“Të fshehta jashtë ekranit”

Regjisori Mevlan Shanaj promovon librin e tij. Jeta jashtë ekranit e 50 personaliteteve të kulturës shqiptare.


Nga Dash Frashëri

“Të fshehta jashtë ekranit”

Kështu titullohet libri i aktorit dhe regjisorit të njohur, Mevlan Shanaj, i promovuar dje në ambientet e Restorant “Piazza”, në kryeqytet. Libri është botuar nga Botime “Agora”.

Shanaj, i cili në 2008, u nderua me titullin “Mjeshtri i Madh” nga Presidenti i Republikës, nuk e quan veten shkrimtar, duke e konsideruar edhe librin e tij, një album përshtypjesh njerëzore, që përcjell me dashuri të fshehtat e 50 personazheve të tij, pjesën e panjohur të tyre jashtë ekranit, të aktorëve, regjisorëve, skenaristëve, këngëtarëve, shkrimtarëve, apo të tjerë, me të cilët autori ka bashkëpunuar, duke zbuluar pjesë nga jeta e tyre që publiku nuk i di, por të shkruara me shumë dashuri dhe sinqeritet prej tij.

Poetja e mirënjohur, Natasha Lako, bashkëshortja e tij, tashmë e konsideron Mevlanin “një konkurrent në familje në fushën e letrave”, pasi siç edhe tregoi ajo gjatë promovimit, kishte mbetur e befasuar nga libri i Shanajt, pas leximit, por vetëm ditët e fundit, pasi Mevlani nuk guxonte t’ja tregonte dhe e kishte mbajtur të fshehtë tekstin e plotë të tij, deri në botimin e librit.

Parathënia e librit është shkruar mjeshtërisht nga regjisori Kujtim Çashku, njëherësh edhe një nga personazhet e përzgjedhura nga autori.

Libri është ndarë në tre kapituj kryesorë. Kreu 1: Arti i kinemasë. Kreu 2: Ikona të ekranit shqiptar. Kreu 3: Meditime, reflektime dhe kujtime.

 

“Një libër pa letërsi, një libër pa ditar, një libër me copëza të vërteta nga përjetimet e mia, krejtësisht pa zbukurime! Janë 50 artistë me të cilët kam punuar, dua tu tregoj ndonjë sekret të vogël të artistëve që kanë komunikuar me ju përmbi 50 vjet! Kujtimet për ta kanë udhëtuar brenda meje! Tani do të jenë edhe për ju!” , thotë Shanaj, i cili thekson se prej dikujt ka marrë disiplinën në punën e tij, prej një tjetër fisnikërinë dhe prej dikujt të qenit pozitiv.

“Unë nuk kritikoj. Jap vetëm mendime pozitive”.

Personazhet e përzgjedhur në këtë antologji kujtimesh janë: Lasgush Poradeci, Mihal Stefa, Marie Kraja, Pandi Stillu, Sandër Prosi, Pandi Raidhi, Naim Frashëri, Lekë Kaçaj, Tano Banushi, Stavri Shkurti, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Drita Agolli, Xhanfise Keko, Pirro Mani, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Kristaq Dhamo, Teodo Laço, Dhimitër Anagnosti, Çifti Orgocka (Dhimitri dhe Dhorka), Margarita Kristidhi, Viktor Gjika, Ilia Tërpini, Vaçe Zela, Çifti Luarasi (Mihallaq dhe Edi), Jani Riza, Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, Vangjush Furxhi, Roza (Xhixha) Anagnosti, Niko Kanxheri, Miho Gjini, Kujtim Laro, Bujar Lako, Pali Kuke, Betim Muço, Timo Flloko, Kujtim Çashku, Shpëtim Gina, Yllka Mujo, Gazmend Leka, Fatbardh Marku, Kastriot Çaushi, Stefan Gajo, Rajmonda Bulku, Petrit Malaj, Nasi Lera, Bashkim Hoxha, Përparim Kabo, Muzafer Shkira, Llazi Serbo, Skënder Rusi, Muharrem Fejzo, Modeli “Brando” dhe Roberto Rosselini.

