
Rama: 300 milionë euro në vit, kompensime për pensionistët
Sipas Ramës, papunësia ka qenë 17.5%, sot për herë të parë papunësia në Shqipëri është nën 10% dhe është një numër një shifror 8.8%.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste tha sot se janë 300 milionë euro në vit kompensime të tjera që jepen për pensionistët dhe që ndahen sipas tij në 80 milionë euro për kompensime mujore të tjera, 161 milionë për bonuse dhe 57 milionë për rimbursimin e barnave.
Nga takimi “Një pasqyrë e Rilindjes së qarkut të Elbasanit”, Rama tha nga Librazhdi ku edhe prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE se brenda mandatit të katërt qeverisës nuk do të ketë asnjë pension nën 200 euro në Shqipëri.
“Pensionin mesatar me vite të plota pune, e kemi 300 euro, por problem kryesor është numri i madh i pensionistëve me pension shumë të ulët dhe objektivi ynë është që brenda mandatit të katërt të mos ketë më asnjë pension nën 200 euro”, tha Rama.
Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij edhe te tregu i punës në vend duke ndarë edhe shifrat zyrtare të papunësisë. Sipas Ramës, papunësia ka qenë 17.5%, sot për herë të parë papunësia në Shqipëri është nën 10% dhe është një numër një shifror 8.8%.
“Dhe shumë njerëz thonë del e ulët se kanë ikur njerëzit. Përqindja e papunësisë matet me tregun e punës, jo me pensionistët dhe fëmijët. Sa forca pune janë në dispozicion, sa prej tyre janë në punë”, shtoi Rama.
“Kjo vlen për të gjithë që duke përqeshur thonë ku i keni 300 mijë vende pune. Kur ne morëm detyrën ishin 1 milion e 23 mijë të punësuar, këta janë 1 milion e 23 mijë emra dhe mbiemra, të punësuar në regjistrat e shtetit që paguajnë detyrime shëndetësore dhe shoqërore. Sot, këta janë 1 milion e 327 mijë, sipas aritmetikës që kam mësuar unë në Liceun Artistik janë më shumë se 300 mijë”, pohoi Rama, ndërsa shtoi se “aritmetika është në hall të madh se ne menduam se e pamë hatanë më të madhe kur thoshte Luli 7×7 baras 42, po tani doli 7×7 baras 6 milionë. Llogaria këtu është 300 e 4 mijë vende pune plus”, theksoi Rama.
“Të punësuarit me pagë nën 40 mijë lekë kanë qenë 60%, kjo shifër ka rënë në 14.4%. Pagat sot janë jo të mjaftueshme, por janë shumë më të larta seç ishin. Pagën minimale sot e kemi 400 euro, në janar të 2026 do të bëhet 500 euro dhe brenda mandatit të katërt do të jetë 650 euro minimalja”, vijoi ai.
Rritja e pagave, sipas tij, në tërësi llogaritet 848 euro që është paga mesatare e bashkuar sektori publik me sektorin privat.
“Paga mesatare në sektorin publik është 1000 euro, ndërkohë që ka qenë 370 euro”, tha Rama.