
Rama fton emigrantët të investojnë: Paketa e Maleve do të nxisë turizmin
Kryeministri: Ata që do të marrin 500 lejet e para për 10 vjet nuk do paguajnë asgjë

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se beson që miniera e arit për turizmin shqiptar nuk është bregdeti, por janë malet.
Gjatë një takimi në Kukës mbi arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, Rama tha se “të huajt kanë filluar t’i zbulojnë malet e Shqipërisë. Por, momenti kur në male do të fillojë edhe një zinxhir investimesh si ai që zhvillohet prej kohësh në bregdet, aty do të jetë momenti kur të ardhurat nga turizmi malor në Shqipëri do të kthehen në një burim shumë serioz për ekonominë tonë”.
Kryeministri Rama vuri në dukje se ata që kanë guxuar dhe kanë investuar në agroturizëm në zonat malore kanë bërë një investim fantastik për veten e vet dhe kanë ndihmuar edhe ekonominë lokale.
“Një nga zonat që mbetet e gjitha për t’u vënë në funksion të kësaj është edhe zona e këtij qarku ku ju e dini shumë mirë prej vitesh ekziston problemi i titujve të pronësisë. Për këtë arsye shumë njerëz që duan të investojnë në agroturizëm dhe agroturizmet që janë bërë sot e tregojnë shumë qartë se çfarë dobishmërie dhe kthimi kanë investimet në malet e Shqipërisë”, vijoi Rama.
“Duke qenë se në një pjesë të madhe këtu njerëzit nuk e kanë pranuar 7501, por janë kthyer tek tokat e të parëve dhe faktikisht me përgjithësisht pa konflikte kanë rënë dakord që këtu e kam unë, këtu e ke ti. Ne bëmë ligjin 2020 për të lehtësuar proceset duke qenë se ky ligj kërkon që gjithë kufitarët të bien dakord, kufitarët ca janë, ca s’janë ca janë në Amerikë, tani e kemi kaluar në parlament dhe do të fillojë të funksionojë pas zgjedhjeve se nuk mund të hynte në fuqi se kemi këto kufizimet e ligjit zgjedhor”, nënvizoi Rama.
Rama tha se pas zgjedhjeve do të nisë zbatimi i Paketës së Maleve.
“Paketa e maleve është shumë e thjeshtë dhe është në dispozicion të të gjithë atyre që duan të investojnë në tokat e të parëve apo në toka ku bien dakord me pronarët, për turizëm dhe agroturizëm. Patjetër edhe për blegtori, agropërpunim, agrobiznes, duke bërë vetëm disa hapa shumë të thjeshtë. E para toka që është fakt, pronari faktik, por që nuk figuron në letra shkon në bashki dhe depoziton kërkesën që t’i njihet kjo tokë si toka e tij, e të parëve të tij”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “bashkia e përcjell në këshillin bashkiak dhe bën afishimin për 30 ditë të këtyre pretendentëve. Natyrisht ka gjithë instrumentet që të bëjë verifikimet me fshatin, të cilët thonë po toka është e këtij s’kemi ne problem. Në momentin që mbaron 30- ditëshi dhe personat janë të pakontestuar atëherë këshilli bashkiak iu jep atyre vendimin që mund të zhvillojnë një investim në tokën e tyre me atë vendim ata bëjnë një projekt dhe në Ministrinë e Ekonomisë, bëjnë një kontratë dhe tokën e marrin me një euro. Në momentin kur mbaron investimi marrin lejen për ta regjistruar në hipotekë si pronën e tyre”.
Nëse, vijoi Rama, ndodh mbasi ata e kanë kryer investimin dhe kanë regjistruar në hipotekë si pronën e tyre del dikush që thotë jo prit se jam unë, ky personi që ankohet nuk ka më mundësi t’ju ndërhyjë këtyre në atë që kanë bërë, por shteti merr përsipër ta gjykojë çështjen e tij dhe ta kompensojë diku tjetër.
Rama tha se “ata që do marrin 500 lejet e para për 10 vjet nuk do paguajnë asgjë”.