
Dita e Frankofonisë, Kumbaro: Një gjuhë më shumë, një shpirt më shumë
Me mbi 300 milionë frankofonë në të gjithë botën, Frankofonia përfaqëson bashkësinë ndërkombëtare të vendeve dhe njerëzve që flasin frëngjisht ose ndajnë vlera të përbashkëta kulturore e demokratike të lidhura me gjuhën frënge.

“Une langue de plus, une âme de plus” – një gjuhë më shumë, një shpirt më shumë, shkruan ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në nder të Ditës së Frankofonisë.
“Dhe nuk mund të mbyllej kjo ditë pa i kushtuar një çast një gjuhe që më ka dhënë aq shumë personalisht dhe profesionalisht, siç është gjuha frënge në 20 marsin, datë e cila botërisht i kushtohet Frankofonisë, si mënyrë për ta ndjerë këtë univers kulturor më afër, për të lidhur botëkuptime dhe për të ndërtuar ura komunikimi mes njerëzve.
Nxënësit tanë që mësojnë frëngjisht përjetojnë çdo ditë këtë lidhje të veçantë, duke kultivuar vlera që i bëjnë qytetarë të hapur ndaj botës ndërsa në shkollat tona java që lamë pas u kremtua si një kujtesë e bukur se kur ndajmë gjuhën, ndajmë edhe zemrën, lidhje që do të jetë edhe më e fortë me hapjen e Liceut të ri Francez të Korçës”, shkruan Kumbaro në rrjetet sociale.
Me mbi 300 milionë frankofonë në të gjithë botën, Frankofonia përfaqëson bashkësinë ndërkombëtare të vendeve dhe njerëzve që flasin frëngjisht ose ndajnë vlera të përbashkëta kulturore e demokratike të lidhura me gjuhën frënge.
Ajo funksionon si një hapësirë për dialog politik, ekonomik dhe kulturor, e organizuar në nivel institucional përmes Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).
Burimi ATSH



















