
Rama: Shqipëria angazhon 6 milionë dollarë për përshpejtimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm
Kryeministri Edi Rama rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për Agjendën 2030 dhe integrimin në Bashkimin Europian, duke i cilësuar si pjesë të një procesi të vetëm transformimi.

Kryeministri Edi Rama rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për Agjendën 2030 dhe integrimin në Bashkimin Europian, duke i cilësuar si pjesë të një procesi të vetëm transformimi.
Në një videomesazh në kuadër të Momentit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2026, Rama tha se që nga viti 2018 varfëria ka rënë nga 23,7% në 19%, ndërsa vdekshmëria foshnjore është përgjysmuar dhe mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen online.
“Pothuajse e gjithë energjia elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa gratë përfaqësojnë 35% të Kuvendit dhe afro 50% të kabinetit qeveritar”, deklaroi Rama.
Sipas tij, Shqipëria renditet e 44-ta në nivel global në Indeksin e SDG-ve për vitin 2026.
Për përshpejtimin e këtij transformimi, Rama bëri të ditur se Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë amerikanë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve, me fokus te mbrojtja e fëmijëve, përgatitja e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimi i komuniteteve lokale dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Rama njoftoi gjithashtu se Shqipëria ka nënshkruar Kuadrin e ri të Bashkëpunimit me OKB-në për periudhën 2027–2031, me synim garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
“Me synimin për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, pa lënë askënd pas”, deklaroi Rama.
Burimi ATSH


















