
Studimi BB-BSH: Pagesat elektronike, deri në 38,7 miliardë lekë kursime në vit
Ulja e kostove të remitancave, nxitja e përdorimit të kanaleve formale të transfertave dhe modernizimi i sistemeve të pagesave ishin në fokus të diskutimeve në Konferencën e 10-të të Bankave Qendrore të Mesdheut, ku Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj.

Ulja e kostove të remitancave, nxitja e përdorimit të kanaleve formale të transfertave dhe modernizimi i sistemeve të pagesave ishin në fokus të diskutimeve në Konferencën e 10-të të Bankave Qendrore të Mesdheut, ku Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj.
Konferenca, me temë “Monedhat digjitale, pagesat dhe menaxhimi i rezervave: Ndikimet për bankat qendrore të Mesdheut”, u zhvillua në Tarragona të Spanjës dhe u organizua nga Banka e Spanjës, në bashkëpunim me OECD, Institutin Evropian të Mesdheut dhe Unionin për Mesdheun.
Zaçaj drejtoi sesionin e dytë të konferencës, “Pagesat dhe remitancat: sistemet aktuale dhe perspektivat e së ardhmes”, ku u diskutua rëndësia e remitancave për ekonomitë mesdhetare, ndikimi i tyre në sistemin financiar dhe bankar, si dhe mënyrat për uljen e kostove dhe rritjen e përdorimit të kanaleve formale të transfertave.
Në fjalën e saj, Zaçaj theksoi progresin e bërë nga Banka e Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian.
Ajo veçoi anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA si një hap të rëndësishëm për integrimin financiar të vendit, duke nënvizuar potencialin për uljen e kostove dhe kohës së transfertave, rritjen e përdorimit të kanaleve digjitale dhe formale të pagesave dhe nxitjen e emigrantëve për të përdorur kanalet financiare zyrtare për dërgimin e remitancave.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas Zaçajt, është zbatimi i projektit TIPS Clone, i cili synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të shpejta, në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, në përputhje me standardet evropiane.
Sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, të cituar në konferencë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38,7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1,5% të PBB-së.
Ndërkohë, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike mund t’u kursejë konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit.
Konferenca mblodhi drejtues të lartë të bankave qendrore nga vendet e Mesdheut, si dhe studiues, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare. Diskutimet u përqendruan në ndryshimet që po ndikojnë sistemin monetar dhe financiar ndërkombëtar, në kushtet e transformimit teknologjik dhe rritjes së tensioneve gjeopolitike.
Burimi ATSH



















