Irena Dragoti: Poezia ime është liria ime!

Irena Dragoti ka botuar librin e parë të saj: “Stinë ikjesh”, ndërsa është në proces libri i dytë i saj.


Nga Dash Frashëri, botues i TiranaDiplomat.com

Kur lexova për herë të parë një poezi të Irena Dragotit, m’u duk sikur po lundroja në qiejt poetikë. Një përshtypje e jashtëzakonshme. Nga ato që rrallë i ndjej.

M’u duk sijur në një varg gjeja diçka nga lirikat e Fatos Arapit; te një strofë pak folklorizmi i Dritëro Agollit, një përzjerrje mendimesh si poezitë filozofike të Ismail Kadaresë.

Irena ka një lidhje natyrore me poezinë. E para, sprovë e saj – si e të gjithëve, në fakt – është një poezi për nënën. Vetëm dhjetë vjeç: përpara një letre të bardhë, që do të bëhej më pas “tavolina e poezive” vajzës së re.

Për këdo që ka shkruar një poezi, vlerësimet e para i ka marrë nga mësuesi i tij i letërsisë: Irena i mori nga mësuesja e parë e letërsisë.

Mësuesi i gjimnazit Fatbardh Amursi, sot një kritik eseist dhe shkrimtar, e dalloi si profesionist se Irena ishte e një “brumi poetik”. Nnxënësja që adhuronte Safon e letërsisë greke – frymëzimi i saj në kohën e gjimnazit – lexoi me ëndje edhe autore të huaj: Ana Akhmatova (Rusi), Alda Merini (Itali), Rudyard Kipling (Angli), dhe autorë të shumtë.

“Poezia ime është liria ime”, tha poetesha Irena Dragoti për “Tirana Diplomat”. Gazeta dashamirëse ndaj poetëve sjell pesë poezi të saj.

Irena Dragoti ka botuar librin e parë të saj: “Stinë ikjesh”, ndërsa është në proces libri i dytë i saj.

Dashuri pa frymë

Toka…
është shumë e vogël për dashurinë.
Dashuria…
u lodh duke jetuar kaq ngushtë.
I duhet hapësirë…
të prehet .
I duhet të mbyllë sytë.
Pastaj… të lundroj qiejve
për të gjetur një tjetër planet.
Planet zanash me shkop magjik,
ku njerëzit janë të bardhë, por të vegjël;
më të vegjël se dashuritë që dhurojnë.
Kurse lulëkuqet janë pemë të larta.
Pellgjet e shiut janë oqeane.
Gjethet janë titanikë që lundrojnë
në udhëtime dashurish shekspiriane,
në një planet…
plot galaktika dashurie,
ku njerëzit zënë pak vend.
Toka është shumë e vogël për dashurinë.
Dashuria, në tokë nuk merr frymë… nuk ka zë.

Mos lejoni!

Që tiranët t’mos pasohen nga maskarenjtë,
së shkuarës lexojani dhembjet,
ndërsa dhembjeve, zhbironi fytyrat,
të vdekura për së gjalli…
… e mos harroni,
kurrë mos harroni…
Por, bëni përpara
brenda kujtesës.
Ndërtoni burgje
brenda shpirtit,
me kujtimet.
Pa harruar tiranët
që përdhunuan mendje,
shpirtra, trupa,
që rrënuan kulte.
Që më shumë se jetë,
kufoma numëruan.
Mos lejoni…
të ngrenë përmendore nderi,
në të sotmen,
për hir të dashurisë sublime me të shkuarën.
Mos lejoni të ngazëllehen
nga shija e gënjeshtrës,
se ju harruat…
Kujtoni tiranët,
zbythni maskarenjtë,
e mos harroni…
Harresa është vdekje e pashpallur në shtyllë.
Ndaj, riprodhoni gjithçka
brenda retinës së syve
si një film të parë shumë herë,
e fëmijëve tregojuani si një përrallë,
nga ato që trashëgohen brezash
dhe ndalini…
tiranët, që të zbythni maskarenjtë…

Vjeshtë në zemër

Të zhvesha dje edhe nga vetja.
Edhe pse i ftohti ish’ vjeshtor.
Shpirtin mbulova me gjethe t’gjelbra.
Trupin me gjethet e rëna përtokë.

Nga dje dhe fatin vendosa mbi duar.
Në veshë më fërshëllente zëri yt.
Kërkova mes vjeshtës një vend të harruar.
Të brishtin shikim ta fshija nga sytë.

Për faj të vjeshtës në zemrën time,
përmbi mendime gjerbonte shi.
Kur nata përgjumi ca pengime,
e vetmja stinë më mbete ti.

Vit i ftohtë

Malli më përgjum ndajnate
e më çon udhëtimeve pafund.
Ky dimër i madh nuk më ndal
të shkoj te babai,
te ajo portë e vjetër, e drunjtë;
me moshë dhembjeje e harrese;
me pengje në shpirt e në trup;
tek gëzohet e trishtohet njëherazi,
për kujtimet që tashmë ka humb’.
Zgjohem sërish ndajnate,
por, mallin e lë në gjumë.
Kilometrat, një dëshirë e zjarrtë
por, ky dimër…
… një vit i ftohtë,
pa tim atë,
më shumë…

Perëndim mbi det

Iu pllakose detit, ti ledhatar,
teksa i jep puthjen e fundme.
Ky lëmsh i zjarrtë vetmitar,
agut na freskon përgjumjen.

Kjo lëndinë e ujtë, kjo tretje e flaktë,
ditën na kujton muzgjeve.
Perëndimi u shtri gjerë e gjatë
atje, ku ndarjet shkëmbejmë lutje.

Ti, lëmsh i zjarrtë e hokatar…
Zhytu petlave detare.
Ndarjet nuk janë kaq të brishta,
nuk rrëzëllejnë margaritar.

Ti, kryeneç, ti tretje e flaktë…
Përkëdhel sirenat me përskuqje.
Vendose kokën sonte në shtrat.
Këtë perëndim ma jep me puthje.

Kumbaro: 8 shkolla të reja në kryeqytet hapin dyert për vitin e ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro theksoi se “shkollat që do të hapin dyert janë “Edith Durham”, “Pjetër Budi”, “Ibrahim Hima”,…

Global 360

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite në…

Diplovista

Gonxhja për “Collection”: Turizmi, motori i rritjes ekonomike të Shqipërisë

Shqipëria po shndërrohet me ritme të shpejta nga një perlë e fshehur e Mesdheut në një nga destinacionet më tërheqëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Teologu në shoqërinë shqiptare: ndërmjet formimit fetar dhe angazhimit publik

Debati mbi rolin e teologëve në shoqërinë shqiptare është bërë më i pranishëm vitet e fundit, sidomos në kushtet e…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Kumbaro: 8 shkolla të reja në kryeqytet hapin dyert për vitin e ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro theksoi se “shkollat që do të hapin dyert janë “Edith Durham”, “Pjetër Budi”, “Ibrahim Hima”,…