
Strategjia për zhvillimin e futbollit 2026-2030, Gonxhja: Ligji për sponsorizimet, hap kyç
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi këtë të hënë strategjinë e re katërvjeçare “Vision to Victory 2026-2030”, e cila synon të sjellë zhvillime cilësore në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar. Strategjia është ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s dhe mbështetet në një punë kërkimore të gjatë.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi këtë të hënë strategjinë e re katërvjeçare “Vision to Victory 2026-2030”, e cila synon të sjellë zhvillime cilësore në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar. Strategjia është ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s dhe mbështetet në një punë kërkimore të gjatë.
Në prezantim morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përfaqësues të klubeve dhe shoqatave rajonale të futbollit, ish-futbollistë, sponsorë dhe media.
Presidenti Duka bëri një bilanc të strategjisë së kaluar “Futbolli për Kombin”, duke nënvizuar se 95% e objektivave janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi. Ai theksoi se strategjia e re synon rritjen e pjesëmarrjes dhe cilësisë së futbollit, forcimin e strukturave organizative, investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe zhvillimin e talenteve të rinj.
“Kjo strategji është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar. Deri në vitin 2030, synojmë të arrijmë 26 mijë futbollistë të regjistruar, nga 24.078 që janë sot”, tha presidenti Duka. Ai shtoi se rritja do të arrihet përmes zgjerimit të programeve në shkolla dhe komunitete, mbështetjes së klubeve për moshat e vogla, aktiviteteve të organizuara për fëmijët dhe vazhdimit të projekteve “Uniforma Ime” dhe “Topi YT”.
Në aspektin e infrastrukturës, strategjia parashikon shtimin e 30 deri në 40 fushave të reja futbolli deri në vitin 2030, kryesisht në rajonin e Tiranës. Duka theksoi se objektivi kombëtar është ndërtimi i 200 fushave të reja, një synim që kërkon mbështetje nga buxhetet e shtetit.
“Objektiv strategjik mbetet gjithashtu rritja e numrit të spektatorëve në stadiumet kombëtare, forcimi financiar i klubeve dhe akademive të futbollit dhe përfundimi i ligjit të Sponsorizimeve në Sport. Progresi i futbollit shqiptar do të jetë shumë i ngadaltë pa një ligj të tillë”, shtoi ai.
Presidenti i FSHF-së prezantoi edhe objektivat për ekipet kombëtare: pjesëmarrjen e ekipit A të djemve në turnetë finale europiane dhe botërore, kalimin e fazës së grupeve nga ekipi U-21 në Euro 2027 dhe Euro 2029, si dhe qëndrimin në Ligën B për ekipin kombëtar të vajzave dhe synimin për kualifikimin në Kampionatin Europian 2029.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi rëndësinë e partneritetit me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe angazhimin e ministrisë për të çliruar potencialet e sportit dhe futbollit në vend.
Gonxhja theksoi se sporti është një nga gjeneratorët më të mëdhenj ekonomikë dhe turistik të vendit, ndërsa ligji i sponsorizimit do të përfaqësojë një hap kyç për zhvillimin e sportit, artit dhe kulturës.
“Kur kemi një partneritet dhe një aktor kaq të rëndësishëm dhe kaq të strukturuar siç është Federata Shqiptare e Futbollit, çfarë do të duhet të bënte më shumë Ministria që drejtoj sesa të sinkronizohej në strategji, në plan veprimi, në mendim, në gjithçka me FSHF, që është një organizatë në funksion të interesit publik”, tha ministri.
Ai shtoi se MTKS synon të çlirojë çdo mundësi dhe energji të bllokuara deri më sot, duke lidhur sportin me artin, kulturën dhe turizmin, të cilat sipas tij përbëjnë fitime të jashtëzakonshme për vendin.
“Ligji i sponsorizimit nuk është më zotim, është në masat e një betimi tim dhe të Presidentit të Federatës, sepse do të vijë për artin, sportin dhe rininë. Një kampionat, një skuadër e suksesshme, një sport i zhvilluar janë automatikisht gjeneratorë ekonomikë të jashtëzakonshëm”, deklaroi Gonxhja.
Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së futbollit në të gjitha nivelet dhe bashkëpunimin me klubet, akademitë dhe institucionet për të forcuar zhvillimin e sportit në Shqipëri.
Burimi ATSH


















