
Rama: Më 11 maj zgjedhim Shqipërinë me BE-në apo mbrapsht prapë në gropë
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se në 11 maj duhet kapërcyer kufiri i partive politike dhe duhet votuar për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se në 11 maj duhet kapërcyer kufiri i partive politike dhe duhet votuar për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Në takimin përmbyllës elektoral në Dibër, Rama kërkoi votën e dibranëve në 11 maj, njëlloj siç u bashkuan në zgjedhjet e mëparshme dhe i dhanë 4 bashki PS-së.
“Vota juaj u kthye në një investim që solli kaq shumë pozitivitet në këtë zonë. Ky është një mësim për çfarë duhet bërë në 11 maj, duhet kapërcyer kufiri i partive. Duhet bërë ekzakt çfarë bënë shqiptarët në 22 mars të ’92 kur ishin një palë zgjedhje për të vendosur për qeverinë e ardhshme, por ishin edhe një palë zgjedhje për të vendosur historinë e vendit, për të ndarë historinë e së shkuarës me atë të së ardhmes”, tha Rama.
Rama tha se në 11 maj duhet ndarë përsëri Shqipëria me BE-në në Europë brenda kësaj dekade apo Shqipëria mbrapsht prapë në gropë dhe shqiptarët prapë jashtë Europës, qytetarë të dorës së dytë dhe të huaj në kontinentin ku janë një nga popujt më të vjetër.
“Fati e ka gjetur të jetojmë në mes të Europës. Kjo është zgjedhja e 11 majit dhe këtu nuk ka lidhje me sa e do apo jo Edi Ramën, je i majtë apo i djathtë. Besoj shumë se ne kemi në dorë një fat që na erdhi ne shqiptarëve të ditëve të sotme, një fat që të bëjmë histori. Nuk i ndodh të gjithëve, mund të jetosh një jetë të tërë dhe nuk të ndodh që në një palë zgjedhje të kesh fatin të bësh historinë e vendit tënd”, tha Rama.
Me votën në 11 maj, Rama tha se “në 4 vitet e ardhshme përcaktohet edhe historia e Shqipërisë për pjesën e mbetur të këtij shekulli”.
Duke u ndalur te transformimi i qarkut të Dibrës, Rama tha se tashmë Dibra është jastëku i gjelbër i Tiranës.
Rama shprehu bindjen se turizmi në këtë qark do të zhvillohet, madje Dibra do të presë edhe 1 milionë turistë në vit, ndërsa do të rritet vlera e pronës.
Burimi ATSH