërtohet edhe Qendra e Vizitorëve, një projekt që rijetëson edhe një simbol natyror dhe kulturor siç është Guri i Qytetit, duke e kthyer në një muze që bashkon historinë me natyrën.
Por, “Qyteti i Trëndafilave” shquhet për prodhimet e tij tradicionale, ndër të cilat mund të përmendim glikotë e famshme, si dhe pjatat tradicionale përmetare të njohura në të gjithë Shqipërinë.
Tradita e gatimeve të njohura përmetare, sikundër ajo e prodhimit të reçelrave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë për ekonominë dhe punësimin familjar lokal.
Përmeti është një mundësi më shumë për turistët, që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.
Burimi ATSH


















