Holokausti nazist, Dom Shtjefën Kurti i shpëtoi hebrenjtë duke i kthyer në katolikë!

Si famulltar i Kishës Katolike të Tiranës, Dom Shtjefën Kurtit dha kontributin e tij për shpëtimin e hebrenjve


Nga Nikolin Kurti

Një rol vendimtar në sjelljen historike të shqiptarëve ndaj hebrenjve ka luajtur toleranca e mirënjohur ndërfetare të shqiptarëve por dhe sjellja e tyre ndaj të huajve, sidomos në kohë rreziku. Njëri ndër dëshmitarët mosekzistimit të antisemitizmit në Shqipëri ishte Herman Bernshtajn, edhe vetë hebre, i cili ishte ambasador i ShBA në Shqipëri nga viti 1930 deri në vitin 1933.

Bernshtajn shkruante se: “Në Shqipëri nuk gjen dot as edhe një gjurmë të vetme të çfarëdo diskriminimi kundër hebrenjve, për arsye se Shqipëria është njëri ndër vendet e rralla në Evropën e ditëve të sotme ku nuk ekzistojnë paragjykimi dhe hasmëria fetare, megjithëse shqiptarët vetë janë të ndarë në tri fe”.

Gjurmët e shpëtimit gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Tiranës, Beratit, Krujës, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjirokastrës, etj. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte kuota pranimi, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë.

Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria kishte 200 hebrenj.

Sipas dokumentimeve, Kosova kishte para Luftës së Dytë Botërore rreth 600 hebrenj, të cilët shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë Qendrore. Në përgjithësi, numri i hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri arrin të paktën 3164 vetë. Shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë pa më të voglin interes, pa më të voglin kusht, pa më të voglin përfitim apo shpërblim.

Një vështrim mbi praninë hebraike në Shqipëri

Në vitet e luftës, sytë e hebrenjve u drejtuan nga Shqipëria, sepse, midis Shqipërisë dhe hebrenjve ishin vendosur marrëdhënie të ndërsjella, që në mijëvjeçarin e dytë, para erës së re, pra, qysh në kohën e ilirëve. Ishin marrëdhënie tepër miqësore dhe korrekte, që lanë gjurmë reciproke, në marrëdhëniet e mëvonshme, ndërmjet dy popujve.

Për këto marrëdhënie, flasin shkrime të autorëve antike si: Apollodari, shkrimtar i madh grek, i shekullit të dytë, para Krishtit, Gjeografi Scymi, Zaharia Majani, historiani Meillet dhe Kohen, apo Josph Flavius, historian i shekullit të parë, etj., si dhe një sërë botimesh të huaja, që flasin për përhapjen e hebrenjve, nëpër Ballkan dhe në Shqipëri, si dhe për ndikimet e ndërsjella, midis tyre.

Të tilla ishin edhe marrëdhëniet, me grupin e parë të hebrenjve, që zbritën në tokën shqiptare, në vitin 70-të, të erës sonë. Ishin një grup i marrë peng, nga Perandori Romak Titus, që pas një lufte pesëvjeçare e pushtoi Izraelin dhe i mori, si shenje të fitores dhe për t’i përdorur si skllevër.

Mirëpo, njëra nga anijet u përplas në bregdetin tonë të Jonit nga dallgët e detit, në zonën e Sarandës dhe u vendosën në fshatin Fterrë.
Prania e hebrenjëve në Shqipëri dokumentohet që në fillim të shek. XIV. Në vitin 1322, udhëtari anglez Symeon Symeonis qëndroi në Durrës, ku njoftoi praninë e një komuniteti “hebrenjësh dinakë” (prefidis hebreis). Mbi madhësinë e këtij komuniteti thotë diçka më shumë një dokument i mëvonshëm, i vitit 1401, sipas të cilit në Durrës kishte pak familje hebrenje, edhe këto të varfra (judei habitatores Durachii, quia suia sunt paupers et pauce familiae).

Hebrenjtë dalloheshin si tregtarë. Ata luanin një rol të rëndësishëm në trafiqet tregtare që zhvilloheshin nga dhë për në Durrës. Këtë lë të kuptojë një dokument i vitit 1319, i cili bën fjalë për një tregtar hebre, që nëpërmjet manipulimit me çmime më të ulta (10 hyperperë, përmasë qindshe), kishte pushtuar tregun e kripës në qytetin e Durrësit, duke ringjallur mërinë e qeveritarit anzhuin të qytetit, që pretendonte monopolin në këtë sektor. Të njëjtin aktivitet ushtronin vite më parë, më 1281, dy tregtarë hebrenj nga Durrësi, Michel e Leon de Chura Chalia.

