
Rama: Paketa e Maleve nuk është për “oligarkët”, por për zhvillimin e pronave në zonat rurale
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste të Njësisë 2, Tiranë, u ndal te Paketa e Maleve, një iniciativë që synon të nxisë zhvillimin e pronave të pashfrytëzuara jashtë qyteteve, duke u dhënë mundësinë qytetarëve të investojnë në agroturizëm, bujtina apo ferma

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste të Njësisë 2, Tiranë, u ndal te Paketa e Maleve, një iniciativë që synon të nxisë zhvillimin e pronave të pashfrytëzuara jashtë qyteteve, duke u dhënë mundësinë qytetarëve të investojnë në agroturizëm, bujtina apo ferma.
Rama theksoi rëndësinë e përfshirjes së pronarëve të tokave të trashëguara në program.
“Kemi lansuar Paketën e Maleve, e cila vlen për të gjithë ata të cilët kanë një tokë, kanë një shtëpi të vjetër jashtë qytetit, në fshat, dhe që duan ta kthejnë në një agroturizëm, në një bujtinë, apo duan të bëjnë një fermë, e kështu me radhë”, tha Rama.
Rama bëri të ditur se Paketa e Maleve po ecën dhe se ka shumë aplikime.
“Dhe ajo po ecën, kemi shumë aplikime dhe kemi vendosur një normë, një objektiv që të gjithë ata kryetarë bashkish që duan të rikandidojnë, nuk mund të rikandidojnë, edhe sikur të kenë bërë mrekullira, nëse nuk i kanë vënë në rrugë me firmë dhe me vulë, jo me llafe, 10 kontrata nga Paketa e Maleve minimumi, 10 kontrata, 10 investime të tilla. Për 55 bashki që kemi ne, nuk janë pak dhe pastaj, në momentin që do të hapet kjo rrugë, të tjerat do të vijnë më lehtë”, deklaroi ai.
Rama iu përgjigj edhe akzuave se Paketa e Maleve është bërë për “oligarkët”.
“Tani, për të gjitha këto, ju dëgjoni edhe gjëra të tjera. Ju dëgjoni, për shembull, që kjo Paketë e Maleve është bërë për oligarkët. Ndërkohë që, e para njëherë, në Shqipëri nuk ka oligarkë; fjala “oligark” është zgjedhur nga ata që iu ka mbetur si vragë në tru fjala “kulak” dhe, duke e ditur që kanë ndryshuar kohët dhe nuk thonë dot “kulak” – kur duan të shajnë dhe të mallkojnë e të baltosin një njeri që është i pasur dhe që është një subjekt në ekonomi – i thonë “oligark”. Oligarku është diçka krejt tjetër, nuk ka lidhje me thjesht faktin që ti je në krye të një kompanie apo të një subjekti ekonomik që ke të ardhura të larta. Sepse, nëse do të ishte kështu, atëherë ne do duhej të riktheheshim te dita kur kemi bërë zgjedhjen për të kaluar në një sistem tjetër”, deklaroi Kryeministri.
Ata njerëz, vijoi Rama, janë njerëz që kanë mbrapa mijëra e mijëra familje të punësuara.
“Përtej kësaj, Paketa e Maleve është totalisht e kundërt, lidhet drejtpërdrejt me njerëzit të cilët kanë një pronë të trashëguar dhe nuk e zhvillojnë dot, sepse nuk kanë titullin e pronësisë. Pse nuk e kanë? Sepse në shumë pjesë të territorit nuk është njohur 7501-shi; në disa pjesë të tjera titulli i pronësisë nuk është i qartë, etj., etj., dhe këta njerëz mund ta zhvillojnë pronën duke iu drejtuar bashkisë dhe bashkia, përmes këshillit bashkiak, bën shpalljen e atyre sipërfaqeve të pretenduara nga këta individë dhe shikon nëse fqinjët rreth e rrotull kanë pretendime për atë tokë. Dhe nëse fqinjët rreth e rrotull nuk kanë pretendim për atë tokë, sepse këto janë situata të qarta mes fqinjësh, atëherë procedohet; nëse ka pretendime për atë tokë, nuk procedohet. Kaq e thjeshtë është kjo”, deklaroi ai.
Ndërkohë, vijoi Rama, për pjesën tjetër, aty ku titujt janë të qartë, është thjesht e vetëm çështje e vetë pronarit, pra e personit që ka tokën.
“Dhe çfarë përfiton ky në këtë rast? Përfiton një procedurë shumë të shpejtë dhe pastaj mund të përfitojë edhe mbështetje financiare për investimin, në rast se drejtohet te mekanizmat e tjerë”, informoi Kryeministri.
/Marrë nga ATSH



















