
Begaj: Integriteti dhe profesionalizmi i magjistratëve, kyç për konsolidimin e drejtësisë
Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës.

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës.
Përpara brezit të ri të magjistratëve, Kreu i Shtetit vlerësoi se integriteti dhe profesionalizmi i tyre do të përcaktojnë suksesin e drejtësisë së reformuar në këtë fazë vendimtare të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Brezi juaj ka një përparësi historike. Ju po hyni në sistemin e drejtësisë që reforma ndërtoi. Kjo vjen edhe me një përgjegjësi të shtuar. Me integritetin dhe profesionalizmin tuaj, ju do të bëni që ky sistem të funksionojë me efektivitet”, u shpreh Begaj.
Presidenti theksoi se Shkolla e Magjistraturës përfaqëson nivelin më të lartë të formimit juridik, ndërsa nënvizoi se besimi i publikut mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon sistemi i drejtësisë.
“Aseti më i çmuar i drejtësisë, që duhet fituar, është besimi. Besimi se çdo individ do të dëgjohet, se çdo pretendim do të shqyrtohet me paanshmëri dhe se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë. Po ashtu besimi se pushteti i drejtësisë do të ushtrohet me përulësinë dhe përgjegjësinë që kërkon shteti i së drejtës”, u shpreh Begaj.
Duke u ndalur tek ecuria e reformës në drejtësi, Presidenti vlerësoi konsolidimin e institucioneve, duke theksuar se drejtësia është në fazën e rezultateve të prekshme.
“Procesi i vetingut ka përfunduar, institucionet e reja të drejtësisë janë formuar, ndërsa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bashkë me gjykatat e posaçme, kanë krijuar një realitet të ri në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Hetimi dhe gjykimi i personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror nuk është më diçka e pamundur. Kjo është një arritje kyçe, një arritje kyçe për shtetin e së drejtës, për Shqipërinë. Drejtësia shqiptare ka hyrë tashmë në një fazë të re: nga reforma, te konsolidimi; nga ngritja e institucioneve, te funksionimi i tyre; nga pritshmëritë, te rezultatet”, u shpreh ai.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, si një nga kolonat themelore të shtetit të së drejtës.
“Pavarësia e drejtësisë nënkupton një pushtet të pavarur nga pushtetet e tjera, një drejtësi të pandikuar nga çdo interes, një drejtësi që i nënshtrohet vetëm ligjit dhe askujt tjetër”, tha Begaj.
Përballë sfidave të integrimit evropian, Presidenti Begaj theksoi se drejtësia mbetet një nga fushat më të rëndësishme për përmbushjen e standardeve.
“Një prej tyre mbetet nevoja për të siguruar një drejtësi jo vetëm të drejtë, por edhe në kohë. Sfida jonë është që cilësia e vendimmarrjes dhe efektiviteti të mos shihen si objektiva konkurruese, por si vlera që ecin së bashku. Gjithashtu, pavarësia e sistemit gjyqësor kërkon të ndërtohen njëkohësisht marrëdhënie institucionale të shëndetshme me pushtetet e tjera. Në një demokraci moderne, institucionet nuk janë të izoluara nga njëra-tjetra. Ato bashkëpunojnë, secila brenda kompetencave të veta, duke respektuar ndarjen dhe balancën e pushteteve. Pikërisht ky ekuilibër kërkon profesionalizëm, maturi dhe kulturë të gjerë dhe të fortë kushtetuese”, u shpreh Presidenti.
Në mesazhin përmbyllës drejtuar magjistratëve të rinj, Begaj i ftoi të ushtrojnë misionin e tyre me integritet, kurajë dhe përkushtim, në shërbim të drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe qytetarëve.
Burimi ATSH


















