
Reforma në drejtësi, Rama: Nuk ka kthim pas, sot sistemi po e lufton korrupsionin
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavarësi të plotë”.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavarësi të plotë”.
Gjatë deklaratës për mediet nga salla e shtypit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama tha se “sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën: “Korrupsion, korrupsion, korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë”.
“Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila, duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “sado ta përsërisin: “Korrupsion, korrupsion, korrupsion, na mbyti korrupmasioni”, e vërteta është se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin. Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata. Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish-ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij”.
“Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletëthirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjienike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të Republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të Ministrisë së Mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore”, nënvizoi Rama.
Rama u shpreh se “e di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi. E di gjithashtu, e di që çke me të, që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjer më sot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato “bombat çudibërëse” antiqeveri, “Korrupsion, korrupsion, korrupsion, na mbyti korrupsioni””.
“E di edhe që një tjetër televizion “Korrupsion, korrupsion, korrupsion, na mbyti korrupsioni”, i ushqyer nga paratë e evazionit marramendës fiskal, ka marrë peng një prokurori të tërë në Tiranë, ku në vend se të thirret evazori i madh për të dhënë llogari për milionat e detyrimeve ndaj shtetit, prokurorët e trembur dhe të tredhur prej tij, hapin çështje për të trembur punonjësit e tatimeve që denoncojnë evazorin. E di që Shqipëria e deridjeshme e harmonisë me korrupsionin dhe padrejtësinë, nuk ka ikur përfundimisht nga jetët tona. Bishtat e panumërt të atij vendi i kemi ende nëpër këmbët e jetës së përditshme”, theksoi Rama.
Por ama, vijoi Kryeministri, e di me siguri, që koha kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe një dhomë e hapur sa herë e keqja donte pazar, nuk kthehet më.
“Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë. Ka ikur ajo kohë, sepse unë, Partia Socialiste dhe shumica e shqiptarëve që na besoi, i hymë detit në këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë, më sfiduese e më të dhimbshme në historinë e shtetit shqiptar. Reformën e reformave, sfidën e sfidave, përmbysjen e të gjitha përmbysjeve. Morëm përsipër aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë, nga duart e pushtetit politik që e mbante atë shpatë qysh prej vitit 1912, në duart e një pushteti të ri, atij të drejtësisë së çliruar e të pavarësuar me vullnetin tonë”, tha Rama.
“E bëra unë atë dorëzim, – shtoi Kryeministri, – jo se isha naiv, as se nuk e dija që ajo shpatë do të kërkonte koka në radhët tona, po sepse ishte e imja, e jona dhe e askujt tjetër, barra e asaj sakrifice të madhe politike, po njëkohësisht investimi të madh, strategjik dhe vendimtar, për të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë.”
“Ndërsa sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, vetë sistemi institucional i Shqipërisë po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë, kjo është një arritje e madhe kombëtare, autorësinë e të cilës, ndjesë, po nuk e negocioj me askënd; është imja dhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan, po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti më këmbë – apo që po bëjnë me disa qeveri të tjera rrotull në rajon”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “nuk e solli pavarësinë e drejtësisë PD-ja, sorrat, korbat e dështakzemërakët, që sot bërtasin “Korrupsion, korrupsion, korrupsion, na mbyti korrupsioni” dhe e shikojnë SPAK-un si armën e vetme fatale kundër meje, që i kam mundur e mundur në çdo zgjedhje, e që i mund në këto betejat e shpifura të arenës politike dhe mediatike te akuzave e të shpifjeve, sa herë u gënjen mendja se më zunë ngushtë e ma bënë gropën”.
“Po natyrisht, nuk është mundja e tyre që ma prish gjumin dhe asfare nuk është gjelfryrja e pulëkakarisja e tyre e rastit, arsyeja e këtij adresimi të posaçëm. Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha ai.
Kryeministri Rama u shpreh se “deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe ky është një ndryshim epokal që ka nisur. Vetëpastrimi i sistemit në këtë fazë ende në formësim të shtetit të ri europian të Shqipërisë është i zhurmshëm. Madje është nganjëherë edhe i pistë dhe shpeshherë po shumë i dhimbshëm. Ai prek e lëndon edhe individë të pafajshëm, ashtu sikundër keqtrajton e dehumanizon këdo edhe të fajshmit. Por vetëpastrimi i sistemit është një zhvillim i shumëpritur në organizmin e shtetit, pas një agonie tejet të gjatë sa historia e shtetit shqiptar”.
“Organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra, e kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar; kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat e piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur; kur tymrat e pasqyrave digjitale të jenë shpërndarë e pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime, janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria. Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”.
/Marrë nga ATSH


