Disa nga hebrenjtë e arsimuar fituan besimin e zotërve feudalë dhe morën funksione të rëndësishme. Në vitin 1398, despoti i Vlorës Merksha, kishte angazhuar si njëri të besuar e ambasador të vet hebreun vlonjat, Davidin, që përndryshe ushtronte zanatin e tregtarit.
Strehim dhe mikpritje gjetën në tokën shqiptare edhe grupet e mëdha, që erdhën në fund të shekullit të 15- të, të përndjekur nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez dhe u vendosën kryesisht, në Vlorë, Berat dhe Elbasan.

Një pjesë tjetër u vendosen në trojet shqiptare të përtej kufijve shtetërorë, si në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup, Manastir dhe në Selanik. Një numër i vogël erdhën edhe në Durrës, Lezhë, Danje e Gjirokastër. Regjistri osman i pronave dhe i popullsisë i sanxhakut të Vlorës i vitit 1519-1520: sipas tij, vetëm në qytetin e Vlorës, me gjithsej 1558 familje, në atë vit kishte 528 familje hebreje, krahas 945 familjeve të krishtera e 85 muslimane.

Grupe te tjera hebrenje erdhën në gjysmën e dytë, të shekullit të 19-të, dhe në gjysmën e parë të shekullit 20-të.

Tema e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri mbeti e rezervuar deri vonë, për shkak të qendrimit politik që Tirana zyrtare mbante kundër Izraelit, si “aleat i superfuqisë atlantike”, megjithëse, paradoksalisht, qeveria e E. Hoxhës e pati njohur ndër të parët në rrugë diplomatike formimin e shtetit të ri të hebrenjve në territorin e sotëm qysh në vitin 1948. Kjo temë u hap disi, por me shumë kujdes, vetëm në fillimin e viteve 1980, kryesisht si evokim i traditës shqiptare të mikpritjes dhe shpëtimit të të huajve në kohë rreziku. Më gjerësisht ajo u hap pas ndryshimeve politike në fund të viteve 1980.

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri u bë për së pari objekt studimi nga studiues anglo amerikanë, si Bernd Fisher e Noel Malcolm; pastaj dhe nga studiues italianë, si Michele Sarfatti; nga Memorial Museum of Holocaust e Yed Vashem. Forumit Nërkombëtar të Holokaustit (Stokholm, 2000), miratimi i ligjit për shpalljen e “Ditës së Kujtesës” (2004); kushtuar rolit të Shqipërisë për shpëtimin e hebrenjve (2005), si dhe tani se fundmi organizimi i ekspozitës “Besa-a bonour code of Albanians” në Juruzalem (nëntor 2007); nxitën një cikël të ri kërkimesh dhe studimesh.

Në vitin 2014, Prof. Dr. Shaban Sinani ndërmerr një studim tërësor rreth kontributit shqiptar në shpëtimin e hebrenjëve, të botuar në librin “Shqiptarët dhe hebrenjtë”, i cili është një kontribut me shumë vlerë për të ndriçuar marrëdhëniet shqiptaro-hebraike gjatë shekujve dhe sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur makineria naziste e luftës i pati dënuar hebrenjtë me vdekje.

Konvertimet e hebrenjve në katolikë

Kur retë e zeza të dëbimit dhe vdekjes ranë mbi hebrenjtë në Europë, shqiptarët trima i ndihmuan ata të shpëtonin nga fati i tyre i tmerrshëm. E, sigurisht, gajtë Luftës, Shqipëria u bë vendi i vetëm në Europë, ku komuniteti hebre u dyfishua në numër. Hebrenjtë erdhën në Shqipëri nga e gjithë Europa Qendrore e Ballkani Jugor, duke e ditur që ata do të gjenin këtu një liman e strehë të sigurt.

Në vjeshtë të vitit 1943 ushtria gjermane hyri në Shqipëri. Në atë periudhë, nëse ishte hebre dhe me vendbanim në Europë, shansi për të mbijetuar ishte me pak se pesë një njëqind. Me gjithë kontributin e madh të miliona hebrenjve në kulturë, në filozofi, në shkencë, në krijimin e vërtetë të kulturës europiane, shansi për të mbijetuar ishte me pak se raporti 1 me 10, me një përjashtim: nëse ti do të jetoje në Shqipëri. Faktet historike tregojnë që mundësia për të mbijetuar në Shqipëri ishte pothuajse njëqind për qind.

