
Një anatomi e fuqisë, parasë dhe e shpërbërjes së sistemeve të ndërtuara për të dështuar
Është tashmë e dukshme se publikimet e kohëve të fundit lidhur me çështjen Epstein, pavarësisht debateve dhe hamendësimeve mbi të vërtetën, saktësinë, temat, përmbajtjen dhe interpretimet në lidhje me to dhe çështje të tjera që korrespondojnë, padyshim që kanë rikthyer në qendër të vëmendjes dy pyetje shumë më të thella se vetë skandali.

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
Është tashmë e dukshme se publikimet e kohëve të fundit lidhur me çështjen Epstein, pavarësisht debateve dhe hamendësimeve mbi të vërtetën, saktësinë, temat, përmbajtjen dhe interpretimet në lidhje me to dhe çështje të tjera që korrespondojnë, padyshim që kanë rikthyer në qendër të vëmendjes dy pyetje shumë më të thella se vetë skandali.
Pyetja e parë. Si ndërthuren fuqia politike, ekonomike dhe kulturore që në fund të fundit e gjejnë shprehjen e tyre në këtë ndërthurje e cila është në më të shumtën e rasteve pothuajse e padukshme për publikun në tërësi dhe për shtresa a klasa të caktuara në veçanti?
Pyetja e dytë. Çfarë tregon kjo për shëndetin moral dhe institucional të shoqërive moderne?
Në këtë shkrim në formën e një anatomie për fuqinë, paranë dhe e shpërbërjen e sistemeve të ndërtuara për të dështuartë, duke bërë përpjekje që të mos futemi në emra konkretë apo individë të përfshirë ku më shumë e ku më pak dhe duke mos rënë pre e pretendimeve, që është mirë të mbeten objekt hetimesh dhe diskutimesh ligjore, sjellim kryesisht atë që bie më shumë në sy, që është fakti i pakundërshtueshëm i krijimit, mbështetjes dhe promovimit të një modeli sipas të cilit, një individ me lidhje të forta në qarqet e financës, politikës, akademisë dhe biznesit global, etj, në fund të fundit arrin të krijojë një rrjet të gjerë marrëdhëniesh me njerëz me ndikim, që nuk është thjesht dhe vetëm një histori personale, por ilustrim i qartë dhe i plotë i mënyrës si funksionon elita, e cila tashmë ka marrë edhe karakteristika transnacionale.
Për këtë le të shqyrtojmë me kujdes disa aspekte shumë të rëndësishme në lidhje me këtë çështje:
1. Ndërthurja e pushtetit, politika, kapitali dhe reputacioni
2. Drejtësia si një test për sistemet demokratike
3. Ekspozimi individual apo degradimi moral i një elite
4. Ekonomia e reputacionit dhe hipokrizia publike
5. Inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe fuqia e re
6. Iluzioni i suksesit, Investimet, Forex, etj
7. Psikologjia e një shoqërie në krizë morale dhe konceptuale
8. A mund të përcjellim mesazhe pozitive për të rinjtë
9. Kriza e elitave apo tranzicion global
10. Mes zhgënjimit dhe përgjegjësisë
1. Ndërthurja e pushtetit, politika, kapitali dhe reputacioni
Në ekonomitë moderne, sidomos në ekonomitë e vendeve të tilla si SHBA, Britania e Madhe, Franca, etj, dhe në grupin e atyre që njihen tashmë si vendet e zhvilluara, kufiri mes politikës dhe kapitalit është bërë gjithnjë e më i hollë dhe në disa raste edhe i padukshëm. Është një fill I hollë, që ndan kryesisht në rrafshin teorik politikën dhe kapitalin. Në këto vende shikojmë fare hapur se (1) donatorët financiarë financojnë fushata elektorale, (2) politikanët mbështetur në premtimet elektorale, krijojnë politika që ndikojnë tregjet, (3) bizneset financojnë universitete dhe institute kërkimore e shkencore për të vërtetuar teoritë që e kanë fillesën nga kanale politike, (4) akademikët përpunojnë, publikojnë dhe rekomandojnë në formën e argumenteve shkencore legjitimitetin moral dhe intelektual për politika të caktuara ekonomike, që janë pikërisht ato që u duhen atyre që financojnë fushatat e elektorale.
