Aubrey Herbert, diplomati anglez që ndihmoi Shqipërinë në Konferencën e Londrës

Koloneli Aubrey Herbert me ndihmën e paçmuar ndaj delegacionit tonë në Londër në vitet 1913-1914


Nga Zylyftar Hoxha, gazetar dhe publicist

Megjithëse kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm, nga shumë diplomatë dhe albanologë, miq e dashamirë të huaj për Shqipërinë, në fillim koloneli Aubrey Herbert me ndihmën e paçmuar ndaj delegacionit tonë në Londër në vitet 1913-1914 dhe në të tjera çështje shqiptare dhe, më pas, pas vdekjes së tij, e ëma e tij ledi Carnarvon, e cila, si një misionare e shquar niveli botëror, asistoi dhe ndihmoi muhaxhirët kosovarë që erdhën në Shqipëri gjatë viteve 1923-1929, financoi me fondet e veta spitale e qendra shëndetësore, hapi një qendër të madhe kulture me një bibliotekë të pasur në Tiranë, fatkeqësisht sot pothuajse janë harruar nga shqiptarët.

Fshati me 50 shtëpi kosovare që ngriti kontesha Carnarvon në Kavajë dhe që ajo i vuri emrin e të birit, Herbert, si duket nuk i rezistoi kohës, dhe tani thirret Qerret; qendra kulturore dhe biblioteka “Carnarvon”, në ish- godinën e kinema “Agimit”, u grabit dhe u shkatërrua gjatë luftës, ndërsa tani, së fundmi, është shndërruar në “shesh ndërtimi” për gratacielin e radhës; dy rrugëve, rrugës “Carnarvon” dhe rrugës “Herbert” iu është ndryshuar dy herë emri, në fillim me “Punëtorët e Rilindjes” dhe më pas me emrin rruga “Xhorxh Bush”.

I vetmi vlerësim për familjen fisnike Herbert-Carnarvon, është dekorata më e lartë e kohës, ”Oficere e Madhe e Urdhrit të Skënderbeut”, e dhënë me dekret mbretëror më 12 maj 1929, dhe më pas agjë tjetër.

Desh harruam, ka diçka të re që tregon vëmendje, por kjo është nga ana angleze: jo shumë vite më parë Parlamenti Anglez botoi librin “Miku më i madh i Shqiptarëve Sir Aubrey Herbert” (Albania’s Greatest Friend) që përmban shënime, ditare, artikuj të Herbert, libër tepër interesant në shumë kuptime që është përkthyer edhe në shqip.

Kush është Aubrey Herbert 

Sir Aubrey Herbert (1880-1923) kishte prejardhje të aristokrate angleze, me mbi 15 000 hektarë tokë, prejardhje që nuk e pengoi atë të bëhet një njeri me famë, aktiv në jetën politike të vendit dhe në atë botërore.

Karrierën e filloi si diplomat dhe vazhdoi të shërbente si oficer ushtarak në Irish Guards, kurse më vonë shërbeu 12 vite deputet i Parlamentit Britanik nga radhët e Partisë Konservative.

Në vitin 1904 Herbert filloi punën e atasheut të nderit në Stamboll dhe nga ky moment e deri në vdekje (1923) ai nuk iu nda aktiviteti të tij për promovim të nacionalizmit shqiptar. Herbert ishte i rëndësishëm edhe në jetën britanike. Figura e tij hyri në amshim letrar me anë të personazhit të Sandy Arbuthnotit, në serinë e novelave Greenmantle të autorit John Buchanan. Aubrey Herbert, diplomat, udhëtar, oficer zbulimi, studiues, poliglot, politikan – mik i shqiptarëve, dy herë iu ofrua froni i Shqipërisë, por konjukturat politike bënë të mos i pranonte.

Ai u bë nxitës i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë, pasi vizitoi vendin për herë të parë në vitin 1907. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u bë mik i Esad Pashës. Kur delegatët shqiptarë shkuan në Konferencën e Londrës 1912-1913 ata gjetën ndihmën e Herbertit si këshilltar.

Një nga personat me të cilët Aubrey Herbert mbajti kontakte të vazhdueshme ishte albanologia Edith Durham.

Herbert kishte ngritur më 1912 një shoqëri filo-shqiptare, me parlamentarë, dijetarë dhe gazetarë, për të kontribuar për pavarësinë e Shqipërisë.

