Nga izolimi në kontribuese aktive në diplomacinë shumëpalëshe, Shqipëria reflekton mbi udhëtimin e saj në OSBE

Konferenca e organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri, shënoi një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë me OSBE-në dhe parimet e qëndrueshme të Aktit Final të Helsinkit.


Përfaqësues nga institucionet qeveritare, komuniteti diplomatik, akademia dhe shoqëria civile u mblodhën sot në konferencën e nivelit të lartë “Transformimi dhe angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në: Nga Akti Final i Helsinkit deri më sot”.

Konferenca e organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri, shënoi një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë me OSBE-në dhe parimet e qëndrueshme të Aktit Final të Helsinkit.

Duke hapur konferencën, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali nënvizoi partneritetin e gjatë të Shqipërisë me OSBE-në dhe rolin e Organizatës në mbështetjen e tranzicionit demokratik dhe agjendës së reformave të vendit.

“Do të doja të përgëzoja Kryesinë Finlandeze për fokusin e saj në të ardhmen e OSBE-së përmes iniciativës Helsinki+50. Mbi të gjitha, kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me shënimin e një përvjetori. Objektivi është të formësohet një OSBE që mund t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të nesërme. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ekziston një mundësi për ne që të japim një kontribut të rëndësishëm në procesin e ripërtëritjes”, theksoi Spiropali.

E dërguara Speciale e Kryetarit të Radhës të OSBE-së, ambasadorja Terhi Hakala, theksoi rëndësinë e vazhdueshme të parimeve të Helsinkit dhe qasjen gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë, një qasje që e njeh paqen si të pandashme nga të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe dialogu midis shteteve.

“Shqipëria ka qenë një anëtare e përkushtuar e familjes së OSBE-së që nga tranzicioni i saj demokratik dhe ka pritur një operacion aktiv në terren që nga viti 1997. Bashkëpunimi i ngushtë midis Prezencës dhe autoriteteve shqiptare dhe aktorëve të shoqërisë civile ka kontribuar me sukses në qëllimet strategjike të Shqipërisë dhe në axhendën e reformave të sotme”, tha ambasadorja Hakala.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran foli për bashkëpunimin e ngushtë midis Prezencës dhe institucioneve shqiptare, për gati tre dekada, në avancimin e qeverisjes demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

“Më lejoni të mbyll me një shënim që arkitektët e Helsinkit e kuptuan mirë: siguria është një përpjekje e përbashkët. Dialogu është më i qëndrueshëm se përçarja. Dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbetet qendra e gjithçkaje që bëjmë. Këto nuk janë ideale abstrakte; ato janë themeli për stabilitet në një epokë të trazuar”, tha Tarran.

Gjatë gjithë aktivitetit, pjesëmarrësit reflektuan mbi trajektoren e Shqipërisë nga izolimi në një kontribues aktiv në diplomacinë shumëpalëshe.

Ekspertë kombëtarë, historianë dhe përfaqësues institucionalë paraqitën perspektiva historike mbi rolin e Shqipërisë në procesin e Helsinkit, pranimin e saj në KSBE/OSBE në fillim të viteve 1990 dhe transformimin demokratik të vendit.

Gjithashtu u vlerësua kryesia e suksesshme e OSBE-së nga Shqipëria në vitin veçanërisht sfidues 2020, e cila demonstroi lidershipin në rritje të vendit në bashkëpunimin rajonal, parandalimin e konflikteve dhe të drejtat e njeriut.

Folësit nënvizuan mësimet e nxjerra nga angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në dhe vunë re evolucionin e reformave në fusha të tilla si proceset zgjedhore, përpjekjet kundër trafikimit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e medias dhe qeverisja e mirë.

Ata gjithashtu trajtuan sfidat bashkëkohore me të cilat përballet OSBE-ja në një mjedis gjeopolitik në ndryshim, duke nënvizuar nevojën për të mbrojtur parimet e dialogut, bashkëpunimit dhe sigurisë gjithëpërfshirëse.

Konferenca përfundoi me një riafirmim të angazhimit të përbashkët të Shqipërisë dhe OSBE-së për të mbështetur frymën e Aktit Final të Helsinkit dhe për të vazhduar të punojnë së bashku për të çuar përpara sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në rajon dhe më gjerë.

Burimi ATSH

Nga izolimi në kontribuese aktive në diplomacinë shumëpalëshe, Shqipëria reflekton mbi udhëtimin e saj në OSBE

Konferenca e organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri,…

Global 360

Kurti: Paradoksi i zgjerimit të BE, aplikimi i Kosovës mbetet i bllokuar për tre vjet

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian,…

Diplovista

Rama mbron Shqipërinë në rrugën drejt BE-së: Krimi është problem kudo, edhe Brukseli nuk është më mirë

Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Fatos Nano i mundi të gjithë pa e kuptuar, siç mediat nuk e kuptuan edhe pse falë tij lulëzuan!

Racional, me sens humori, si një lider i vërtetë Fatos Nano i demokratizoi të gjithë, në fund edhe kundërshtarët e…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Nga izolimi në kontribuese aktive në diplomacinë shumëpalëshe, Shqipëria reflekton mbi udhëtimin e saj në OSBE

Konferenca e organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri,…