
Ministrja daneze, Bjerre: Shqipëria po jep rezultate në reforma dhe luftën kundër korrupsionit
Ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre deklaroi sot pas Konferencës së 6-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Bruksel se, Shqipëria ka bërë përpjekje të forta përgjatë viteve, me reformën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së.

Ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre deklaroi sot pas Konferencës së 6-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Bruksel se, Shqipëria ka bërë përpjekje të forta përgjatë viteve, me reformën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Komisioneren për Zgjerimin, marta Kos, Bjerre tha se, “duke pasur parasysh agresionin e fortë të Rusisë në Ukrainë, zgjerimi është bërë një nevojë gjeopolitike. Na duhet që të ecim përpara me zgjerimin, për një BE më të fortë, më të sigurt. Saktësisht kjo është arsyeja pse zgjerimi është një përparësi kyçe për Presidencën daneze”.
“Ja pse jam vërtetë shumë e kënaqur me konferencën e sotme ndërqeveritare me Shqipërinë që çeli një tjetër grup-kapitull. Ky është një hap domethënës për Shqipërinë dhe për BE-në po kështu. Aq më tepër sepse shënon grup-kapitullin e 6-të që çelet vetëm brenda një viti, duke mbetur vetëm një për t’u hapur”, theksoi ajo.
Bjerre, u shpreh se, “Konferenca e sotme dëshmoi po kështu se zgjerimi po ecën përpara dhe tregoi se reformat e vërteta sjellin rezultate të vërteta. Shqipëria ka bërë përpjekje të forta përgjatë viteve me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”.
“Shqipëria ka treguar qartësisht se e sheh të ardhmen e saj në Evropë. Ju po jepni rezultate dhe meritoni që këto t’ju njihen”, shtoi ajo.
Sigurisht, vijoi ministrja daneze, “nuk jemi ende në linjën e finishit. Ka ende shumë punë që shtrihet përpara nesh, por sot është një gur kilometrik dhe drejtimi është i qartë”.
“Danimarka duke qenë Presidente e radhës do të bëjë maksimumin për ta çuar përpara zgjerimin. Mbetet thelbësore që vendet kandidate të vazhdojnë të bëjnë realizime të reformave dhe të përmbushje së kritereve të Kopenhagës”, tha Bjerre.
“Shqipëri, ju po bëni pikërisht këtë. Vazhdoni edhe më tej me punën e mirë dhe faleminderit shumë për bashkëpunimin tuaj!”, përfundoi fjalën e saj ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.
Burimi ATSH