Për rrjedhim më lind pyetja: Në atë periudhë të errët, si do të kishte qenë bota po të sillej si Shqipëria? Më pas mendoj ata miliona njerëz që do të mund të kishin mbijetuar e që do të mund të kishin gëzuar pasurinë dhe jetën e tyre, nëse bota do të ishte sjellë si Shqipëria.

Herbrenjtë u mbrojtën nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, populli i thjeshtë, organizatat e rezistencës antifashiste dhe zyrtarët e qeverisë nën pushtim. Duhet thënë se shteti shqiptar i kohës nuk miratoi asnjëherë ligje antihebraike. Jo vetëm ligje, por as vendime, as rregullore, asnjë akt me karakater racor.

Një ndihmë të rëndësishme në këtë drejtim dhanë klerikët, të cilët miratuan me procedura të përshpejtuara konvertimet formale, duke bërë kështu shfehjen e identitetit hebraik dhe nxjerrë jashtë rrezikut hebrenjtë. Shndërrimet fatare të hebrenjve, për t’i shpëtuar rrezikut të shfarosjes gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë qenë një dukuri europiane. Ndryshimi i vetëm është se, për shembull, në Itali, për të lejuar ungjillizimin e një hebreu duhej kaluar një kohë e domosdoshme prove, katekizmi, kanonizimi; duhej marrë pëlqimi i një kleriku të rangut të lartë (nëse ky do ta jepte), kurse në Shqipëri këto ungjillizime dhe islamizime janë bërë me një lehtësi të jashtëzakonshme, jo vetëm nga faltoret, jo vetëm nga klerikët, por edhe nga autoritete jo-fetare, shumica e të cilëve ishte e rangjeve të ulëta.

Nuk bëhet fjalë për raste dhe individë, por për procese të vërtetuara konvertimi formal, për të fshehur identitetin, qoftë në krishterimin roman, qoftë në atë lindor, qoftë në islamizëm. Ajo që duket se i mundon disa dijetarë është pyetja se si mundet që një hebre të pranojë konvertimin, kur dihet se hebraizmi është fe dhe kombësi njiherësh (rasti i vetëm në botë). Në këtë rast bëhet fjalë për konvertime, jo si shprehje refuzimi së brendshmi të hebraizmit, por thjeshtë për një pragmatizëm të rëndomtë politik, që u jepte mundësi këtyre të ngratëve të mbijetonin, duke pranuar të shkelnin fomalisht mbi identitetin e vet.

Mbi të gjitha merr vlerë fakti që ungjillizimi i tyre, në atë masë që ndodhi, u bë pa katekizëm. Vetëm Dom Shtjfën Kurti, gjatë viteve 1943-1944, ka evangjelizuar disa hebrenj, për të cilët ai vetë thotë me shkrim se “këta kenkan përgaditë për krishterim”.

Duke studiuar për këtë qëllim dosjet e shumta të Fondit “Arqipeshkvia Durrës-Tiranë, famullia e kishës katolike, Tiranë”, në Arkivin Shtetëror, nipi i Dom Stjefnit, Nikolini, bashkautor në këtë libër, kishte gjetur disa dokumente zyrtare, në të cilat shkruhej se “disa hebrenj të ardhur në Tiranë kërkonin, nëpërmjet procedurave liturgjike, ndërrimin e fesë së tyre hebraike në katolike”.

Në këto rrethana natyrshëm lindin disa pyetja: Cili ishte roli i famullisë e drejtuesit të saj Dom Shtjefën Kurti në këtë proces? A ishte kisha katolike e Tiranës pjesë e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human të popullit që ajo i shërbente? Pse famullitari i saj Don shtjefën Kurti, siç rezulton nga dokumentet, duke thyer të gjitha afatet proceduriale mjaft të ngurta të konvertimit fetar, iu hiqte “pasaportat hebraike” hebrenjve, duke i pajisur ata me “pasaportë katolike”?

Le ti paraqesim disa dokumente arkivore të kësaj famullie. Me shkresën nr. 458/43, dt. 22.VII.1943 të Zyrës Famullitare të Kishës Katolike Tiranë, firmosur nga famullitari Don Shtjefën Kurti drejtuar Zyrës Ordinariate të Arqipeshkvnisë Durrës thuhet: “Venko Verah, çifut prej Shkupi, asht përgatit në mësimin e fes sonë ma se miri prej Atë Pjetër Meshkalles, edhe nep sheje te mira konvikcioni. Shërbyesi i asaj Zyre Famullitare kërkon leje me e pagëzue”.