Kur një person, individ dhe figurë publike, arrin të bëhet, shërbejë dhe të jetë praktikisht “nyje lidhëse” mes këtyre botëve, ai/ajo arrin që të përfitojë dhe përdorë një formë pushteti që nuk është pushtet zyrtar, nuk është fuqi zyrtare, por është pushtet real, është fuqi reale.
Kjo është fuqia e rrjetit, dhe kur rrjeti arrin që të mbyllet tërësisht në vetvehte, kur elitat e fushave të ndryshme arrijnë që të socializohen mes tyre, krijojnë ura lidhëse që të mund të udhëtojnë bashkë, përdorin fuqinë që të investojnë bashkë dhe arrijnë që të krijojnë një sistem me anë të të cilit të mund të heshtin të tërë së bashku, atëhere te ata krijohet një kulturë imuniteti dhe në këtë kulturë të kësaj natyre problem nuk është vetëm krimi i mundshëm individual, por problem madhor që del në skenë dhe është shumë e vështirë për t’u përballur, është kultura e pandëshkueshmërisë.

Viktimat e dyshuara të financierit të turpëruar dhe trafikantit seksual Jeffrey Epstein jashtë Kryeqytetit të SHBA-së/VCG
Pra, ajo që duhet të theksohet është fakti i pakundërshtueshëm se nëse një shoqëri sheh se ligji zbatohet rreptë për qytetarët e zakonshëm, por kthehet në një mekanizëm fleksibël për të fuqishmit, kur ligji mund të përthyhet aq sa duhet për të kaluar vijën e hollë vetëm nga disa individë apo subjekte me imunitet, atëherë degradimi nuk është vetëm moral. Jo. Degradimi kthehet në formën e tij më të ashpër dhe më të rëndë. Është degradim institucional. Kolektiv. Nën argumentin e vendimeve dhe veprimeve kolegjiale.
2. Drejtësia si një test për sistemet demokratike
Janë pikërisht ngjarje dhe raste të tilla që bëjnë dhe vënë në funksionim edhe testimin e sistemit të drejtësisë. A funksionon sistemi i drejtësisë në mënyrë të barabartë? A janë trupat e prokurorëve dhe të gjyqtarët të pavarur nga presioni politik, ekonomik dhe moral? A ndikon paraja, fama dhe imazhi në mënyrën si trajtohen dosjet?
Pra, çështja është nëse perceptimi publik është që drejtësia është selektive, atëherë padyshim që dëmtohet besimi te sistemi dhe të ata që ndërtojnë sistemin, dhe padyshim që besimi është kapitali më i rëndësishëm i një demokracie. Pa të, rritet cinizmi, çlirohet arrogance, marrin jetë teoritë konspirative, ngre kryet radikalizimi politik.
Është e ditur se në përgjithësi shoqëritë e zhvilluara kanë institucione më të forta, por pikërisht në këto sisteme është më i madh dhe real presioni i lobimit dhe interesave të mëdha. Në vendet në zhvillim apo të pazhvilluara, që pretendohet se kanë hyrë në rrugën e ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit, ku shteti ligjor është më i brishtë, më i pazhvilluar, dhe më i pambrojtur nga klasat shoqërore, rreziku është edhe më i madh, sepse në këto vende elitat lokale mund të imitojnë modelin e “kapjes së shtetit”, duke përdorur pasurinë për të blerë ndikim dhe heshtje dhe është pikërisht ajo çka po ndodh në fakt edhe me disa nga ato vende që kanë hyrë ne historinë botërore të pas viteve 1990 si zonat e “valës së tretë të demokracisë”.
3. Ekspozimi individual apo degradimi moral i një elite
Përballë kësaj gjendjeje një çështje dhe pyetje mjaft interesante paraqitet në formën e një postulate që kërkon argument dhe zgjidhje. A jemi përballë një degradimi të ri moral, apo thjesht jemi praktikisht përballë ekspozimit në shkallë të gjerë të një realiteti që ka ekzistuar gjithmonë?
Dhe për këtë mjafton që ti referohemi historisë, e cila na tregon dhe mëson se elitat sa më të forta dhe më të bashkuara të jenë, as më shumë dhe aq me më shumë intensitet kanë ndërtuar, praktikuar dhe përjetuar standarde të dyfishta. Skandalet e këtyre natyrave nuk janë dukuri të shekullit XXI, por ajo që bën ndryshimin është teknologjia, shkalla e përfshirjes së rrjeteve sociale, mjeteve të komunikimit, rrjedhja e informacioneve, e të dhënave, dokumenteve, dhe përfshirja e zgjerimi i punës së gazetarisë investigative globale.
