
Ilir Panda zgjidhet kryetar i ri i Gjykatës së Lartë
Ilir Panda, i cili ishte i vetëm në garë, zëvendëson në këtë pozicion Sokol Sadushin, mandati i të cilit ka përfunduar

Ilir Panda u zgjodh sot kryetar i ri i Gjykatës së Lartë.
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë e zgjodhi Pandën me 14 vota pro dhe asnjë kundër.
Ilir Panda e merr detyrën në datë 19 tetor 2026.
Ilir Panda, i cili ishte i vetëm në garë, zëvendëson në këtë pozicion Sokol Sadushin, mandati i të cilit ka përfunduar.
Ilir Panda ka lindur në Tiranë, më 8 gusht 1962. Është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.
Panda, ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i Drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.
Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.
Panda ka qenë, gjithashtu, Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Me dekretin Nr.11454, datë 11 mars 2020 të Presidentit të Republikës është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.


















