
Shqipëria i bashkohet Marrëveshjeve Artemis të NASA-s
Me këtë nënshkrim, Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet Marrëveshjeve Artemis.

Republika e Shqipërisë do të nënshkruajë Marrëveshjet Artemis gjatë një ceremonie që do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në selinë e NASA-s në Uashington.
Me këtë nënshkrim, Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet Marrëveshjeve Artemis.
Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, do të presë në ceremoni, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ervin Bushati, së bashku me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Kjo ngjarje do të zhvillohet vetëm me pjesëmarrje fizike.
Në vitin 2020, gjatë administratës së parë të Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e NASA-s dhe Departamentit amerikan të Shtetit, u bashkuan me shtatë vende të tjera themeluese, për të krijuar Marrëveshjet Artemis, në përgjigje të interesit në rritje të qeverive dhe kompanive private për aktivitetet në Hënë.
Marrëveshjet Artemis përcaktuan grupin e parë të parimeve praktike, që synojnë rritjen e sigurisë, transparencës dhe koordinimit në eksplorimin civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë.
Parimet për një të ardhme të sigurt, paqësore dhe të qëndrueshme në hapësirë
NASA, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit dhe shtatë vendet e tjera që ishin nënshkruesit fillestarë, krijoi Marrëveshjet Artemis në vitin 2020.
Ndërsa gjithnjë e më shumë vende dhe kompani private po kryejnë misione dhe operacione rreth Hënës, Marrëveshjet Artemis përcaktojnë një grup të përbashkët parimesh, për të përmirësuar mënyrën se si drejtohet dhe organizohet eksplorimi dhe përdorimi civil i hapësirës.
Marrëveshjet Artemis rikonfirmojnë angazhimin e vendeve nënshkruese ndaj Traktatit për Hapësirën e Jashtme, Konventës për Regjistrimin e Objekteve Hapësinore, Marrëveshjes për Shpëtimin dhe Kthimin e Astronautëve, si dhe ndaj praktikave dhe normave për sjellje të përgjegjshme gjatë eksplorimit dhe përdorimit civil të hapësirës.
Qëllime paqësore
Bashkëpunimi ndërkombëtar në hapësirë nuk synon vetëm të nxisë eksplorimin hapësinor, por edhe të forcojë marrëdhëniet paqësore mes vendeve.
Për këtë arsye, një nga parimet themelore të Marrëveshjeve Artemis, është që aktivitetet e përbashkëta të zhvillohen vetëm për qëllime paqësore, në përputhje me Traktatin për Hapësirën e Jashtme.
Transparenca
Transparenca është një parim i rëndësishëm për eksplorimin civil dhe të përgjegjshëm të hapësirës. NASA ka bërë gjithmonë përpjekje që politikat dhe planet e saj të bëhen publike.
Vendet që nënshkruajnë Marrëveshjet Artemis angazhohen të respektojnë këtë parim, duke publikuar gjerësisht informacion mbi politikat e tyre kombëtare për hapësirën dhe planet për eksplorimin hapësinor.
Përshtatshmëria e sistemeve
Fakti që sistemet e ndryshme hapësinore mund të funksionojnë së bashku, është thelbësor për të garantuar eksplorim të sigurt dhe të qëndrueshëm të hapësirës.
Për këtë arsye, vendet nënshkruese angazhohen të bëjnë përpjekje të arsyeshme, për të përdorur standardet ekzistuese që mundësojnë funksionimin e përbashkët të sistemeve, të zhvillojnë standarde të reja kur është e nevojshme dhe t’i zbatojnë ato.
Ndihma në raste emergjente
Dhënia e ndihmës në raste emergjencash për personat që ndodhen në rrezik, është një nga parimet themelore të një programi civil dhe të përgjegjshëm hapësinor.
Për këtë arsye, vendet nënshkruese angazhohen të bëjnë çdo përpjekje të arsyeshme, për t’u dhënë ndihmën e nevojshme astronautëve që ndodhen në vështirësi.
Ato gjithashtu rikonfirmojnë detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes për Shpëtimin dhe Kthimin e Astronautëve.
