Rama: Familja nga Gaza erdhi me kërkesë të ndërkombëtarëve, vlerësim për shërbimin tonë pediatrik

Kryeministri sqaroi se disa familje nga Gaza, ndër të cilat njëra erdhi në Shqipëri, u çuan në disa vende të Europës ku shërbimi pediatrik vlerësohet


Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas disa komenteve mbi lajmin e publikuar një ditë më parë se një fëmijë 1 vjeç nga Gaza me probleme shëndetësore, po merr trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Përmes një videomesazhi Rama tha se familja erdhi nga Gaza me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik.

Kryeministri sqaroi se disa familje nga Gaza, ndër të cilat njëra erdhi në Shqipëri, u çuan në disa vende të Europës ku shërbimi pediatrik vlerësohet.

Rama iu përgjigj po ashtu komenteve që pretendonin për kujdes shëndetësor të munguar ndaj fëmijëve shqiptarë, ndërsa solli në vëmendje faktin se çdo vit në Shqipëri kurohen në pavionet e pediatrive 46 mijë fëmijë.

“I hodha një sy shpejt komenteve për postimin për familjen nga Gaza që mikpritëm për t’i dhënë ndihmë urgjente mjekësore fëmijës së tyre 1 vjeç. Jam kurioz, kur i shkruani këto gjëra i keni seriozisht apo thjesht ‘inati i sime vjehrre më çon në krevat të mullixhiut’. Se dakord që e keni shumë inat qeverinë kjo duket nga shumë larg, por nuk është ndonjë faj. Por që inati për qeverinë të çojë në pikën që të flasësh kaq përçart kjo është t’i biesh vetes dhe të përhapësh gënjeshtra për llogari të atyre që tek gënjeshtrat janë kapur si i mbyturi pas fijes së barit, dhe ju e dini për kë e kam fjalën. Ku i keni parë ju këta fëmijët që ne i lënkemi të vdesin? Kjo natyrisht është një pyetje retorike, ashtu sikundër ju siguroj sinqerisht, nuk ju fajësoj fare se inati po, llumi i foltoreve, kanaleve, portaleve ku ju zhyteni po, dhe normal që ju duket sikur vdesin njerëzit edhe për një aspirinë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “çdo vit në Shqipëri kurohen në pavijonet e pediatrive tona jo pak por 46 mijë fëmijë”.

15 mijë prej tyre, sipas tij, marrin shërbimin në QSUT, ku dhe operohen mesatarisht 2400 fëmijë me sukses të plotë.

Po ashtu, Rama theksoi se çdo vit, qeveria çon jashtë vendit për kurim mesatarisht 25 fëmijë.

“Tani dëgjoni mirë edhe këtë se thonë rrofshin disa shoqata bamirëse të ca shqiptarëve zemërmirë se të jetë për ne zemërgurët fëmijët këtu të gjithë vdesin. Çdo vit, ne çojmë jashtë vendit mesatarisht 25 fëmijë, pra shumë më tepër se të gjitha shoqatat të mbledhura bashkë të cilat i falënderoj përzemërsisht për angazhimin e tyre të pamohueshëm. Respekte”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te programet e reja të kujdesit ndaj fëmijëve me vaksinimin falas çdo vit, me shërbimin dentar që po rikthehet në shkolla pas dhjetëra e dhjetëra vitesh etj.

“Por thjesht po ju përshëndes me urimin që të keni më shumë respekt për të vërtetën, pra për veten, dhe më pak zë për të përhapur helme e gënjeshtra. Se ajo familja që erdhi nga Gaza, erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik. Disa familje, ndër të cilat njëra erdhi në Shqipëri, u çuan në disa vende të Europës ku shërbimi pediatrik vlerësohet. Dhe e dyta, në vend se të bëheni përhapës të gënjeshtrave të atyre që e dinë mirë kush janë, kërkojini atyre llogari, se nuk i dilet me inat kësaj pune. Inat kijeni këtë qeveri, por këtu do ta keni prapë. Inati nuk është as program, as alternativë. Programi dhe alternativa janë diçka tjetër që ju mungon atyre që ju përdorin edhe ju si zëdhënës të gënjeshtrave të tyre”, tha Rama.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Gonxhja: Traditë, ritëm dhe emocione në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Lojrave Popullore dhe Riteve në Burrel

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara gjatë festivalit, i…

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gonxhja: Traditë, ritëm dhe emocione në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Lojrave Popullore dhe Riteve në Burrel

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara gjatë festivalit, i…