Mevlan Shanaj ka interpretuar në filma si “I teti në bronz”(1970) regjisor Viktor Gjika, “Malet me blerim mbuluar” (1971) regjisor Dhimitër Anagnosti, “Guximtarët” (1970) regjisor Gëzim Erebara, “Rrugicat që kërkonin diell” (1975) regjisor Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) i Piro Milkanit, “Unë e dua Erën” (1991), regjisor Albert Minga, etj. Të tjera realizime të tij si regjisor janë filmat artistikë: “Korrierët” (1976), “Plumba Perandorit” (1980 ), “I “Paharruari” (1984), “Të shoh në sy” (1985), “Një telegram dhe një këngë” (1986), “Fletë të Bardha” (1990), “Lule të kuqe, lule të zeza” (2003), etj, si dhe mbi dhjetë dokumentarë të ndryshëm, përfshirë ato kushtuar aktorëve Ndrekë Luca dhe Rikard Ljarja.

Mevlan Shanaj është një figurë e shquar në kinematografinë shqiptare, si një nga aktorët e nivelit më të lartë, si regjisor në kinema dhe televizion, si prodhues filmash, si skenarist e producent, si autor dhe si profesor në degën e regjisë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë.


***

Në promovimin e librit të regjisorit Shanaj, i cili më 7 shkurt 2025, do të mbushë 80 vjeç, ishin të pranishëm regjisorë, aktorë, njerëz të shtypit e të letërsisë, etj.

Promovimin e moderoi Dr. Milto Kutali, dekani i Fakultetit Skenik në Universitetin e Arteve, dikur një ish-student i pedagogut Mevlan Shanaj.

“Unë do ta falenderoja në mënyrë të veçantë dhe do të bëj çmos që ky libër të bëhet, padyshim, një nga elementët më të rëndësishëm të studimit në Fakultetin e Artit Skenik nga studentët e regjisurës, aktrimit, sidomos ata të degës së filmit që janë pjsë integrale e institucionit tonë”, tha dekani Kutali.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, gazetarja Alda Bardhyli, e vlerësoi librin:

“Ky nuk është thjesht një libër që na çon dhe na tregon vetëm jetët e 50 personalitwteve të njohura të kulturës shqiptare, por një kontribut, besoj shumë i çmuar në historinë e kinemasë shqiptare”

Mevlan Shanaj ka studiuar fillimisht në shkollën e mesme per Mjekësi, dhe pikërisht një studente e mjekësisë, Inisiela Lamaj, lexoi pjesën ku flitej për aktorin Mihal Stefa, i cili në filmin “I teti në bronz”, luan rolin e babait të Ibrahim Kovaçit, i interpretuar nga Mevlan Shanaj, dhe me të cilin ai kishte krijuar një marrëdhënie gati atërore, duke e quajtur “një aktor i madh i karaktereve të vogla”.

Mënyra se si Stefa i dha dy mollët Ibrahimit të plagosur,  mbeti përjetësisht në kujtesën e Mevlanit, i cili e kishte humbur të atin e tij në moshë të hershme. Më pas, aktori Stefa kishte kaluar një jetë shumë të vështirë, veçanërisht në moshën e thyer.

“Me aktorin e madh të karaktereve të vogla kam një lidhje shumë të veçantë! Më kishte goditur interpretimi i tij te “Hamleti” në rolin e varrmihësit! Dhe dihej ajo qetësia vetmia e tij! Më erdhi rasti ta kem pranë në studio gjatë xhirimit të filmt “I teti në bronx”. Unë isha i shtrirë në shtrat i plagosur, sipas skenarit vijnë prindërit natën për të takuar djalin, nga një trajstë leshi nxori dy kokrra mollë duke më qëndruar pranë shtratit. Mënyra e afrimit të tij zgjatja e dorës me ato dy mollë, për mua që nuk kisha njohur një dashuri babai, më dha emocion jo si në film, por si një xhest jete që po e provoja për herë të parë!”, shkruan në libër Mevlan Shanaj.

Muzikanti Agron Xoxa, djali i shkrimtarit të madh Jakov Xoxa, bëri dhe një analizë se si ai e shikonte librin e Shanajt, duke vënë theksin te detajet.