Shërbyesi i asaj Zyre Ordinariate, Famullitari (Dom Shtjefën kurti). Firma”. Po me atë datë, 22 korrik 1943, me shkresën nr. 348/43, Kyria Arqipeshkëvnore e Durrësit i përgjigjet Zyrës Faullitare Tiranë: “Mbasi kenka gatue ma se miri e po nepka sheje te mira konvikcioni, në ditën qi t’ duket ma e përshtatshme mundeni me i dhanë pagëzimin shejt çiftuti prej Shkupit Venko Verah. Vincenc Prendushi-Arqipeshkev. Poshtë kësaj letre lexojmë shënimin: “U muerr ditën 31.7.1943”, dhe më poshtë: “Ditën 3 gusht 1943, Venko Verah kje pagzue e u regjistrue në Librin e të pagzuemeve me numrin 138”. Të dyja shënimet firmosur Dom Shtjefën Kurti.

Siç shihet, kërkesa për leje pagëzimi nga famullia e Tiranës dhe miratimi nga Aripeshkvia në Durrës është bërë brenda ditës. Kuptohet, ka pasur një interesim direkt, personal dhe dërgim dorazi i kërkesës dhe marrjes së përgjigjes, pa pritur kohën e gjatë me postë. Pas 10 ditësh çdo gjë ishte përfunduar dhe Venko Verah ishte konvertuar në katolik. Gjithashtu, me shkresën 324/43, dt. 11.VI.1943, nga famullia e Tiranës kërkohet miratimi “me marrë sakramentin e pagzimit nesër, Natën e Rrshajve, për 5 çifuten të tjerë”.

Po kështu me shkresë nr. 565/43, dt. 2 shtator 1943, kemi kërkesën nga famullia e Tiranës për “Zonjushen Olga Nikoliç, e bija e Blogota e Danica Kovaçeviç, lindur ne Tandi (USA) me 22 korrik 1913, ardhur ne Tiranë prej Kotorrit për me u ba katolike”. Dokumentacioni i konvertimeve të çifutëve vazhdon. Me shkresën prot.nr. 192, dt. 19 korrik 1940 kemi “pagëzimin e Arineta Peterson të kryer në prani famullitarit Dom Shtjefën Kurti, e dëshmitarëve Rina Palandri dhe Angelica Moretti.

Me shkresën prot.nr. 01/43, Tiranë 17.8.1943, të Zyrës së Famullisë së kishës Katolike Tiranë, dërguar Zyrës Ordinariate Arqipeshkvnore të Durrësit në Delbnisht, lexojmë: “Abram Friz, Armando Alfandari dhe Rakele Alfandari, çifuten, duen me u ba katolikë dhe janë përgadite në katekizmin katholik. Zyra Famullitare kërkon lejen prej asaj Zyre Ordinarjate Arqipeshkvnore, me muejt me i pagzue. Famullitari Dom Shtjefen Kurti”. Edhe për këtë kërkesë, miratimi ka ardhur i menjëhershëm dhe këta hebrenj janë kthyer në katolikë.

Pra, siç e tregojnë dhe dokumentet arkivore, një nga mënyrat për të fshehur identitetin hebraik për hebrenjtë e ardhur në Shqipëri u përdor dhe ndërrimi i fesë, cili u shërbente herbrenjëve për të siguruar mbrojtje personale dhe familjare nga përpjekjet e forcave të Gestapo-s. Ungjillizimi i tyre formal është kryer nga meshtari i famullisë së Tiranës, Don Shtjefën Kurti, i cili shikonte te kjo skemë konvertimi urgjente, të vetmen mundësi që ai kishte në dorë për të kontribuar në mbrojtjen e shpëtimin e hebrenjëve në rrezik. Anashkalimi i procedurave tepër rigoroze të konvertimit në besimin katolik si: pagzimi, krezmimi, rrëfimi, kungimi, vojimi e bekimi, të cilat duan muaj të tërë, për rastin e hebrenjve, nga meshtari Shtjefen Kurti janë kryer menjëherë.

Solidariteti e ndihma ndaj hebrenjve për t’i shpëtuar gjenocidit nazist, shprehur nga kisha katolike shqiptare nuk është ekskluzivetet i vetëm i këtij institucioni fetar. Ka fakte të besueshme, si ai i hebreut Siegfrid Schwartz apo i Elia David Kohen, që kërkuan lënien e fesë së tyre dhe u konvertuan në muslimanë. Në “Rezolutën e mirënjohjes” që Kongresi Amerikan miratoi me 17 nëntor 2005, në nderim të popullit shqiptar, që nuk lejoi prekjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore thuhet: “Kongresmenët amerikanë e morën këtë nismë, duke vlerësuar që muslimanët dhe të krishterët shqiptarë e konsideronin çështje të brendshme nderi mbrojtjen e hebrenjve nga holokausti, ku, për fshehjen e identitetit të hebrenjve, ndihmuan pozitivisht e me meritë dhe kleri e faltoret”.