Padyshim që tashmë në epokën digjitale sekreti, qoftë individual, qoftë kolektiv, është më i brishtë, por njëkohësisht dhe paralelisht, edhe manipulimi i informacionit është shumë më shumë më i lehtë. Kjo është pikërisht ajo që bën që të krijohet një paradoks i madh. Kemi më shumë transparence dhe paralelisht me të edhe më shumë mjegull.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dëshmon para një seance dëgjimore mbikëqyrëse të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington, të mërkurën, më 11 shkurt 2026, për çështjen Jeffrey Epstein./Foto nga VCG
4. Ekonomia e reputacionit dhe hipokrizia publike
Në epokën e krijimit dhe zgjerimit të branding-ut personal duket se çështja e arritjes së reputacionit është kthyer në një çështje kapitali. Drejtuesit e korporatave, politikanët, investitorët, filantropët, etj., arrijnë që të krijojnë, ndërtojnë dhe menaxhojnë imazh publike si mbrojtës të të drejtave, të shkencës, të krijueshmërisë, të inovacionit, të standardeve, etj., dhe, kur dalin në pah, në sytë e publikut lidhjet e errëta, abuzimet me pushtetin dhe nëpërkëmbja e qenieve njerëzore, kontrasti bëhet edhe më tronditës.
Por në fakt, kjo nuk është thjesht hipokrizi individuale e këtyre personave, është vetëm një nga simptomat e një kulture ku imazhi vlen më shumë se karakteri. Në periudhën e ekonomisë digjitale, perceptimi dhe psikologjia e shitjeve menaxhohen si aset financiar. Marrëdhëniet me publikun, marketingu dhe narrativa shpesh herë zëvendësojnë transparencën reale dhe vërtetësinë “alla persona”.
5. Inteligjienca artificiale, digjitalizimi dhe fuqia e re
Parë në konekstin e këtyre ngjarjeve, inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe tregtia elektronike shtojnë një dimension të ri, që lidhet me faktin dhe mundësinë që kanë elitat që të kontrollojnë kapitalin dhe teknologjinë, sepse janë pikërisht këto elita që kanë akses në të dhëna, algoritme dhe mjete ndikimi, të cilat qytetari i zakonshëm është tërësisht e dukshme që nuk i ka dhe në këtë kontekst, inteligjenca artificiale mund të përdoret jo thjesht dhe vetëm për inovacion, por mund të përdoret edhe për manipulim informacioni, për survejim, për profilizim psikologjik, etj., dhe nëse fuqia ekonomike dhe teknologjike arrin që të përqendrohet në pak duar, atëhere rreziku është që asimetria e pushtetit të thellohet edhe më shumë.
Tashmë siguria kibernetikë është kthyer jo thjesht dhe vetëm në një çështje teknike, por edhe në një çështje madhore politike dhe gjithëpërfshirëse.
Pra:
· Kush e kontrollon infrastrukturën digjitale?
· Kush i mbron të dhënat e qytetarëve?
· Kush vendos kufijtë etikë të përdorimit të inteligjencës artificiale?
Është pra tashmë mjaft e dukshme se në një shoqëri ku morali i elitave është në pikëpyetje, edhe përdorimi i teknologjisë dhe aq më tepër i teknologjisë së informacionit, digjitalizimit, tregtisë elektronike, sigurisë kibernetike, etj, ngre dyshime, sepse në fund të fundit besimi tek sistemi digjital lidhet shumë ngushtë dhe në mënyrë shumë të ndjeshme me besimin tek integriteti i atyre që e drejtojnë.
