
Rezerva valutore mbi 8,4 miliardë euro, rritje me 18,7% në bazë vjetore
Referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, mjetet e rezervës valutore u rritën me 15,1% krahasuar me fundin e vitit 2025, ndërsa në raport me gushtin e një viti më parë rritja ishte 18,7%.

Rezerva valutore ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2026, duke arritur në mbi 8,4 miliardë euro në fund të gushtit, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.
Referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, mjetet e rezervës valutore u rritën me 15,1% krahasuar me fundin e vitit 2025, ndërsa në raport me gushtin e një viti më parë rritja ishte 18,7%.
Në ecurinë e rezervës valutore një ndikim të rëndësishëm besohet se kanë pasur blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, banka qendrore bleu rreth 140 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga BSH.
Kjo vlerë përbën nivelin më të lartë historik të blerjeve të valutës për tre muajt e parë të vitit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, blerjet u rritën me 320%.
Sipas të dhënave titujt e borxhit përbëjnë afërsisht 67% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 25% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Rezerva valutore është një tregues i rëndësishëm i qëndrueshmërisë së jashtme financiare të vendit, pasi shërben si një fond mbështetës për përballimin e detyrimeve dhe nevojave të ekonomisë për valutë të huaj. Gjithashtu, mund të shërbejë si instrument për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.
Burimi ATSH



















