
Konferenca VIII Ndërqeveritare, Shqipëria në fazën e mbylljes së negociatave me BE
Konferenca VIII Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, që do të mbahet në Bruksel më 26 maj 2026, i hap rrugën fazës së mbylljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian

Shqipëria hyn në fazën e re të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Konferenca VIII Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, që do të mbahet në Bruksel më 26 maj 2026, i hap rrugën fazës së mbylljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian
Agjencia për Media dhe Informim njoftoi mbi vendimin e miratuar sot nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) për mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian.
Sipas këtij vendimi konfirmohet plotësimi i kushteve të ndërmjetme në Grupkapitullin “Themeloret”, si dhe përcaktohen kushtet për mbylljen e negociatave për anëtarësim, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Mbajtja e Konferencës VIII Ndërqeveritare hap zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm në ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të procesit të negociatave për anëtarësim, të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.
Ky vendim vlerëson progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, si dhe në funksionimin e pavarur, efikas e integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu, ky vendim vlerëson progresin në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të medias, të drejtën e pronës, respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, barazinë dhe mosdiskriminimin, në përputhje me standardet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Vendimi i sotëm rikonfirmon mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerëson angazhimin e institucioneve shqiptare në zbatimin e reformave transformuese, për forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.
“Shqipëria, e mbështetur në progresin e deritanishëm dhe e udhëhequr nga një vizion i qartë evropian, mbetet e vendosur të thellojë reformat dhe rezultatet në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar, të Grupkapitullit “Themeloret” dhe më gjerë, dhe të ecë me ritëm të qëndrueshëm në plotësimin e kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, brenda kësaj dekade. Ky është projekti madhor kombëtar i transformimit evropian të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Agjencisë për Media dhe Informim.
Marrë nga ATSH

















