
Protesta pro UÇK-së, Spiropali: Tirana, kryeqendra e shqiptarisë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot se, protesta mbarëkombëtare e mbajtur në Tiranë në mbështetje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Gjykatën e Hagës, ishte emocionuese dhe e duhur.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot se, protesta mbarëkombëtare e mbajtur në Tiranë në mbështetje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Gjykatën e Hagës, ishte emocionuese dhe e duhur.
Në një intervistë televizive, Spiropali foli për protestën ku morën pjesë shqiptarët nga Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare, teksa u shpreh se, organizatorët e kësaj proteste kishin zgjedhur Tiranën si vend për t’u bashkuar në këtë tubim, pasi Tirana është kryeqendra e shqiptarisë.
“Ishte emocionuese, ishte protesta e duhur dhe ishte një protestë mbarëkomtare, jo e dirigjuar nga fije politike, po për shkak se të gjithë ata që ishin shesh dhe nuk ka rëndësi a janë nga Shqipëria, a janë nga Kosova, a janë nga Maqedonia e Veriut, apo nga Presheva, Mali i Zi, apo shqiptarë të diasporës, se kishte dhe të tillë, janë aty, jo për të ngritur vetëm flamurin e patriotizmit apo folklorizmit, siҫ u tha në disa raste krejt periferike, por sepse bëhet fjalë për një kauzë, e cila shkon në thelb të drejtësisë tonë historike. Dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës as mund të nëpërkëmbet dhe as mund të zhbëhet me një Gjykatë Speciale dhe Dhoma të Specializuara, të cilat sot kanë kaluar si mandatin e tyre, ashtu edhe kanë kaluar tagrin e tyre, por dhe kanë bërë parregullsi të tilla ligjore dhe procedurale, të cilat janë të pafalshme kur bëhet fjalë për luftën e një populli për liri”, tha Spiropali.
Dhe, shtoi ministrja, “janë krejt të pavend diskutimet kush e votoi Gjykatën Speciale, kush e shtyu, kush e propozoi, kush shkoi ta mbështeste, sepse në momentin që është votuar Gjykata Speciale, Dhomat e Specializuara janë bërë vetëm për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare, akuzave gati thriller të përbindshme mbi luftën e Kosovës, por edhe mbi përfshirjen e Shqipërisë. Dhe flas këtu për raportin e 2011-ës të Këshillit e Europës dhe të senatorit Dik Marti që akuzonte si krerët e luftës çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe Shqipërinë si bashkëpunëtore”.
“Dhe ajo Gjykatë Speciale nuk u krijua nga presioni ndërkombëtar, edhe pse duhet të thënë që presioni nuk ishte i vogël, por u krijua me përgjegjësi shtetërore duke dëshmuar Kosova pjekuri shtetërore nga atë kohë, por dhe për t’iu përgjigjur partnerëve që e kërkonin ngritjen e kësaj i gjykate, në mënyrë që të zhbëheshin një herë e mirë akuza të tilla monstruoze”, nënvizoi Spiropali.
Dhe sot, shtoi ministrja, “jemi përpara faktit që 5 vite nga ngritja e akuzës nda ish-presidentit Hashim Thaҫi, ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ne kemi një proces i cili ka kaluar mandatin, ka kaluar afatet, me dëshmi të zbehta, me pretendime të paqena dhe me një proces kryekëput të parregullt, i cili sot ka vënë hijen e dyshimit mbi vetë Gjykatën Ndërkombëtare”.
Dhe, shtoi Spiropali, “ne nuk mund të lejojmë, si komb e them, as fare, as si parti, as si udhëheqës, as të Shqipërisë, as të Kosovës, nuk mund të lejojmë që të përmbysen rolet, dhe në këtë teatër të madh në emër të drejtësisë, viktimat të kthehen në agresorë dhe në kriminelë dhe agresorët të kthehen papritur në viktima”.
E pyetur për marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të Kosovës, Albin Kurti, Spiropali u shpreh se, “të gjitha këto janë dekoracione, kur vjen fjala tek thelbi. Është bërë në Tiranë. Organizatorët e kanë parë të arsyeshme ta bëjnë në Tiranë, sepse Tirana është kryeqyteti i shqiptarisë dhe nuk mund të jepej një mesazh më i fortë sesa Kosova nuk është vetëm dhe nuk është vetëm beteja e ish-luftëtarëve të UҪK-së, por kjo është një ҫështje e historisë së kombit shqiptar”.
