
Spahiu në spitalin e Gjakovës: Shqipëria dhe Kosova drejt një partneriteti të ri për shërbime shëndetësore pa kufij
Zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë, forcimi i kapaciteteve spitalore dhe garantimi i aksesit në shërbime të specializuara për qytetarët e të dy vendeve

Zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë, forcimi i kapaciteteve spitalore dhe garantimi i aksesit në shërbime të specializuara për qytetarët e të dy vendeve ishin në fokus të vizitës së parë zyrtare jashtë vendit të ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Ministrja Spahiu zgjodhi Kosovën, konkretisht spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për të zhvilluar vizitën e saj, ku u prit nga homologu kosovar, Arben Vitia, si dhe nga personeli mjekësor i këtij institucioni shëndetësor.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, përmes plotësimit të ndërsjellë të shërbimeve shëndetësore, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe forcimit të kapaciteteve spitalore, me synimin për t’u ofruar qytetarëve kujdes më të specializuar, më pranë vendbanimit dhe pa udhëtime të panevojshme.
Ministrja Spahiu shprehu mirënjohje për personelin mjekësor të Kosovës për kujdesin e ofruar ndaj pacientëve nga Tropoja, Hasi dhe Kruma, duke theksuar gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në shërbime të tjera dhe forcimin e kapaciteteve të spitaleve rajonale në Shqipëri, me synim shkëmbimin e ndërsjellë të shërbimeve shëndetësore.
“Kam bërë një vizitë kohët e fundit në spitalin e Kukësit dhe në spitalin ditor të Hasit. Kam parë aty nevojat që ato kanë, dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse, që ju keni realizuar që ato shërbimet e munguara që janë atje të merren në mënyrë të përkryer në spitalin e Gjakovës, të Prizrenit dhe në spitalin universitar të Prishtinës dhe ndoshta është momenti që edhe ne të forcojmë kapacitetet tona në disa shërbime, si për shembull shërbimin e dializës, në mënyrë që edhe ata pacientë që vijnë këtu ta marrin shërbimin në spitalin e Kukësit dhe anasjelltas”, tha ministrja Spahiu.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia vlerësoi vizitën e ministres Spahiu dhe gatishmërinë për të çuar bashkëpunimin dypalësh në një nivel të ri, përmes marrëveshjeve konkrete që do të zgjerojnë mundësitë e trajtimit dhe do të përmirësojnë aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore.
“Pres me padurim që përtej pjesës së shërbimeve të kemi edhe marrëveshje konkrete në të cilat u dakorduam që sa më shpejt të fillojmë dhe të punojmë në to, në mënyrë që këto marrëveshje t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit”, u shpreh ministri Vitia.
Vizita e ministres Spahiu në spitalin e Gjakovës konfirmon angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në shëndetësi, përmes zgjerimit të shërbimeve dhe marrëveshjeve të reja, në funksion të garantimit të një kujdesi shëndetësor cilësor dhe më të aksesueshëm dhe pa barriera kufitare për qytetarët e të dy vendeve.
Burimi ATSH

















