
Rama: Projekti i Zvërnecit sjell më shumë se 4 miliardë euro, po studiojmë impaktin mjedisor
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Staten Island (Nju-Jork), foli për projektin e Sazanit dhe atë të Zvërnecit, duke u ndalur te përmasat e tyre, potenciali financiar dhe ndikimi në mjedis.

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Staten Island (Nju-Jork), foli për projektin e Sazanit dhe atë të Zvërnecit, duke u ndalur te përmasat e tyre, potenciali financiar dhe ndikimi në mjedis.
“Këtë synim ka edhe projekti i shumë diskutuar, projekti i famshëm, por edhe famëkeq, për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve, politizimeve, projekti i Sazanit dhe projekti i Zvërnecit bashkë me të”, tha Rama.
Sipas Ramës, “një projekt që potencialisht sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro në një ekonomi, që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Juve i bëni vetë llogaritë më mirë”.
“Sigurisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sa ç’është i jashtëzakonshëm në përmasa, sa ç’është i jashtëzakonshëm në ambicie, sa ç’është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar, është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit me mjedisin”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë tha se po punohet intensivisht për të pasur një studim të impaktit mjedisor të detajuar edhe profesional, të standardeve më të larta ndërkombëtare.
Rama theksoi se synimi është “për të kuptuar ekzaktësisht cilat janë rreziqet reale dhe jo rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish”.
Burimi ATSH

















