
Hoxha: Arbëreshët, urë e gjallë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në edicionin e 31-të të Manifestimit Kulturor Folklorik për Vlerësimin e Pakicave Gjuhësore, të organizuar nga Shoqata Kulturore Progetto Caraffa në Vena di Maida.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në edicionin e 31-të të Manifestimit Kulturor Folklorik për Vlerësimin e Pakicave Gjuhësore, të organizuar nga Shoqata Kulturore Progetto Caraffa në Vena di Maida.
Gjatë aktivitetit, ministri vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe identitetit kombëtar për më shumë se pesë shekuj. Ai theksoi se arbëreshët mbeten një pjesë e gjallë e kombit shqiptar dhe një pasuri e rëndësishme e kulturës evropiane.
“Një ditë vërtet e veçantë dhe emocionuese me arbëreshët në Vena di Maida, në zemër të Kalabrisë, një nga ato hapësira në Itali ku historia shqiptare vazhdon të jetojë e të flasë prej më shumë se pesë shekujsh, ku gjuha, traditat dhe identiteti ynë kombëtar janë ruajtur me përkushtim të jashtëzakonshëm nga brezi në brez”, shkroi ministri.
“Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Salvatore Paone, të cilin e falënderoj për mikpritjen e ngrohtë, si dhe me personalitete të shquara të botës akademike dhe kulturore arbëreshe, ndër ta Prof. Francesco Stirparo, Prof. Cettina Mazzei dhe Prof. Francesco Altimari, morëm pjesë në edicionin e XXXI të Manifestimit Kulturor Folklorik për Vlerësimin e Pakicave Gjuhësore, organizuar nga Shoqata Kulturore “Progetto Caraffa”, shtoi ai.
“Ishte një tjetër dëshmi e gjallë e forcës së identitetit arbëresh dhe e kontributit të pashlyeshëm që komunitetet arbëreshe kanë dhënë e vazhdojnë të japin në ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare. Përmes familjes, shkollës, shoqatave kulturore dhe jetës komunitare, ata kanë arritur të mbajnë gjallë gjuhën shqipe, zakonet, kujtesën historike dhe ndjenjën e përkatësisë shqiptare për më shumë se pesë shekuj” shkruan ai.
Hoxha shprehu mirënjohjen për familjet arbëreshe që kanë ruajtur me përkushtim trashëgiminë shqiptare ndër breza, duke mbajtur gjallë gjuhën, zakonet dhe kujtesën historike.
“Shpreha mirënjohjen time më të thellë për çdo individ dhe familje arbëreshe që e ruan këtë trashëgimi me aq dashuri, krenari dhe përkushtim. Arbëreshët nuk janë vetëm ruajtës të kujtesës sonë historike; ata janë një pjesë e gjallë e kombit shqiptar dhe një pasuri e çmuar e kulturës evropiane”, tha ai.
Hoxha rikonfirmoi angazhimin e plotë të Shqipërisë, të institucioneve dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve akademike, shkencore, kulturore dhe shoqërore me komunitetet arbëreshe.
“Në këtë drejtim, vlerësova veçanërisht rolin e rëndësishëm të universiteteve, të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të studiuesve dhe intelektualëve arbëreshë, të cilët prej dekadash kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në studimin, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës e kulturës sonë.
“Po aq i rëndësishëm mbetet edhe mbështetja e vazhdueshme e institucioneve italiane, e autoriteteve qendrore dhe vendore, të cilat kanë ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e këtij mozaiku të pasur kulturor që përbën një vlerë të shtuar për Italinë dhe për gjithë Evropën”, shkruan Hoxha.
Sipas tij, “arbëreshët janë sot një urë e gjallë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë, mes dy brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, një urë e ndërtuar mbi histori, kulturë, kujtesë dhe miqësi. Ata përfaqësojnë një shembull të vyer e të veçantë se si identiteti mund të ruhet dhe të pasurohet përmes bashkëjetesës, dialogut dhe integrimit”.
Hoxha përshëndeti iniciativën për ngritjen e Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, i cili pritet të shërbejë si një qendër moderne kujtese, studimi dhe dialogu kulturor mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe.
“Në këtë kuadër, mirëpritëm edhe projektet e reja që synojnë forcimin e lidhjeve me komunitetet arbëreshe, përfshirë Muzeun e ri të Arbëreshëve në Vuno, i cili pritet të shërbejë si një qendër moderne kujtese, studimi, edukimi dhe dialogu kulturor, duke afruar edhe më shumë Shqipërinë me bijtë dhe bijat e saj arbëreshe. Historia jonë e përbashkët nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës; ajo është një pasuri e gjallë që na frymëzon të ndërtojmë së bashku të ardhmen”, tha Hoxha.
Burimi ATSH


