Megjithëse hebrenjtë që jetuan në Shqipëri nuk ranë në dorë të nazistëve dhe për rrjedhojë mbijetuan të gjithë, në tokën shqiptare e dhanë jetën përkrah shqiptarëve në luftë disa hebrenj. Në një artikull të botuar në gazetën “Bashkimi” të vitit 1945 nga hebreu Ing. Samuili Mandil del se “6 hebrenj kanë marrë pjesë në Luftën Antifashiste si partizanë vullnetarë dhe janë vrarë në luftë”. Kjo e dhënë e kishte shtyrë historianen dhe gazetaren Monika Stafa të kërkonte të dhëna të reja dhe si rezultat kishte mundur të identifikonte, të paktën, 10 emra hebrenjsh që luftuan bashkë me shqiptarët për lirinë e vendit që u dha strehë e mbrojtje.

Këta 10 hebrenj u vranë si antifashistë, jo si viktima të Shoah, aq më pak të dorëzuar prej shqiptarëve. Ata meritojnë të shpallën dëshmorë të atdheut të tyre të dytë, Shqipërisë, dhe të kenë një pllakë përkujtimore. Ndërsa shqiptarët si komb dhe të gjitha shtresat shoqërore e meritojnë përjetë kurorën e humanzimit që treguan me shpëtimin e hebrenjëve, ku klerikët e të gjitha feve kanë meritën e tyre. Si famulltar i Kishës Katolike të Tiranës, Dom Shtjefën Kurtit i ra të kontribuonte më shumë, pasi siç duket, edhe konvertimet më të shumta hebrenjtë i bënë në katolicizëm.

Dokumente arkivore të pagzimit të hebrenjve

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë
Tiranë, 2 qershuer 1943
Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvnore të Durrësit në Delbënisht

Tash do kohë, i nenshkruemi i ka lanë në kujdes të F. të Nd. At Pjetër Meshkallës 5 çifutën, të cillët At Meshkalla i ka pregatitë ma së miri në Doktrinën katholike.

Ata kërkojnë e u ba Katholik e dishirojn, po kje se Ajo Zyre Ordinjarate e lejon, me marrë Sakramendin e Pagzimit neser, nata e Rrshajve.
I nenshkruemi ka nderen e shenjue se dy nder këta janë të martuem: prandaj kerkohet leja me e rregullue njiherit neser edhe kunoren fillë mas pagzimit të tyne.
Me nderime
sherbyes i asaj Zyre Arqip.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë
nr. 495/43 Tiranë, 2 korrik 1943

Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvnore të Durrësit në Delbënisht
U muer ditën 31.7.1943
Don Shtjefni
Ditenn 3 korrik 1943 Bruno Berah kje pagzue e nr. regjistrue në Librin të Pagzimeve nen numrin 138.
Don Shtjefni

Kuria Archiepiscopalis Dyrrachiensis
Nr. 348/43 Dyrrachii.22 Korrik 1943
Zyrës Famullitare Tiranë

Në përgjegje të shkresës Nr. 458/43, 22/VII/1943:
Mbasi kena gatue ma së miri e po nepka sheje të mira konvinkcjoni, në diten qi t u duket ma e pershtatshme mundeni me i dhanë Pagzimin Shejt çifutit prej Shkurpit, Venko Verah.

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë
Tiranë, 2 gusht 1943
Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvnore të Durrësit në Delbënisht

Z. Abram Friz, Armando Afandari e Rakele Alfandari, çifuten, duen me u ba katholikë edhe janë tue u pregatitë në katekizmin katholik.
Zyra Famullitare e Tiranës kërkon lejen, prej Asaj P.T. Zyre Ordinarjate Arqipeshkvnore, me muejt me i pagzue.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti

 

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë
nr. 565/43 Tiranë, 2 shtatuer 1943

Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvnore të Durrësit në Delbënisht
Zonjusha Olga Nikoliç e bija e Blogota e Danica Kovaçeviç lindun në Tandi (USA) me 22 korrik 1913, ardhun në Tiranë prej Kotorit që tesh 11 muej, asht pregatitë ma së mirit në besimin katholik e kerkon me u ba katholike.
Zyrja Famullitare e Tiranës lypë autorizimin prej Asajë P. T. Zyre Ordinarjate Arqipeshkvnore për sa sypër.
Sherbyes i asajë Z.O. A.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.