Sir Herbert ndërroi jetë në moshën 43-vjeçare në vitin 1923 dhe misionin e tij në Shqipëri e vazhdoi kontesha Carnarvon. Në kujtim të të birit ajo organizoi Komitetin shqiptaro-britanik në ndihmë të refugjatëve nga Kosova që i strehuan në fshatin afër Kavajës që mori emrin Herbert, sot Qerret, si dhe disa fshatra në Myzeqe, që edhe sot janë me banorë me origjinë kosovare dhe serbo-boshnjake. Aty hapën shkollën, luftuan malarien, ngritën ambulanca me mjekime dhe barna falas etj. Aubrey Herbert ishte edhe poet.

Në vitin 1926 Mit’hat Frashëri shkruante për kontributin e familjes aristokrate angleze në Shqipëri: “Mirënjohja nuk është vetëm një cilësi që i ushqen, i shton virtytin njeriut, po është edhe një detyrë. Janë do njerëz vepra dhe ndihma e të cilëve, vlen një ushtri të tërë. Kështu qe për ne shqiptarët i ndjeri Aubrey Herbert.”

Siç ka ndodhur edhe me të tjerë, por më tepër me Erbert është bërë një padrejtësi e madhe, duke e lënë atë në harresë një njeri që gjatë lindjes së shtetit të ri shqiptar, më 1912, kishte punuar aq shumë, sa imagjinata e shumicës së shqiptarëve të sotëm nuk e rrok dot.

Emri dhe veprat e mikut më të madh të Shqipërisë vlen më shumë se një përmendore, më shumë se një emër institucioni apo rruge, mbi të gjitha, mirënjohje historike.

Mik i shqiptarëve të shquar

 Herbert ka qenë një nga miqtë më të afërt dhe më të sinqertë të shqiptarëve dhe veçanërisht i figurave të shquara të kombit tonë si Ismail Qemali, Mithat Frashëri, Dhimitër Berati, Pandeli Vangjeli, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet Konica, Faik Konica, Çarles Telford Erikson etj.

Ai deri në vdekje punoi pa pushuar për çështjen shqiptare dhe për pranimin e saj në qarqet politike e diplomatike britanike ku kërkohej zgjidhja adekuate. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë mik më të madh se Abrey Herbert. Edhe pse nga shtresat e pasura, ai ishte i përulur ndaj shqiptarëve.

Shtëpia e kolonelit Aubrey Herbet ruhet edhe sot siç ishte në atë kohë, kur ai ndërroi jetë në vitin 1923.

Në shtëpinë e Herbertit, në të cilën për ditë me radhë bujti Isa Boletini, edhe sot gjënden fotografi, kostume dhe relike që kanë të bëjnë me lidhjet e tij me popullin shqiptar.

“Fol mirë për Shqipërinë”!

Lidhja me Shqipërinë qe e rastit, por e fortë dhe e qëndrueshme deri në vdekje. Qazim Kukeli, një shqiptar nga Dibra, ishte shërbëtori në ambasadën britanike në Stamboll. Qazimi është shkaku që Herbert hyri në botën e komplikuar shqiptare, që nga dita e parë që u takuan.

Qazim Kukeli, siç përshkruhet nga Abrey Herbert, ishte një njeri impozant në të gjitha pikëpamjet, të cilit vështirë se i gjendet shoku edhe në filmat më epikë të Holivudit. Në ditarin e Herbertit, Qazimi zë një vend të rëndësishëm.

Qazimi do ta shoqëronte  “zotëriun” e tij anglez gjatë tërë qëndrimit në Stamboll, udhëtimeve në Ballkan, në vende tjera, e deri në Britani të Madhe. Qazim Kukeli ishte ndihmë shumë e madhe në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të Herbertit.

I mrekulluar për këtë, Herbert një ditë e kishte pyetur Qazimin se ç’ka mund të bënte për të si shpërblim. Asgjë për mua. Fol mirë për Shqipërinë kur të jepet rasti,  i ishte përgjigjur Qazim Kukeli.

Dhe, Herbert e bëri këtë punë duke lobuar gjatë tërë jetës së tij për Shqipërinë.