Regjistrimi i objekteve hapësinore
Regjistrimi i objekteve hapësinore është një element themelor për rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së aktiviteteve në hapësirë.
Regjistrimi i duhur i këtyre objekteve mund të ndihmojë vendet të konsultohen dhe të koordinohen me njëra-tjetrën, kur është e nevojshme, për të shmangur ndërhyrjet e dëmshme mes aktiviteteve të ndryshme.
Marrëveshjet Artemis theksojnë rëndësinë e regjistrimit dhe vendet nënshkruese angazhohen të koordinohen për regjistrimin e objekteve hapësinore, që përdoren në aktivitetet e përbashkëta.
Publikimi i të dhënave shkencore
NASA ka pasur gjithmonë si parim ndarjen në kohë, të plotë dhe të hapur të të dhënave shkencore.
Vendet nënshkruese të Marrëveshjeve Artemis angazhohen të ndajnë hapur të dhënat shkencore dhe planifikojnë t’i bëjnë publike rezultatet e kërkimeve, në mënyrë që njerëzit në mbarë botën të përfitojnë nga procesi i eksplorimit dhe zbulimit.
Ruajtja e trashëgimisë në hapësirë
Ruajtja e vendeve dhe objekteve me rëndësi historike do të jetë po aq e rëndësishme në hapësirë sa edhe në Tokë.
Në kuadër të Marrëveshjeve Artemis, vendet nënshkruese synojnë të ruajnë trashëgiminë hapësinore, përfshirë vendet dhe objektet me rëndësi historike.
Burimet hapësinore
Mundësia për të nxjerrë dhe përdorur burime nga Hëna, Marsi dhe asteroidët konsiderohet e rëndësishme për të mbështetur eksplorimin dhe zhvillimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të hapësirës.
Marrëveshjet Artemis theksojnë se nxjerrja dhe përdorimi i burimeve hapësinore, mund dhe duhet të bëhet në përputhje me Traktatin për Hapësirën e Jashtme dhe në mënyrë që të mbështesë aktivitete të sigurta dhe të qëndrueshme në hapësirë.
Shmangia e konflikteve mes aktiviteteve hapësinore
Marrëveshjet Artemis përcaktojnë gjithashtu mënyrën se si do të zbatohen në praktikë disa nga detyrimet e rëndësishme të Traktatit për Hapësirën e Jashtme, përfshirë detyrimin për të respektuar aktivitetet e vendeve të tjera dhe për të shmangur ndërhyrjet e dëmshme.
Vendet nënshkruese do të publikojnë informacion mbi vendndodhjen dhe natyrën e përgjithshme të operacioneve që kryejnë në hapësirë.
Ato angazhohen gjithashtu të shmangin veprimet e qëllimshme, që mund të shkaktojnë ndërhyrje të dëmshme në aktivitetet e vendeve të tjera.
Për këtë qëllim parashikohen të ashtuquajturat “zona sigurie”, brenda të cilave vendet nënshkruese, synojnë të njoftojnë për aktivitetet e tyre dhe të koordinohen për të shmangur ndërhyrjet e dëmshme.
Madhësia, shtrirja dhe kohëzgjatja e këtyre zonave të sigurisë, do të përcaktohen në varësi të natyrës së operacioneve që zhvillohen, duke u bazuar në parime shkencore dhe inxhinierike.
Zonat e sigurisë do të jenë të përkohshme dhe do të mbyllen kur të përfundojë operacioni përkatës.
Në përdorimin e këtyre zonave, vendet nënshkruese angazhohen të respektojnë parimin e aksesit të lirë në hapësirë, të përcaktuar në Traktatin për Hapësirën e Jashtme, si dhe parimin e respektimit të aktiviteteve të vendeve të tjera.
Mbetjet hapësinore
Marrëveshjet Artemis përfshijnë gjithashtu parime që lidhen me mbetjet hapësinore, objektet dhe pjesët e mbetura në orbitë pas përdorimit të satelitëve, raketave ose pajisjeve të tjera hapësinore.
(Marrë nga ATSH)



















