Flamuri shqiptar në kryeveprën italiane “Kryqëzimi”, të vitit 1501

Mjeshtri Michele di Verona e pikturoi flamurin arbëror si homazh për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj ushtrisë otomane

Nga Dr. Bledar Kurti
 
Kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona (1470-1544) e cila gjendet në muzeun Pinacoteca di Brera në Milano, ka një rëndësi të veçantë artistike por edhe historike mbi shqiptarinë. 
 
Vepra është e bazuar mbi ngjarjen e kryqëzimit të Krishtit siç përshkruhet në Bibël, por, në të djathtë të Krishtit të kryqëzuar valëvitet flamuri kuq e zi i Gjergj Kastriotit, me shqiponjën dy krenare. 


 
Siç dihet ndër dy mijëvjeçarë ngjarja ndodhi në Golgotë (hebraisht për Kafkë), në dalje të Jeruzalemit, ku Krishti u kryqëzua me dy vjedhës në krahë të tij, dhe flamuri i Kastriotit nuk ishte formësuar ende, kësisoj përfshirja e flamurit kuq e zi me shqipen dykrenare është element simbolik e jo historik, pavarësisht spekullimeve që është simbol pagan para erës së re, e për më tepër dallohet lehtësisht që peizazhi ose sfondi i veprës përbëhet nga kodrat e Veronës e jo Jeruzalemit. Ndaj shtrohet pyetja përse ky homazh i artistit për Arbërinë?
 
Mjeshtri Michele di Verona e pikturoi flamurin arbëror si homazh për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj ushtrisë otomane, figurës madhështore të Gjergj Kastriotit, të cilin Evropa e konsideronte Kalorës të Krishtërimit, dhe në veçanti të ngjarjes së 25 prillit 1479, të martirizimit të banorëve të Shkodrës gjatë rrethimit të qytetit nga ushtria otomane.
 
Beteja për pushtimin e Shkodrës rezultoi në barbarizëm pasi shumë njerëz u vranë e u sakatuan në mënyrë çnjerëzore. Ata u torturuan e iu pre koka njësoj siç kish ndodhur më parë me luftëtarët arbër dhe njerëzit e thjeshtë në Krujë, Lezhë, Drisht dhe në afërsi të Durrësit.
 
Ata banorë të Shkodrës të cilët arritën të mbijetonin u shpërngulën Venedik ku rrëfyen tragjedinë që kishin përjetuar, duke prekur kështu zemrat e banorëve venedikas, ndër ta edhe shumë prej artistëve, përfshirë edhe Michele da Verona i cili në atë kohë ishte fëmijë nëntë a dhjetë vjeçar, por ajo histori tragjike e shoqëroi gjatë të gjithë jetës duke e përjetësuar kështu në kryeveprat që do krijonte më vonë.


 
Siç shihet në tablo, flamuri i Kastriotit zë vend të rëndësishëm në kompozim, dhe e kuqja flakëron në sytë e shikuesit duke simbolizuar edhe vetë gjakun e Krishtit.  

Por pozicionimi i flamurit përbri njërit prej vjedhësve që u kryqëzuan bashkë me Krishtin është tejet domethënës pasi ndodhet te vjedhësi në të djathtë të Krishtit, ai i cili u pendua në kryq, i njohur si Vjedhësi i Mirë. Te Ungjilli Sipas Lukës 23:43 thuhet: Atëherë Jezusi i tha (vjedhësit) “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Si në traditën e krishterë katolike romake ashtu edhe atë orthodokse, Vjedhësi i Mirë është konsideruar si shenjtor, për këtë arsye, në kontekstin e veprës ajo që artisti po shprehte ishte se martirët shkodranë e arbërorë ishin në parajsë me Krishtin, ata kishin arritur shenjtërimin, ndaj edhe fytyra e Jezusit të kryqëzuar është e drejtuar djathtas për nga flamuri i arbërit dhe shenjtori.


Qarkullojnë shumë teza mbi origjinën e flamurit me shqiponjën dy krenare. Është fakt historik që ky simbol daton që nga qytetërimi sumer, perandoria romake dhe bizantine, etj, por duhet theksuar që stilistika e formës dhe siluetës së shqiponjës së Gjergj Kastriotit, dhe ngjyra e kuqe e flaktë e fushës së flamurit janë tërësisht shqiptare, e sado të përafërta me emblemat e disa vendeve të tjera, si në mesjetë ashtu edhe gjer më sot, janë unike shqiptare.

Vepra madhështore “Kryqëzimi”, nga artisti i Rilindjes italiane, Michele da Verona, do të mbetet një homazh dhe ilustrim pamor i një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë, e nëse shihet së bashku me të gjitha kryeveprat botërore që përmbajnë elementë shqiptarë ne do kemi një panoramë më të qartë të vlerave dhe pasurisë sonë të çmuar historike e kombëtare.

Ministrja Sala jep dorëheqjen: Shkak, angazhimet ndërkombëtare në onkologji dhe inovacion

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala njoftoi sot dorëheqjen nga ky post për shkak të angazhimeve ndërkombëtare në…

Global 360

Bekim Sejdiu, kandidati i LVV-së dhe LDK-së për president të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës kanë arritur marrëveshje për kandidatin për president të Kosovës dhe ai do të…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Ministrja Sala jep dorëheqjen: Shkak, angazhimet ndërkombëtare në onkologji dhe inovacion

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala njoftoi sot dorëheqjen nga ky post për shkak të angazhimeve ndërkombëtare në…