Ambasadorja Suard: Shqipëria reforma të thella e të guximshme, Franca do t’ju qëndrojë pranë në rrugëtimin evropian

Ambasada e Francës në Tiranë organizoi një pritje në Vilën 31 me rastin e 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, ku merrnin pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përfaqësues të qeverisë, nga trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë e shumë të ftuar të tjerë.


Ambasada e Francës në Tiranë organizoi një pritje në Vilën 31 me rastin e 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, ku merrnin pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përfaqësues të qeverisë, nga trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë e shumë të ftuar të tjerë.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, në fjalën e saj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona ndërsa fillimisht u ndal tek simbolika e zhvillimit të pritjes në Vilën 31, të cilën e cilësoi si ilustrim i transformimit të Shqipërisë për të cilin Franca kontribuon me atë çfarë ajo ka më të mirë, krijimin, shkëmbimin dhe qarkullimin e ideve.

“Falë Fondacionit Art Explora dhe mbështetjes së partnerëve tanë institucionalë shqiptarë, kjo rezidencë, e inauguruar në muajin prill nga Kryeministri Edi Rama në prani të ministrit tonë të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, tani do të mirëpresë çdo vit rreth tridhjetë artistë nga Shqipëria, Ballkani, Evropa dhe më gjerë. Ekspozita, atelie dhe takime do t’i gjallërojnë muret e saj dhe do ta pasurojnë jetën kulturore të Tiranës, ashtu si dhe ndalesa në prill e katamaranit-muze Art Explora në Durrës, i cili u bë gjatë 10 ditëve një “port i transformuar në një skenë artistike”, sipas fjalëve të Kryeministrit Rama”, tha Suard.

Ambasadorja shtoi se, “ky vitalitet inovacioni dhe kulturor sillet në Tiranë edhe nga KubFranceTirana, Instituti ynë Francez i Shqipërisë i dedikuar për teknologjinë digjitale, i cili u hap në majë të Piramidës në pranverën e vitit 2024”.

Por, theksoi ajo, “ne po e zhvillojmë atë edhe në qytete të tjera të vendit. Në Korçë, tre javë më parë, një edicion special i Javës Kulturore Franceze mblodhi së bashku shfaqje, koncerte, ekspozita dhe atelie. Këto aktivitete, të mundësuara falë partneritetit midis Chambéry dhe Korçës, janë një ilustrim i bukur i diplomacisë kulturore të rrënjosur në njësitë vendore”.

Suard falënderoi institucionet shqiptare, qytetet dhe ekipet për entuziazmin dhe mbështetjen e tyre.

Ambasadorja nënvizoi se, Franca e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian.

“Kjo mbështetje nuk është diçka e re. Por sot, ajo merr një rëndësi dhe urgjencë të veçantë. Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella, të guximshme dhe të nevojshme. Ajo ka dhënë prova për vendosmërinë e saj. Dhe ajo demonstron me krenari dëshirën e saj për t’u ribashkuar me familjen e saj të natyrshme, familjen evropiane”, tha Suard.

“Kjo është arsyeja pse, gjatë vizitës së tij të dytë zyrtare në Shqipëri majin e kaluar, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, shprehu besimin e tij në aftësinë e Shqipërisë për të përmbushur agjendën e saj ambicioze për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përsëriti angazhimin tonë për ta mbështetur atë, duke nënvizuar fort, po e citoj, “(se) Franca do të qëndrojë gjithmonë pranë Shqipërisë në udhëtimin e saj evropian”, tha Suard.

Me këtë ambicie të përbashkët për një Evropë të riunifikuar, theksoi Suard, “marrëdhëniet tona dypalëshe kanë arritur një nivel si asnjëherë më parë. Jam shumë e kënaqur dhe i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për këtë”.

Në këtë kontekst, ajo përshëndeti bashkëpunimin operativ, siç është ai me SPAK-un.

“Sukseset e fundit gjyqësore të Ekipeve të Përbashkëta Hetimore që lidhin dy vendet tona janë simboli i përsosur i një dëshire të përbashkët për të luftuar në mënyrë aktive të gjitha format e krimit të organizuar”, tha Suard.

Në fushën ekonomike, ambasadorja u shpreh se, “marrëdhënia jonë duhet të intensifikohet më tej. Ky është thelbi i Marrëveshjes Ndërqeveritare të nënshkruar në prill 2024 gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Paris”.

“Kompanitë franceze janë gjithnjë e më të interesuara për të investuar në Shqipëri, në infrastrukturë, ujë, energji, turizëm dhe inovacion digjital”, tha ajo.

“Në muajin maj, gjatë vizitës së dytë presidenciale, ministrja e Deleguar franceze për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë Digjitale, Clara Chappaz, dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nënshkruan në Tiranë një plan veprimi ambicioz për ta bërë Shqipërinë një qendër rajonale të inovacionit digjital dhe IA të gjelbër. Ky partneritet mishëron një vizion të përbashkët mbi inovacionin si një motor i emancipimit, transformimit dhe sovranitetit”, theksoi Suard.

Gjithashtu, shtoi Suard, “falë Agjencisë Franceze të Zhvillimit, më shumë se 300 milionë euro janë mobilizuar vitet e fundit për të mbështetur projekte konkrete në të gjithë vendin, me ambicien për të kontribuar, së bashku, në një zhvillim më të qëndrueshëm, më të ekuilibruar dhe evropian”.

Në këtë kuadër, ambasadorja përmendi disa nga projektet që do të zhvillohen gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, “mbështetje për qeverisjen lokale përmes përdorimit të të dhënave të hapura; hapja e një kampusi të Universitetit Teknologjik të Compiègne (UTC) brenda Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT); dhe sigurisht, vazhdimi i projektit të Liceut Franko-Shqiptar të Shkencës dhe Inovacionit në Korçë”.

Suard theksoi se, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është forcuar.

“Gjatë vizitës së fundit presidenciale, ministri francez i Forcave të Armatosura, Sébastien Lecornu, dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, riafirmuan dëshirën e tyre të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin mes nesh. Dhe ky angazhim u konkretizua që në Panairin Ndërkombëtar të Aeronautikës dhe të Mbrojtjes në Bourget, në qershor, me nënshkrimin e një kontrate pajisjesh. Ky është një gjest i fortë. Por mbi të gjitha, është një sinjal: ai i një marrëdhënieje besimi. Një marrëdhënie aleatësh. Një marrëdhënie evropianësh që kanë të njëjtin vizion për sigurinë”, tha Suard.

Ambasadorja u shreh se, për të ilustruar këtë bashkëpunim të përforcuar, është zgjedhur që të dekorohen dy persona gjatë ceremonisë.

“Dy ushtarakë. Dy profesionistë të përkushtuar dhe rigorozë, në shërbim të vendeve tona dhe sigurisë sonë të përbashkët”, tha ajo.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Projekti EU4Youth, mbështetje të rinjve për integrimin në tregun e punës

I financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP dhe UNICEF Albania, projekti EU4Youth mbështet zbatimin e programit në tri…

Global 360

Ibrahimaj: Mbështetje ekosistemeve të startup-eve me mbi 10 milionë euro vetëm në 3 vitet e fundit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në edicionin e 7-të të “Startup City…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Arbërit, princa të Lilit apo të Zambakut?

‘Princa të Lilit- Bij të Arbërit- Familjarë të Sulltanit’ është një studim që kap në vështrim disa çështje të rëndësishme…

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Projekti EU4Youth, mbështetje të rinjve për integrimin në tregun e punës

I financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP dhe UNICEF Albania, projekti EU4Youth mbështet zbatimin e programit në tri…