“Pjesët e veçanta, të shprehura në mënyrë shumë të detajuar dhe shumë artistike, i përngjajnë një simfonie muzikore. Dhe ky libër ka diçka të tillë. Mevlani paraqitetet si një skalitës i figurës artistike”, tha ndër të tjera Xoxa.

Vetë Mevlani e shpjegoi me shumë sportivitet, pse e zgjodhi datën 7 dhe veshjen e tij me kostum. (“Një problem jo i vogël për mua”, tha ai).

Gjithashtu, Mevlani shkëmbeu edhe batuta me aktorin tjetër të madh, Timo Flloko, me të cilin ka qenë shoku kursi në Institutin e Arteve.

“Të fshehta jashtë ekranit” unë e kam quajtur një memorial artistik. Unë nuk jam shkrimtar. Jam regjisor, aktor, por sjell tek ky libër bashkëudhëtimin tim me 50 artistë në mbi 50 vite të jetës sime artistike. Me këta artistë kam udhëtuar dhe këto kanë qenë impresionet brenda meje personale. Vendosa që t’ia tregoj edhe adhuruesve të këtyre artistëve.

Është e tërë jeta ime në këtë libër, që në daljen e parë në film, që nisa me rol në vitin 1969 e deri më sot. Ky është një libër ku bashkëpunëtorët e mi kanë lënë shenja në kujtesën time. Unë nuk marr përsipër që të analizoj dhe të bëj shkrime kritike, por është një lloj fotografimi i kujtimeve gjatë bashkëpunimit tim me këta artistë të shquar ndër vite”, thotë autori Mevlan Shanaj.

Aktori Timo Flloko, personazh i librit, tregoi kujtime nga miqësia e tij me Mevlan Shanajn, të cilin e quajti një “guru” për këshillat e pjekura që ai i jepte kur ata ishin studentë dhe karakterin pozitiv të Mevlanin.

Edhe aktori Kastriot Çaushi solli kujtimet e tij, kur ai ishte student i Mevlan Shanajt, gati 50 vjet më parë, si dhe rolin e tij të parë, atë Vasil Laçit, te filmi “Plumba Perandorit”, me regjisor po Mevlan Shanajn.

“Bashkëpunimi i parë, i vërtetë me Mevlanin, me Palin (Kuke), Bardhin (Farbardh Markun), ishte filmi “Plumba Perandori”. Natyrisht, që ishte një ndjesi e jashtëzakonshme. Kisha mbi supet e mia të njomë një peshë të tillë, por kurajoja që më dhanë për personazhin kryesor, Mevlani, Pali, ishte rezultat i atij filmi që nuk mund të harrohet”, tha aktori Kastriot Çaushi.

Ish-Rektori i Universitetit të Arteve e vlerësoi Shanajn si njeri të madh, por edhe të ditur.

Edhe Shaqir Rexhvelaj, me të cilin Mevlan Shanaj ka punuar në RadioTelevizioni Shqiptar, solli kujtimet e tij.

Promovimi më pas vazhdoi me ritualin e autografëve nga autori.

Bashkëshortja Natasha Lako, aktorët Timo Flloko dhe Rajmond Bulku dhe shkrimtari Bashkim Hoxha dhanë opinionet e tyre për televizionet e pranishme.

“Ky libër flet në një mënyrë tjetër për personalitetet e artit, jo vetëm për impresionet që ka Mevlani në bashkëpunimin me ta, por përpiqet të zbulojë përtej tyre disa gjëra që publiku akoma nuk i njeh, përtej personazheve që ata kanë gjetuer në skenë, e atyre që kanë shkruar, domethënë Mevlani gjen një gjë interesante. Por, ky libër ka më me vlerë një gjë tjetër. Ky libër rezaton energji pozitive, ka një frymë pozitiviteti në mënyrën se si e shikon këtë marrëdhënie Mevlani dhe kjo rezaton atë energji që ka vetë Mevlani”, thotë shkrimtari i njohur, Bashkim Hoxha, një nga 50 personazhet e librit “Të fshehta jashtë ekranit”.

_________________________
Tiranë, më 8 nëntor 2024

Sfidat e sigurisë, zhvillohet në Tiranë Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5)

Iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut është një nismë diplomatike që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sfidat e sigurisë, zhvillohet në Tiranë Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5)

Iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut është një nismë diplomatike që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor