
Xhafaj: Mbikëqyrja parlamentare, jo ndërhyrje ndaj institucioneve të pavarura
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe projektin “ClusterOne Platform”, të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, zhvilluan një tryezë diskutimi me temë “Mbikëqyrja Parlamentare si Instrument për Mirëqeverisje dhe Integrim në BE”.

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe projektin “ClusterOne Platform”, të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, zhvilluan një tryezë diskutimi me temë “Mbikëqyrja Parlamentare si Instrument për Mirëqeverisje dhe Integrim në BE”.
Takimi u moderua nga Neritan Sejamini dhe mblodhi deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të pavarura, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, medias, grupeve të interesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim shkëmbimin e mendimeve mbi zhvillimin e mekanizmave modernë të mbikëqyrjes parlamentare, forcimin e llogaridhënies institucionale, thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare në proceset vendimmarrëse.
Tryeza shërbeu gjithashtu si një platformë konsultimi me organizatat e shoqërisë civile, ekspertët, median dhe grupet e interesit për të identifikuar mundësi bashkëpunimi dhe për të përfshirë ekspertizën e tyre në proceset mbikëqyrëse të Kuvendit.
Takimi u përshëndet nga ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, Reinout Vos dhe zëvendësambasadori i Zvicrës, Philipp Arnold të cilët vlerësuan rëndësinë e takimit për të bashkuar të gjithë aktorët me synim forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, rritjen e transparencës dhe krijimin e një kulture reale llogaridhënieje.
Ambasadori Reinout Vos theksoi në fjalën e tij se gjithëpërfshirja dhe institucionet e forta janë veçanërisht të rëndësishme për të krijuar shoqëri më të forta dhe se kjo është veçanërisht e rëndësishme në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas tij, anëtarësimi nuk është vetëm një projekt i qeverisë, por duhet të shndërrohet në një projekt të gjithë shoqërisë, ku qytetarët të ndihen pjesë aktive e tij.
Vos nënvizoi gjithashtu se shoqëria civile duhet të ndihet e dëgjuar, ndërsa Parlamenti duhet të ushtrojë një mbikëqyrje reale dhe efektive. Në të njëjtën kohë, institucionet duhet të dëshmojnë jo vetëm efikasitet, por edhe besueshmëri.
Në këtë kuadër, Ambasadori vlerësoi rëndësinë e iniciativave si ky takim, e cila bashkon Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen Institucionale, nismat qytetare dhe anëtarë aktivë e të zëshëm të shoqërisë civile.
Zëvendësambasadori i Zvicrës, Philipp Arnold nënvizoi në fjalën e tij mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë zvicerane për Kuvendin e Shqipërisë, duke vënë theksin te forcimi i rolit mbikëqyrës të institucionit legjislativ ndaj ekzekutivit, në mënyrë të pavarur dhe efektive.
Gjithashtu, Arnold vlerësoi miratimin me konsensus të Rregullores së re të Kuvendit si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut politik, përmirësimit të procesit ligjbërës dhe rritjes së përfshirjes qytetare në vendimmarrje.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij nënvizoi se krijimi i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit kushtetues të Kuvendit dhe në ndërtimin e një parlamenti më funksional, transparent dhe të hapur ndaj qytetarëve.
Synimi i tij është të krijojë një qasje më të strukturuar dhe të vazhdueshme ndaj kontrollit e mbikëqyrjes parlamentare, monitorimit të zbatimit të ligjeve dhe ndjekjes së rekomandimeve të Kuvendit, në përputhje me standardet europiane të mirëqeverisjes dhe llogaridhënies.
Në këtë kuadër, ai theksoi se mbikëqyrja parlamentare nuk duhet parë si konflikt apo ndërhyrje ndaj institucioneve të pavarura, por si një funksion themelor demokratik që garanton balancën ndërmjet pushteteve, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik.
Më tej, Xhafaj vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile, grupet e interesit, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë për ndërtimin e një kulture moderne dhe efektive të mbikëqyrjes parlamentare.
U theksua gjithashtu se organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e fushës, grupet e interesit dhe media përbëjnë partnerë të rëndësishëm në procesin e mbikëqyrjes parlamentare, duke kontribuar me analiza, evidenca dhe rekomandime për çështje me interes publik.
Në këtë kuadër Xhafaj vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht ekspertizës së projekteve të mbështetura nga Qeveria e Zvicrës dhe ajo holandeze për kontributin e dhënë në forcimin e kapaciteteve të Kuvendit dhe metodologjinë e punës që do të ndjekë Komisioni, si dhe ftoi pjesëmarrësit të kontribuojnë aktivisht me idetë, sugjerimet dhe ekspertizën e tyre në këtë proces.
Në fjalën e tij, Ivi Kaso, zëvendëskryetar i Komisionit vlerësoi se ngritja e kësaj strukture parlamentare, përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të parlamentarizmit dhe forcimit të rolit mbikëqyrës të Kuvendit.
