
Spiropali në Mynih: Shqipëria, aleate e besueshme në NATO dhe faktor stabiliteti në rajon
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku liderë politikë dhe ushtarakë nga e mbarë bota u mblodhën për të diskutuar sfidat aktuale globale të sigurisë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku liderë politikë dhe ushtarakë nga e mbarë bota u mblodhën për të diskutuar sfidat aktuale globale të sigurisë.
Gjatë takimeve me partnerë ndërkombëtarë, Spiropali theksoi se Shqipëria është e pranishme si një aleate e besueshme në kuadër të NATO dhe si një zë i qëndrueshëm stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur mjedisi i sigurisë në Evropë dhe më gjerë po përballet me dinamika të reja dhe sfida të shumta.
Diskutimet e këtij viti në Mynih u përqendruan në forcimin e aleancës transatlantike, zhvillimet lidhur me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme si dhe pasiguritë që po ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ministrja Spiropali rikonfirmoi orientimin e qartë euroatlantik të Shqipërisë dhe përkushtimin ndaj partneriteteve strategjike që garantojnë sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Ajo theksoi se në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, vlerat e lirisë, solidaritetit dhe bashkëpunimit mbeten themelore.
Shqipëria, nënvizoi ajo, do të vijojë të kontribuojë për sigurinë e rajonit dhe forcimin e partneritetit transatlantik, ndërsa përparon në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.
Burimi ATSH

















