
Rama: Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit, detyrë ekskluzive e drejtësisë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral është detyrë e të gjithë shtetit dhe as kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral është detyrë e të gjithë shtetit dhe as kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim”.
Në një deklaratë për mediet nga salla e shtypit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama theksoi se “sapo jam kthyer nga Nju-Jorku, ku siç e dini, përfaqësova Shqipërinë në Javën e Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vendosa të drejtohem menjëherë nga këtu në aeroportin “Nënë Tereza”, sepse zhvillimet e ditëve të fundit pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ kërkojnë një adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë sy më sy”.
“Ishte pa diskutim një masë ekstreme se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Por unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk e kam bërë në asnjë rast parë dhe nuk do ta bëj as në këtë rast. Çdo dyshim i arsyeshëm për këtë proces duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë e ngritur ndaj kujtdo qoftë duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor”.
“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës për cilindo qoftë që nuk ka imunitet parlamentar kundërshtohet vetëm në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës. Këto piketa të vijës së sjelljes sime dhe të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu për të gjithë”, tha Rama.
Por, vijoi Rama, nga ana tjetër respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.
“Konkretisht në këtë rast përveç dhe përtej çështjes penale individuale ka një fakt tjetër parimor shtetëror që nuk mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur. Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte ishte parandaluar plotësisht. U desh që të dhënat e dozës hetimore të vërshonin nëpër kanale sociale dhe tezga mediatike, përpara se gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre, natyrisht pa asnjë sukses”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “kur puna e sjell që hetimi të ngjitet deri tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur, ky është një problem i krejt shtetit. Prandaj dhe kjo qasje e lëshuar si padashur i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë. Me fjalë të tjera, nuk është me siguri hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së asnjërës prej atyre masave që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq sa ky”.
Më tej, kryeministri Rama tha se “ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrsesi si një ndarje nga përgjegjësira shtetërore, dhe këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë. Prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht”.
“Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal”, tha Rama.
Marrë nga ATSH



