Ai gjithashtu nënvizoi problematikat që aktualisht ndeshet procesi i mbikqyrjes e kontrollit parlamentar si dhe llogaridhënia institucionale sidomos nga ana e qeverisë dhe theksoj se sfida kryesore në Shqipëri nuk ka qenë mungesa e mekanizmave parlamentarë, por funksionimi i dobët i tyre në praktikë, duke bërë që kontrolli parlamentar të mbetet shpesh formal dhe pa ndikim real në rritjen e llogaridhënies së qeverisë.
Sipas tij, një Kuvend modern duhet të jetë më transparent, më i hapur ndaj qytetarëve dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete në interes publik.
Kaso u ndal më konkretisht në tri shtyllat kryesore të punës së Komisionit: trajtimin efektiv të nismave qytetare dhe peticioneve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e një mbikëqyrjeje parlamentare reale e të vazhdueshme mbi zbatimin e ligjeve dhe politikave publike.
Në sesionin e parë, gjatë prezantimit të dokumentit politik, fushës së përgjegjësisë së Komisionit dhe Rregullores së re të Kuvendit, Kaso dhe Çomo theksuan rëndësinë e forcimit të rolit mbikëqyrës të Kuvendit dhe modernizimit të funksionimit parlamentar.
Në diskutim u evidentua gjithashtu rëndësia e kalimit nga një model i bazuar kryesisht në raportimet periodike të institucioneve drejt një modeli të mbështetur në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve parlamentare, analizën e evidencave dhe vlerësimin e rezultateve konkrete. Ata nënvizuan se Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale synon të krijojë një parlament më transparent, më të hapur ndaj qytetarëve dhe më efektiv në garantimin e llogaridhënies institucionale.
Më pas pyetjet dhe diskutimet e të pranishmëve u fokusuan në trajtimin më efektiv të nismave qytetare dhe peticioneve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm të mbikëqyrjes parlamentare.
Në sesionin e dytë, deputetët Erion Malaj dhe Erjo Mile bënë një prezantim të Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare, objektivave strategjikë, si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile, median dhe grupet e interesit, duke theksuar rëndësinë e planifikimit të strukturuar dhe monitorimit të vazhdueshëm të punës mbikëqyrëse të Kuvendit.
Gjatë prezantimit u nënvizua se qasja e re synon planifikimin afatgjatë të veprimtarisë mbikëqyrëse parlamentare dhe orientimin e saj drejt çështjeve me interes të lartë publik, kontrollit të zbatimit të ligjeve dhe vlerësimit të performancës institucionale.
Ata theksuan gjithashtu se kalendari synon të krijojë një qasje më sistematike dhe efektive në ushtrimin e kontrollit parlamentar, duke garantuar ndjekjen periodike të zbatimit të ligjeve, rekomandimeve parlamentare dhe politikave publike. Nga përfaqësues të institucioneve të pavarura kushtetuese ose të miratuara me ligj, si dhe institucioneve e agjencive ekzekutive u bënë pyetje të shumta për t’u njohur më mirë me metodologjinë që do të përdorë Komisionit në përmbushjen e fushës së tij të përgjegjësisë.
Gjatë pyetjeve dhe diskutimeve në këtë sesion u prezantuan objektivat strategjikë të Komisionit, të cilët fokusohen në forcimin e llogaridhënies institucionale, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e bashkëpunimit me institucionet e pavarura, shoqërinë civile dhe qytetarët.
Pjesëmarrësit ndanë komente, rekomandime dhe propozime konkrete për forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës të Kuvendit, përmirësimin e mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimin e hapësirave për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset parlamentare. Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësuan dhe mirëpritën ftesën për tu përfshirë në procesin e monitorimit të zbatimit të Kalendarit si dhe për të bashkëpunuar e kontribuar në tematika të caktuara në përputhje me objektin e veprimtarisë së tyre, si organizata të shoqërisë civile. Institucionet e pavarura vlerësuan rolin e Komisionit për një bashëpunim më të mirë ndërinstitucional si nevojë për të trajtuar e zgjidhur cështje të përbashkëta të cilat kërkojnë koordinimin dhe bashkëpunimin e disa institucioneve.
Tryeza konfirmoi nevojën për një qasje më të koordinuar, më të bazuar në evidencë dhe më gjithëpërfshirëse ndaj funksionit të mbikëqyrjes parlamentare, në përputhje me standardet europiane të mirëqeverisjes dhe integrimit. Në këtë kuadër, Komisioni riafirmoi angazhimin për të ndërtuar një model mbikëqyrjeje parlamentare të hapur, të bazuar në evidencë dhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, ekspertët, median dhe qytetarët.
Marrë nga ATSH



