 

Aktiviteti i Herbert për vendin tonë

 Për të mbrojtur çështjen shqiptare Herbert ngriti në Londër një komitet, qëllimi i të cilit ishte të ndikonte te Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve që do të mbahej në Londër.

Që në fillim të punës, përfshiu 12 anëtarë nga deputetët e Parlamentit Britanik, dy funksionarë të lartë qeveritarë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeshefin e rabinëve dhe shumë dinjitarë tjerë. Puna rreth krijimit dhe vendosjes së kufijve të Shqipërisë do të shkonte edhe më keq sikur të mungonte ndikimi i Komitetit në krye me Aubrey Herbertin.

Komiteti ishte pritës dhe organizator i delegacionit shqiptar që erdhi në Londër në janar të vitit 1913 në përbërje të të cilit ishin Mehmet bej Konica, Rashit bej Dino dhe Filip Noga. Pasi që qeveria e Shqipërisë ende nuk njihej ndërkombëtarisht, ndihma e Herbertit dhe e Komitetit që i ofroi delegacionit ishte e madhe.

Ndihmë e pakrahasueshme u ofrua edhe gjatë punëve të Konferencës së Ambasadorëve, kur në Londër (29 prill 1913) erdhi delegacioni i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Delegacioni kryesohej nga Ismail bej Qemali dhe shoqërohej edhe nga Isa bej Boletini, të cilin shtypi dhe opinioni britanik e njihte si udhëheqësi i gueriles shqiptare të Kosovës që në Qeverinë e Vlorës kishte marrë funksionin e komandantit të Milicisë Kombëtare të Shqipërisë.

Aubrey Herbert mbi shqiptarët

“Shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë adhurues të zjarrtë të truallit dhe shkëmbinjve të tyre, dhe mënyra e tyre e jetesës qe ndërtuar mbi to. Qe një sistem i vështirë, por u shkonte njerëzve për shtat; çdo njeri qe polic i aftë i vetvetes dhe hakmarrja ka qenë kodi i tyre i pranuar. Atë që Europa do ta kishte cilësuar si hakmarrje, ata e kanë quajtur drejtësi.

Nga pikëpamja e vendeve të qytetëruara, Shqipëria qe një vend pa ligje, por krimet më të ulëta që njollosin kronikat e gjykatave penale të Europës Perëndimore qenë të rralla.

Mbi Kodin shqiptar mund të thuheshin shumë gjëra. Edhe pse nuk kishte hekurudha, kalorësia e Mesjetës vazhdonte të ekzistonte.”

 

***

Biblioteka “Carnarvon”

Një dhuratë e çmuar angleze për shqiptarët

Aty ku dikur ka qenë kinema “Ali Demi” dhe ku një ndërtesë nga ato të të sotmet, mëdhatë, nuk kanë lënë asnjë gjurmë të vjetër ka qenë “Biblioteka Carnarvon”, e ndërtuar në vitin 1928 dhe e përuruar më 1929, si dhuratë e familjes së lordëve (Earls) anglezë Herbert dhe personalisht e bamirëses së madhe filoshqiptare konteshës Carnarvon, e quajtur nga vetë shqiptarët “Nëna e shqiptarëve” dhe e dekoruar me Urdhrin Skënderbe më 1929.

Kjo bibliotekë i përkushtohej të birit, mikut të madh të Shqipërisë, avokatit dhe mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve Sir Aubrey Herbert (1880-1923).

Biblioteka arriti në një  koleksion prej 5.000 librash në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë klasike etj., u shndërrua për Tiranën në bibliotekën e dytë të rëndësishme pas asaj Kombëtare.

Biblioteka kishte një sallë të madhe leximi, 26 sergjenë për libra me 7 dollapë secili.

Në sallë ndodhej edhe një oxhak me portretin e Aubrey Herbert, gdhendur në gur. Kontesha Carnarvon e kishte zgjedhur këtë vend nën kurorën e dendur të ullinjve si kult në kujtim të të birit, por fatkeqësisht, ndërroi jetë pak ditë para inaugurimit.

 

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.

Global 360

Përqafimi i paqes i Papa Franceskut me një palestinez dhe një izraelit

Duartrokitje të mëdha nga e gjithë Arena e Veronas, në këmbë të gjithë pas përqafimit të Papa Françeskut me dy…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.