
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), ku u prit nga komandanti suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako mori pjesë sot në një takim koordinues të organizuar në Tiranë nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit me drejtuesit e strukturave zjarrfikëse nga të 61 bashkitë e vendit.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako mori pjesë sot në një takim koordinues të organizuar në Tiranë nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit me drejtuesit e strukturave zjarrfikëse nga të 61 bashkitë e vendit.
Në fjalën e tij, Çako vlerësoi kontributin e zjarrfikësve në të gjithë territorin, duke theksuar se ata mbeten një nga shtyllat kryesore të sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri, veçanërisht gjatë sezonit veror, i cili karakterizohet nga rritja e rrezikut të zjarreve në pyje, kullota dhe zona bujqësore.
Ai nënvizoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si institucioni përgjegjës në varësi të qeverisë shqiptare, ka në fokus koordinimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencave natyrore, me theks të veçantë në parandalimin dhe përballimin e zjarreve.
“Bashkëpunimi dhe koordinimi i ndërsjellë ndërmjet strukturave dhe institucioneve mbetet prioritet kryesor për uljen e riskut në tërësi, dhe mbi të gjitha për garantimin e jetës së qytetarëve, mbrojtjen e pronës, pasurisë, mjedisit dhe vlerave kulturore”, u shpreh Çako.
Ai shtoi se zjarrfikësit në të gjithë vendin janë njerëzit më të sakrificës në shërbim të komunitetit, ndërsa sezoni veror përfaqëson periudhën më sfiduese për përmbushjen e misionit të tyre.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe raporteve ndërkombëtare, Çako theksoi se zjarret masive po sjellin gjithnjë e më shumë pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe mjedisore në shumë vende, duke e bërë domosdoshmëri forcimin e kapaciteteve parandaluese dhe reaguese.
“Viti 2025 ishte një nga vitet me rrezik më të lartë, por edhe me dëme dhe pasoja të konsiderueshme, për të cilat qeveria mori në konsideratë edhe kompensimin dhe dëmshpërblimin e qytetarëve që janë dëmtuar gjatë tij”, tha Çako.
Ai shtoi se, në bazë të Planit Kombëtar të Emergjencave Civile, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet e angazhuar për koordinim të plotë me strukturat zjarrfikëse dhe institucionet e tjera, përfshirë njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Policinë e Shtetit, në funksion të reagimit në kohë dhe identifikimit të rasteve të zjarrvënieve.
Në përfundim, Çako theksoi rëndësinë e zbatimit të legjislacionit për përdorimin e zjarreve në mbetjet bujqësore, duke apeluar për përgjegjësi të shtuar gjatë sezonit veror, i cili përbën një periudhë kyçe edhe për turizmin dhe ekonominë e vendit.
Burimi ATSH



















