
Lamallari: Procesi i ndryshimeve në Kodin e ri Penal, gjithëpërfshirës
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari deklaroi sot se procesi i ndryshimeve në Kodin e ri Penal ka qenë i hapur, gjithëpërfshirës dhe i dokumentuar, me pjesëmarrjen e ekspertëve, profesionistëve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari deklaroi sot se procesi i ndryshimeve në Kodin e ri Penal ka qenë i hapur, gjithëpërfshirës dhe i dokumentuar, me pjesëmarrjen e ekspertëve, profesionistëve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në një reagim publik ndaj një shkrimi publikuar në media nga një gjygjtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Lamallari bëri të ditur se gjatë periudhës shtator-dhjetor 2025, janë zhvilluar 25 takime konsultative me 488 pjesëmarrës nga institucionet e drejtësisë, administrata publike, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile.
“Në këto tryeza kanë marrë pjesë gjithsej 488 përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, administrata publike, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Pjesëmarrja e tyre është dokumentuar me procesverbal, ashtu si dhe mendimet e shprehura krahas atyre të përcjella me shkrim, zyrtarisht nga insitucionet e ndryshme, përfshi ato të drejtësisë. Më shumë se gjysma e dispozitave të publikuara më herët në muajin korrik 2025, ka ndryshuar tashmë dhe puna vijon duke reflektuar në masë të gjerë komentet dhe sugjerimet me vend të ardhura nga institucionet dhe profesionistët e angazhuar në frymën e bashkëpunimit korrekt, pa paragjykim dhe të pandikuar nga prania ose jo e vëmendjes mediatike”, tha ai.
Ministri Lamallari theksoi rëndësinë e një debati profesional të bazuar mbi fakte dhe shmangien e etiketimeve, duke kujtuar se magjistratët kanë detyrimin për të ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe besimin publik, sipas Kodit të Etikës Gjyqësore dhe standardeve evropiane për lirinë e shprehjes së gjyqtarëve.
“Debati profesional është i mirëpritur, por ai duhet të mbështetet mbi fakte dhe duke shmangur etiketimet apo ndikimin institucional, aq më tepër të një pushteti tjetër, të cilat nuk i shërbejnë paanshmërisë apo perceptimit i të qenit i paanshëm”, deklaroi ministri.
Ai nënvizoi se reforma në drejtësi dhe përmirësimi i legjislacionit penal janë procese të vazhdueshme, të cilat duhet të mbështeten në kontributin e profesionistëve dhe besimin publik, jo në etiketime apo presione institucionale.
Reagimi i plotë publik i Ministrit të Drejtësisë:
Respektoj plotësisht të drejtën e çdo magjistrati, prokuror dhe gjyqtar, i juridiksionit të përgjithshëm apo qoftë dhe atij të posaçëm, për mendim profesional mbi proceset ligjbërëse. Megjithatë, kur një qëndrim i tillë paraqitet në media duke i cilësuar si “fasadë” tryezat konsultative të organizuara nga Ministria e Drejtësisë, lind detyrimi për sqarim dhe transparencë ndaj publikut.
Procesi i ndryshimeve në Kodin e ri Penal ka qenë i hapur, gjithëpërfshirës dhe i dokumentuar, me pjesëmarrjen e ekspertëve, profesionistëve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Konkretisht, gjatë periudhës shtator–dhjetor 2025 janë zhvilluar gjithsej 25 takime konsultative. Në këto tryeza kanë marrë pjesë gjithsej 488 përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, administrata publike, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Pjesëmarrja e tyre është dokumentuar me procesverbal, ashtu si dhe mendimet e shprehura krahas atyre të përcjella me shkrim, zyrtarisht nga insitucionet e ndryshme, përfshi ato të drejtësisë.
Më shumë se gjysma e dispozitave të publikuara më herët në muajin korrik 2025, ka ndryshuar tashmë dhe puna vijon duke reflektuar në masë të gjerë komentet dhe sugjerimet me vend të ardhura nga institucionet dhe profesionistët e angazhuar në frymën e bashkëpunimit korrekt, pa paragjykim dhe të pandikuar nga prania ose jo e vëmendjes mediatike.
Debati profesional është i mirëpritur, por ai duhet të mbështetet mbi fakte dhe duke shmangur etiketimet apo ndikimin institucional, aq më tepër të një pushteti tjetër, të cilat nuk i shërbejnë paanshmërisë apo perceptimit i të qenit i paanshëm.
Në Shqipëri, kufizimet për opinione publike të magjistratëve (gjyqtarë dhe prokurorë) burojnë nga disa shtylla kryesore të kuadrit ligjor dhe etik. Thelbi është ruajtja e pavarësisë, paanshmërisë dhe besimit publik në drejtësi.
Rëndësia e vetëpërmbajtjes së gjyqtarit, në jetën publike dhe private sanksionohet dhe në Kodin e Etikës Gjyqësore, të miratuar me Vendim nr 171, datë 22.04.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ndër të tjera kërkon që gjyqtari:
– kujdeset gjithmonë që sjellja e tij, zyrtare apo private, të mos cënojnë pavarësinë individuale apo institucionale të gjyqësorit dhe as dukjen e pavarësisë në sytë e publikut. Gjyqtari duhet të shmangë sjelljet që mund të krijojnë përshtypjen te publiku se është i angazhuar politikisht…” dhe;
– duhet të tregojë vetëpërmbajtje në mbështetjen publikisht apo shprehjen e kritikave të çfarëdolloji e natyre ndaj pushteteve të tjera” dhe;
– duhet të shmanget nga bërja e komenteve mbi çështje të diskutueshme politike apo deklarata publike, të cilat mund të krijojnë përshtypjen se gjyqtari është i njëanshëm…’ si dhe;
– duhet të shfaqë vetëpërmbajtje në përdorimin e medias dhe rrjeteve sociale”
Të njëjtat parime të etikës udhëzohen dhe nga Komiteti Këshillimor i Gjyqtarëve Evropianë (Opinion Nr. 25 (2022) i Këshillit të Europës ‘Liria e Shprehjes e Gjyqtarëve dhe detyrimi i gjyqtarëve për pavarësi’):
Magjistrati duhet të tregojë vetëpërmbajtje në shprehje publike, sidomos ndaj pushteteve të tjera.
Duhet të shmangë shfaqjen e bindjeve politike në publik.
Standardi i Gjykatës së Strasburgut dikton gjithashtu detyrimin për paanshmëri reale dhe të perceptuar, sipas aksiomës klasike:
“Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet; ajo duhet edhe të duket (e tillë).”
Në Shqipëri ka plot raste kur gjyqtarë dhe prokurorë janë përfshirë më pas aktivisht në politikë, ku shembujt konkretë i gjen në Parlament. Po ashtu, për fat të keq, kemi parë dhe deklarata publike me tone qartësisht politike dhe etiketime aspak etike të shoqatave të gjyqtarëve!
Përtej debateve të natyrës etike më tepër se sa ligjore, besoj fort se barra e ushtrimit dhe perceptimit si i paanshëm dhe i pandikueshëm të magjistratit është veçanërisht më e lartë, po aq sa përgjegjësia e besuar për hetimin apo gjykimin prej tij të funksionarëve të lartë dhe subjekteve politikë!
Reforma në drejtësi dhe përmirësimi i legjislacionit penal janë procese sfiduese dhe që zhvillohen e përmirësohen në vijimësi, mbështetur në kontributin dhe përgjegjësinë e të gjithë profesionistëve dhe mbi të gjitha në besimin publik, jo etiketime.
/Marrë nga ATSH



















