
Katër marrëveshje financimi me BE-në për zhvillimin vendor
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit katër marrëveshje financimi me Bashkimin Europian dhe vendet fqinje

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit katër marrëveshje financimi me Bashkimin Europian dhe vendet fqinje, të cilat synojnë të mbështesin zhvillimin e projekteve konkrete në nivel vendor dhe të rrisin kapacitetet e institucioneve lokale, duke përmirësuar shërbimet që qytetarët marrin çdo ditë.
Një nga marrëveshjet e paraqitura është programi Interreg Europe 2021-2027, që ofron mundësi për Shqipërinë të konkurrojë për 493 milionë euro, në bashkëfinancim me Bashkimin Europian.
Ky program fokusohet në zhvillimin e politikave publike dhe shkëmbimin e praktikave mes bashkive shqiptare dhe bashkive tashmë pjesë e Bashkimit Europian, duke përmirësuar qeverisjen lokale dhe shërbimet për qytetarët.
Ndërsa marrëveshjet ndërkufitare me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut synojnë të fuqizojnë bashkëpunimin rajonal. Marrëveshja me Kosovën për programin IPA 3 për vitin 2025 siguroi 3,6 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe mbështeti zhvillimin ekonomik, turizmin, mjedisin dhe komunitetet lokale në bashkitë kufitare, duke përfshirë Kukësin, Tropojën dhe Lezhën.
Programi ndërkufitar me Malin e Zi sjell një grant total prej 13,8 milionë euro, ndërsa ai me Maqedoninë e Veriut prek gjashtë qarqe shqiptare dhe rreth 1,3 milionë qytetarë, duke mbështetur kapacitetet lokale dhe zhvillimin ekonomik në rajonet e përfshira.
Ministri Gogu theksoi se këto projekte janë hapa konkretë drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Bëhet fjalë për financim me standarde europiane, që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe përfshijnë auditim europian, duke siguruar transparencë dhe efikasitet. Shqipëria vazhdon të përfitojë nga fondet e Bashkimit Europian, edhe kur pas auditimeve konstatohet ndonjë keqfunksionim, i cili pezullohet dhe më pas financimi rivazhdon pas korrigjimeve. Një rast i tillë është edhe programi IPARD, i cili pritet të vazhdojë me më fuqishëm se më përpara”, deklaroi ai.
Burimi ATSH


















