
Model i ri menaxhimi për Urgjencën Polivalente në QSUT, Spahiu: Synojmë rritjen e eficiencës
Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, Urgjenca Polivalente ka ofruar shërbim për rreth 91 mijë pacientë gjatë periudhës janar–shtator 2026.

Urgjenca Polivalente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po riorganizohet në një model të ri menaxhimi dhe funksionimi me synim rritjen e eficiencës, koordinimit të ekipeve dhe përgjigjes në kohë ndaj pacientëve.
Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, Urgjenca Polivalente ka ofruar shërbim për rreth 91 mijë pacientë gjatë periudhës janar–shtator 2026.
“Si porta e parë për rastet që kërkojnë kujdes të menjëhershëm, nga vlerësimi dhe diagnostikimi deri te trajtimi i specializuar, Urgjenca Polivalente në QSUT ka ofruar shërbim për rreth 91 mijë pacientë vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2026”, deklaroi Spahiu.
Ministrja theksoi se modeli i ri synon organizim më të mirë të proceseve dhe burimeve, për të rritur cilësinë dhe eficiencën e shërbimit në çdo hallkë të urgjencës.
Një prej punonjëseve të Urgjencës shpjegoi se pacientët i nënshtrohen triazhimit fillestar dhe më pas orientohen sipas kodeve përkatëse, përfshirë kodin e bardhë, të verdhë dhe të kuq, drejt zonës së observimit apo hapësirave të tjera të përcaktuara.
Ministrja Spahiu theksoi gjithashtu nevojën për të shmangur mbingarkesën e urgjencës me raste që mund të trajtohen në nivelin e kujdesit parësor.
“Më vjen mirë, që në një kohë të shkurtër keni arritur që ta organizoni punën, përveç faktit që ne duhet të lehtësojmë dhe të kemi triazhimin që është i domosdoshëm, duhet edhe të ndërgjegjësojmë pak më shumë që ato raste që nuk janë për në urgjencë dhe mund të zgjidhen nga mjeku i familjes, duhet të zgjidhen nga mjeku i familjes”, tha ajo.
Sipas ministres, një tjetër element i rëndësishëm është koordinimi me spitalet rajonale, veçanërisht në rastet kur pacientët referohen drejt Qendrës Spitalore Universitare.
“Pra, nëse arrijmë që këtë triazhim ta bëjmë ashtu siç duhet dhe nëse arrijmë të kemi një koordinim shumë të mirë me spitalet rajonale kur nisen rastet nga spitalet rajonale drejt Qendrës Stersiare, ne do të realizojmë objektivin tonë për të patur një performancë sa më të mirë në urgjencën e QSUT”, tha ministrja në videon e ndarë në rrjetet sociale”, tha Spahiu.
Burimi ATSH


