“Mund të bëhen dhe në Prishtinë. Duhet të bëhen edhe në Prishtinë, duhet të bëhen në çdo shesh ku ka shqiptarë, duhet të bëhen madje dhe në Hagë dhe nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe nuk duhen analizuar as si përjashtime si njëra-tjetrës”, tha ministrja.
Spiropali u shpreh se, marrëdhënia mes dy shteteve është vëllazërore, përtej deklaratave politike.
Spiropali tha se, “nuk duhen ngatërruar deklaratat partiake me marrëdhëniet ndërshtetërore dhe mbi të gjitha kur marrëdhëniet ndërshtetërore janë vëllazërore”.
“Përtej deklaratave partiake ne sot kemi një raport intensiv mes dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj të Kosovës, sa i takon marrëveshjeve, bashkëpunimit, investimeve në infrastrukturë dhe energjetikë, sa i takon përpjekjeve që bën Shqipëria kudo në MEPJ me trupën tonë diplomatike, në nivelin më të lartë në parlament, kryeministri dhe gjithë të tjerët në dispozicion të përpjekjes së përbashkët për integrimin euroatlantik të Kosovës, për vazhdimin e fushatës për njohjen e Kosovës në organizma ndërkombëtarë dhe për heqjen e barrave të rënda dhe deri diku të pamerituara që Kosova ka sot mbi shpinë”.
Spiropali gjithashtu theksoi se, Shqipëria partneri më i besuar në rajon.
“Shqipëria është sot vendi dhe partneri më i besuar në rajonin tonë, i BE, NATO-s. Sot Shqipëria nuk është më arsye për destabilizim, por arsye e fortë për stabilizim. Nuk njihet më si vend që nuk dihet se çfarë marrëdhënie ka me fqinjët”, tha ministrja.
“Shqipëria sot nuk ka më asnjë kompleks. Është partneri më i besueshëm dhe është në vijën e parë të anëtarësimit në BE”, shtoi më tej Spiropali.
Lidhur me deklaratat nga Lëvizja Vetëvendosje, ku thuhej ndër të tjera se ishte kryeministri Edi Rama ai që mbështeti krijimin e Gjykatës Speciale, Spiropali, u shpreh se, ishin të panevojshme, të papritura dhe jo të mirëpritura.
“I panevojshëm, reagimet politike nuk duhet të ndërhyjnë në raportet Shqipëri-Kosovë. Ajo deklaratë e parë politike ishte e papritur dhe jo e mirëpritur, qytetarët në shesh nuk ishin për Ramën, por për atë që po ndodh në Hagë. Sovraniteti i Kosovës po cenohet edhe për shkak të kësaj gjykate, duhet të jetë proces që bën drejtësi”,
Ajo u shpreh se kreu i qeverisë shqiptare ka mbajtur qëndrime të forta dhe ka ngritur zërin në çdo samit, kur çështja ka qenë për Kosovën, apo për akuzat për krime lufte.
“Mund të merrni deklaratat e kryeministrit në Këshillin e Europës dhe kudo tjetër ku Shqipëria e ka ngritur çështjen e Kosovës dhe me tone të larta. Deklarata, qëndrimet, kosto që ka mbajtur kryeministri për këtë çështje, janë aty për t’u parë. Ai nuk do të ishte në atë protestë, pikërisht për të mos e politizuar”, u shpreh ministrja Spiropali.
Spiropali foli rreth rëndësisë që ka integrimi i Shqipërisë, por tregoi se edhe vetë Evropa ka nevojë për ne.
“Sigurisht që Evropës i duhet integrimi i Ballkanit Perëndimor, dhe ne nuk duhet ta lënë dritaren të mbyllet. Por nuk ka vend që po e shfrytëzon këtë më mirë se Shqipëria. Ballkani Perëndimor nuk është më një periferi e largët.
Sot Evropa ka nevojë të bashkohet dhe integrimi evropian është bashkimi i vërtetë i Evropës. Evropa është zgjuar për potencialin e saj. Shqipëria është një pikë strategjike që Evropës i duhet. Nuk ka vend që po përfiton nga ky moment më shumë sesa Shqipëria. Për ne Evropa nuk është vetëm proces demokratik, por është ëndrra e vjetër dhe mundësia e re”, tha Spiropali.
Burimi ATSH