6. Iluzioni i suksesit, Investimet, Forex, etj
Një nga çështjet ku mund dhe duhet që të shtrihemi shumë është edhe fakti se në botën financiare globale, kryesisht në aspektet e investimeve alternative, duke u future më në detaje në tregjet Forex, ekziston një kulturë që tashmë ka hyrë në terminologji me emërtimin “smart money”, ku ata që janë tashmë pjesë e brendshme e sistemit, duket sikur kanë avantazh të përhershëm dhe kjo për publikun është e dukshme në faktin se përherë e më shumë po dalin në skenë individë me lidhje të forta, që kanë mundësi të lëvizin lirisht midis politikës dhe financave. Për publikun në tërësi, pavarësisht territorit, lind dyshimi nëse kemi të bëjmë me një lojë të barabartë? Kjo sepse, edhe pre nëse shumica e tregjeve funksionojnë me rregulla formale, perceptimi i padrejtësisë që ka publiku në tërësi është helmues. Është pikërisht ky perceptim që ushqen (1) narrativa anti-sistem, (2) populizëm ekonomik dhe (3) mosbesim ndaj institucioneve financiare dhe janë pikërisht këto çështje që gëlojnë në mendjet e qytetarëve të thjeshtë të vendeve të zhvilluara ku ka tregje kapitali tepër të avancuara dhe mundësia e investimeve në rryma financiare që qëndrojnë teknikisht larg kapitalit fizik, janë të fuqishme.
7. Psikologjia e një shoqërie në krizë morale dhe konceptuale
Duke vazhduar argumentin e mësipërm të iluzionit të suksesit, kur skandalet përfshijnë figura me status të lartë, efekti psikologjik është edhe më i thellë dhe kjo sepse të rinjtë shikojnë se suksesi, pasuria dhe fama nuk janë garanci për integritet. Madje ndonjëherë duket sikur është vetë sistemi që kemi ndërtuar me shumë kosto dhe me shumë dhimbje, shpërblen sjelljen oportuniste. Kjo mund të prodhojë dy reagime, (1) cinizëm – “Të gjithë janë njësoj dhe (2) radikalizim – kërkesë për rrëzim total të elitave ekzistuese. Edhe pse të dy variantet mund të duken shpresëdhënëse, në fakt asnjë prej këtyre varianteve nëse kthehet në ekstrem, nuk është i shëndetshëm.
8. A mund të përcjellim mesazhe pozitive për të rinjtë
Në fakt, pikërisht këtu ndoshta qëndron thelbi. Për të rinjtë e pasur duhet t’i bëjmë që të kuptojnë se privilegji nuk është mburojë morale. Aksesi që ata mund të kenë kryesisht në vendet e pasura në rrjete dhe kapital nuk duhet parë si përparësi por më shumë si përgjegjësi dhe kjo përkthehet në integritet. Është pikërisht integriteti që tashmë për të rinjtë kudo në botë trajtohet si aset dhe si aseti më afatgjatë se çdo investim tjetër financiar ose jo financiar.
Për të rinjtë e shtresës së mesme mesazhi kryesor është se ata nuk duhet të mashtrohen nga narrativa se suksesi kërkon kompromis moral. Kurrë nuk duhet diskutuar kjo çështje. Ky është dallimi midis shoqërisë së shëndoshë me të rinj të pjekur dhe të vetëdijshëm për të ardhmen e tyre dhe të kombit të tyre dhe të shoqërive në degradim, të të rinjve pa moral dhe pa sistem logjik të shëndoshë. Është pikërisht ky moment ku fillon bjerrja morale, e cila më vonë sjell bjerrjen e vlerave kombëtare në veçanti dhe vlerave njerëzore në tërësi. Çdo sistem, ku më shumë e ku më pak, ka problemet, mangësitë dhe defektet e veta, por alternativa për “diçka ndryshe, më të mirë”, nuk është imitimi i anëve të errëta të sistemeve në dështim, edhe pse në pamje mund të duken më realiste dhe më humane.
Në lidhje me aspektet politike dhe të zhvillimit të qëndrueshëm për të rinjtë që jetojnë në vendet e zhvilluara kapitaliste dhe ku pretendohet përparësia e ekonomisë totale të tregut, duhet bërë e qartë se demokracia nuk është e garantuar. Pikërisht në këto vende transparenca, media e lirë dhe drejtësia kërkojnë vigjilencë të thellë dhe të vazhdueshme dhe për të rinjtë në vendet në zhvillim, padyshim që këshilla më e vlefshme është mos idealizimi verbërisht i Perëndimit, pa e demonizuar atë, sepse çdo sistem ka tensione mes pushtetit dhe etikës dhe sfida më e madhe në këto raste është fakti se si menaxhohen këto tensione.
