
Rama: Ricardo Hausmann, mik besnik i Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë solemne të dhënies së titujve “Doctor Honoris Causa” për personalitete të njohura ndërkombëtare të së drejtës, akademisë dhe artit.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë solemne të dhënies së titujve “Doctor Honoris Causa” për personalitete të njohura ndërkombëtare të së drejtës, akademisë dhe artit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e këtij eventi dhe të angazhimit ndërkombëtar të vendit, duke u shprehur se, “është privilegj që ne të jemi kryeqyteti pritës i Kongresit Botëror të Ligjit dhe më vjen shumë mirë që një vit përpara atij kongresi ne do të jemi së bashku nesër në një sesion të posaçëm, që është prelud i Kongresit, sipas traditës së kësaj platforme globale që mbledh njerëz të spikatur të botës së ligjit nga të gjitha kontinentet”.
Gjatë ceremonisë, kreu i qeverisë mbajti edhe një fjalë vlerësuese për ekonomistin e njohur ndërkombëtar Ricardo Hausmann, i cili u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”.
Rama theksoi rolin e tij në ndihmën ndaj vendeve për ndryshimet ekonomike.
“Ka shumë ekonomistë që bëjnë shpjegime pasi bota ndryshon dhe pastaj ka shumë pak ekonomistë të cilët i ndihmojnë vendet të ndryshojnë përpara se bota t’i vërë re. Profesori Ricardo Hausmann i takon kategorisë së dytë”, tha Rama.
Duke ndarë një episod personal, Rama tregoi fillimet e marrëdhënies me Hausmann, duke theksuar se përpjekjet e tij të hershme për ta kontaktuar kishin mbetur pa përgjigje.
“Marrëdhënia ime me Ricardon ka filluar si një dështim total. E kërkova pa sukses kur isha ende në opozitë; i shkrova atij dhe u përpoqa të gjeja mënyra për ta kontaktuar, për t’i thënë se Shqipëria ia vlente kohën e tij, por mora vetëm heshtje. Asgjë. Absolutisht asnjë lloj shenje”, tha Rama.
Ai shtoi se bashkëpunimi nisi vetëm pas ardhjes së tij në pushtet.
“Për të marrë vëmendjen e Ricardo Hausmann, në fillim duhet të fitosh zgjedhjet, që në retrospektivë mund të jetë procesi më i sofistikuar i vetingut. Kështu që sapo fitova, Ricardo erdhi”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi qasjen praktike të Hausmann, duke e dalluar atë nga ekspertët e tjerë.
“Ai nuk erdhi si një ekspert që vjen në një vend në zhvillim me një prezantim në PoëerPoint, por erdhi me çizme në terren. Kjo ka rëndësi, sepse vende si i yni kanë parë shumë ekspertë që përgatisin raporte që askush nuk i lexon dhe rekomandime tek të cilat askush nuk ka besim”, tha Rama.
Rama nënvizoi se Hausmann sjell një perspektivë të ndryshme në zhvillimin e vendeve.
“Ricardo është krejt ndryshe: ai dëgjon, bën pyetje, vëzhgon. Ai nuk pyet se çfarë është ky vend, por çfarë mund të bëhet dhe kjo është diçka e rrallë në epokën tonë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Duke iu referuar ideve konkrete të ekonomistit, Rama përmendi konceptin e “ekipeve me rripin e zi” si një mekanizëm për të kapërcyer burokracinë dhe për të realizuar projekte strategjike. Sipas tij, kjo qasje ka dhënë rezultate në projekte të rëndësishme si Trans Adriatic Pipeline.
“Fillimisht kishte dyshime për Shqipërinë, por në fund u konsideruam partneri më i mirë në projekt”, u shpreh ai.
Në përfundim, Kryeministri e cilësoi Hausmann si një figurë frymëzuese për zhvillimin e vendeve në tranzicion.
“Hausmann nuk i bën vendet të ndihen sikur janë nën ekzaminim, por i bën ato të kenë dëshirën për të imagjinuar. Ai na kujton se transformimi nuk është magji, por është kurajo, punë dhe vullnet”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi Hausmann si një mik besnik të Shqipërisë.
“Jam përherë mirënjohës, jo vetëm për këshillat tuaja të çmuara, por për besimin tuaj te Shqipëria, besim që ky vend mund të aspirojë për më shumë, sepse e ardhmja nuk është e trashëguar, por ndërtohet ditë pas dite”, përfundoi Rama.
Burimi ATSH


















