Hoxha takim me homologun francez, në fokus zgjerimi i BE-së dhe bashkëpunimi dypalësh
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një takim në Bruksel, me ministrin francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, me të cilin diskutoi mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Hoxha vlerësoi se dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Francës nuk ka qenë kurrë më e pasur, më e fortë dhe më premtuese.
“Shpreha mirënjohjen time të thellë për qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Francës në mbështetje të një Evrope më të zgjeruar, më të bashkuar, më të fortë dhe gjithmonë në solidaritet dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të një bote gjithnjë e më të trazuar”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Hoxha përgëzoi angazhimin personal të ministrit në mbështetjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë fazave vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Përtej dialogut të përforcuar politik, partneriteti ynë dypalësh po materializohet përmes projekteve të prekshme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Brenda kuadrit të një partneriteti në zgjerim të vazhdueshëm, ne po forcojmë në mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha strategjike si inovacioni i përparuar, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore”, shtoi ai.
Po ashtu dy ministrat riafirmuan angazhimin e përbashkët për të thelluar më tej këtë partneritet të veçantë dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Burimi ATSH