Për të rinjtë e shtresave më të pamundura nga ana ekonomike dhe që vijnë kryesisht nga vendet e pazhvilluara, nuk duhet që të barazojnë korrupsionin global me justifikim për korrupsion lokal, sepse nëse elitat globale gabojnë, përgjigjja për mungesën e zhvillimit të vendit të tyre nuk është normalizimi i degradimit, por ndërtimi i institucioneve më të forta dhe besimi se vetë këta trinj mund dhe duhet të ndërtojnë sisteme më të mira dhe edhe më të forta në lidhje me arritjen, mbështetjen dhe perfeksionimin e respektimit të dinjitetit në të tëra aspektet.
9. Kriza e elitave apo tranzicion global
Duke përsiatur këto ngjarje duket fare qartë se ajo që po shohim nuk është vetëm skandal moral, por është një krizë totale e modelit të elitës globale, e cila në Perëndim është kthyer në një klasë të lidhur ndërkombëtarisht, me interesa të përbashkëta përtej kufijve kombëtarë dhe kjo pak a shumë ishte bërë e kuptueshme, por, këto ngjarje kanë bërë që legjitimiteti i këtyre grupimeve që jemi mësuar t’u vemë nofkën “elita”, tashmë të vihet tërësisht në pikëpyetje në shkallë globale dhe kjo sepse pikërisht atëhere kur elitat shkëputen nga realiteti i qytetarëve, si nga ana ekonomike, ashtu dhe nga ana morale, krijohet hendek, që duam apo nuk duam, pavarësisht nga sistemi apo vendi, kthehet në një hendek që ushqen lëvizje anti-establishment.
10. Mes zhgënjimit dhe përgjegjësisë
Në lidhje me dukurinë “Epstein”, temat “pikante” që tërheqin vëmendjen sepse prekin thellë nervat e çdo qytetari në çdo vend të botës, që janë (1) pushteti, (2) paraja, (3) fshehtësia, etj, përtej sensacionalizmit, na bëjnë që të shtrojmë dy pyetje të vështira për përgjigje.
· Si ndërtojmë sisteme ku askush nuk është mbi ligjin?
· Si të garantojmë që teknologjia dhe kapitali të mos kthehen në instrumente dominimi?
Dhe pavarësisht përgjigjes, edhe në rast se arrijmë në përfundimin se shoqëri të tilla nuk na duhen, një shoqëri në degradim moral nuk rrëzohet brenda natës, sepse kjo shoqëri nuk erdhi dhe u forcua dhe u legjitimua brenda ditës. Shoqëritë në bjerrje rrëshqasin gradualisht dhe kjo fillon me uljen graduale të standardeve dhe vazhdon me bërjen e kompromiseve që justifikohen nga ligji dhe si pragmatizëm, pikërisht në ato shoqëri dhe sisteme ku suksesi matet vetëm me pasuri.
E kundërta. Po aq gradualisht mund të ndërtohet edhe integriteti i një shoqërie, duke mbështetur krijimin dhe funksionimin e institucioneve të forta, mediave të pavarura, edukimin kritik dhe krijimin e një shtrese qytetare që refuzon të normalizojnë abuzimin.
Jemi në një moment historik ku dhe kur njerëzimi nuk duhet të humbasë ndjeshmërinë morale.
Jemi në një gjendje amorfe ku nuk duhet të duket si normale ajo që është e gabuar, por që e ka bërë “një njeri apo një grup njerëzish të fuqishëm”.
Fuqia është reale, por reputacioni është i brishtë. Historia ka treguar se asnjë elitë nuk është e paprekshme përjetësisht. Është si puna e brandit që kompanitë aksionere më të fuqishme në botë kanë punuar me dhjetra e qindra vite për ta ndërtuar dhe një ditë të bukur me diell, vjen në drejtimin e kësaj korporate një drejtues ekzekutiv, që ka prekur majat e pushtetit ekzekutiv me praktika korruptive, me arrogancë dhe veprimtari të paligjshme, dhe, e shkatërron të tërë imazhin e brandit të kësaj shoqërie aksionere dhe tërë pasurinë e ortakëve, vetëm për pesë minuta.
Përfundimisht, çështje si dukuria “Epstein” janë më shumë se skandale individuale. Ato janë pasqyra. Janë pasqyra e sistemit. Dhe ajo që shohim në pasqyrën e këtyre sistemeve, për të cilat shumë njerëz të pafajshëm në botë, venë duart në zjarr, na sfidon të vendosim nëse, do jemi spektatorë cinikë, apo, ndërtues të një kulture më të përgjegjshme. Është momenti për të zgjedhur.
Burimi CGTN



















